Kumtesë për media

Kryesia e Partisë së Drejtësisë në mbledhjen e mbajtur me datë 09.09.11 shqyrtoi situatën politike në vend dhe përkitazi më këtë njëzëri miratoi konkluzat si në vijim:

1. PD shprehë vendosmërinë e saj të paluhatshme që në themelet e shtet-ndërtimit të vihet respektimi i plotë i të drejtave dhe lirive të njeriut, të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet e vendit. Në këtë drejtim, PD kërkon që Qeveria të sigurojë të drejtën kushtetuese për manifestimin publik të bindjeve fetare dhe të ndërpres të gjitha shkeljet e ligjeve në këtë aspekt, veçanërisht kur është në pyetje ndalimi i shkollimit të nxënëseve për shkak të bartjes së shamisë. PD thekson se do të jetë shumë i vështirë funksionimi i përfaqësuesve politik të PD-së si pjesë e Koalicionit Qeverisës në institucionet e vendit të cilat nuk respektojnë standardet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, përfshirë ato fetare, të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

2. PD kërkon nga Kryeministri i vendit që debati i sforcuar, i papërgatitur dhe në masë të madhe i dëmshëm për kohezionin social dhe kombëtar të vendit të kanalizohet dhe të vihet në funksion të shtet-ndërtimit nëpërmjet themelimit të Komisionit Qeveritar për shqyrtimin e modaliteteve të zbatimit të lëndës së arsimimit fetar në shkollat fillore dhe të mesme të vendit.

3. PD rithekson përkushtimin e saj strategjik për realizimin e interesave shtetërore dhe kombëtare si prioritet i saj politik.

4. Kryesia e PD-së do të vlerësojë zhvillimet e ardhshme, në dritën e përfundimeve të sipërpërmendura dhe do t’ia propozojë Këshillit Drejtues ndërmarrjen e masave dhe veprimeve varësisht nga situata konkrete.

 

Partia e Drejtësisë - Prishtinë, 9 shtator 2011