Kushtet e fjalës “La ilahe il-lallah”

Përmendja e kushteve në mënyrë të përgjithshme:

Fjala “la ilahe il-lallah” nuk i bën dobi atij që e thotë në qoftë se nuk i jetëson kushtet e saj, të cilat do t’i përmendim në vijim:

1. Dituria, e cila e kundërshton mosdijen.
2. Bindja, e cila e kundërshton dyshimin.
3. Sinqeriteti, i cili e kundërshton shirkun.
4. Vërtetësia, e cila e kundërshton gënjeshtrën.
5. Dashuria, e cila e kundërshton urrejtjen.
6. Nënshtrimi, i cili e kundërshton lënien e tij.
7. Pranimi, i cili e kundërshton refuzimin.
8. Mohimi i çdo gjëje që adhurohet në vend të Allahut.

Përmendja e kushteve në mënyrë të hollësishme:

1. Dituria, e cila e kundërshton mosdijen.

Domethënia: Ta dish kuptimin e fjalës “la ilahe il-lallah”, gjegjësisht kuptimin e mohimit dhe pohimit që e përmban ajo.

Argumenti: Fjala e Allahut: (Dije se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut.)1

2. Bindja, e cila e kundërshton dyshimin.

Domethënia: Ai që e thotë këtë fjalë duhet të jetë plotësisht i bindur se vetëm Allahu është i Adhuruari i Vërtetë, pra se vetëm Ai meriton të adhurohet.

Argumenti: Fjala e Allahut: (Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë, por luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Këta janë besimtarë të sinqertë.)2

3. Sinqeriteti, i cili e kundërshton shirkun.

Domethënia: T’ia kushtosh të gjitha ibadetet (adhurimet) vetëm Allahut dhe askujt tjetër.

Argumenti: Fjala e Allahut: (E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.)3

4. Vërtetësia, e cila e kundërshton gënjeshtrën.

Domethënia: Ta shqiptosh fjalën e teuhidit (fjalën “la ilahe il-lallah”) duke qenë i vërtetë në atë që e thua, pra që zemra jote të jetë në përputhje të plotë me atë që e shqipton gjuha.

Argumenti: Fjala e Allahut: (Elif, Lâm, Mîm. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.)4

5. Dashuria, e cila e kundërshton urrejtjen.

Domethënia: Ta shqiptosh këtë fjalë duke e dashur Allahun dhe të Dërguarin e Tij, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe njëkohësisht ta duash këtë fjalë dhe gjithçka që nënkupton ajo.

Argumenti: Fjala e Allahut: (E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të ballafaqohen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër.)5

6. Nënshtrimi, i cili e kundërshton lënien e tij (mosnënshtrimin).

Domethënia: Ta adhurosh vetëm Allahun, t’i nënshtrohesh sheriatit (ligjit) të Tij, ta besosh atë (sheriatin) dhe të jesh i bindur se ai është i vërtetë.

Argumenti: Fjala e Allahut: (Kthehuni te Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush.)6

7. Pranimi, i cili e kundërshton refuzimin.

Domethënia: Ta pranosh këtë fjalë dhe atë që nënkupton ajo, gjegjësisht t’ia kushtosh tërë adhurimin vetëm Allahut dhe të mos adhurosh askënd tjetër.

Argumenti: Fjala e Allahut: (kur u thuhej atyre: “Nuk ka zot që meriton të adhurohet veç Allahut!” - ata tregoheshin mendjemëdhenj dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?”)7

8. Mohimi i çdo gjëje që adhurohet në vend të Allahut.

Domethënia: Të largohesh nga adhurimi i çdo gjëje që adhurohet në vend të Allahut, duke qenë i bindur se çdo adhurim që i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut është i kotë.
Argumenti: Fjala e Allahut: (S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon tagutin (gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.)8

 

Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com

 

1. Sureja Muhammed 19.
2. Sureja el-huxhuratë 15.
3. Sureja el-bejjine 5.
4. Sureja el-ankebutë 1-3.
5. Sureja el-bekare 165.
6. Sureja ez-zumer 54.
7. Sureja es-safatë 35, 36.
8. Sureja el-bekare 156.


11:11:15am