Paradoks në ditët tona...

Sot kemi rrugë të gjera, porse pikëpamje të ngushta.

Më shumë njohuri, por më pak gjykim.

Më shumë ekspertë, por më shumë probleme.

Më shumë mjekësi, por më pak shëndet.

Grada pa fund, ndjenja askund.

Kemi siguruar jetesën, por nuk jetojmë.

Jetës i kemi shtuar vite, por jo viteve jetë.

Kemi më shumë, por nuk kemi mirë.

Kemi shumë informata, por shumë pak dije.

Shumë shkruajmë e pak mësojmë.

Shumë flasim e fort pak veprojmë.

Edhe për sa kohë do të ecim kështu???!

Kalendari/takvimi për Gjermani, i 06.01.2011

----------------------------------------------------------------

Po a nuk është koha e fundit që t'i nënshtrohemi Allahut Bujar pa vënë asgjë në dyshim nga shpalljet dhe të dërguarit e Tij, ashtu siç Ai kërkon nga ne dhe ashtu siç ka kërkuar brez pas brezi nga Ademi as., deri në kohët tona e kështu me radhë deri në ditën e kiametit?!

Edhe vetë fjala mysliman do të thotë nënshtrim i pakushtëzuar dhe i pakontestuar ndaj Krijuesit tonë të Plotmëshirshëm.

Ibrahimi as. jetoi shumë më parë/moti se sa të dërguarit tjerë pas tij, si Musai as., Isai as. dhe vula e të dërguarve Muhamedi as., porse edhe ai ishte mysliman, pra i nënshtruar ndaj Allahut të Gjithëpushtetshëm.

Këtë e dëshmon Allahu i lartësuar si vijon në Kuran 3,67:

"Ibrahimi nuk ka qenë as hebre e as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte mysliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve."

Prandaj nuk na mbetet asgjë tjetër veçse ta luftojmë armikun tonë të përbetuar - Iblisin/shejtanin e mallkuar - përmes faljes së namazit, dhënies së zekatit, agjërimit të ramazanit e vajtjes në haxh - nëse kemi mundësi - si dhe duke bërë vepra të mira dhe duke u larguar nga veprat e këqija/mëkatet, kështu që të mund të shpresojmë shuuumë në arritjen e kënaqësisë së Krijuesit Madhështor, e të përfundojmë në xhenet insha-Allah!

Mos të harrojmë se djalli/Iblisi i mallkuar është betuar para Allahut Mëshirëplotë se shumicën e pasardhësve të Ademit as. do t'i bëjë për vete, përkatësisht do t’i marrë me vete në xhehenem dhe këtë e ka arritur. Për të konstatuar këtë gjë është shumë lehtë. Sot ekzistojnë gati 7 miliardë njerëz në tokë dhe vetëm rreth 1,5 miliardë prej tyre janë prej atyre që e quajnë veten myslimanë dhe jo të gjithë prej tyre janë myslimanë ashtu siç Allahu i Lartësuar kërkon nga ne. Sidoqoftë Iblisi i mallkuar nuk ka kompetenca të na bëjë për vete, përveçse të na cytë/ftojë në rrugën e gabuar dhe se varet nga ne se a do ta pasojmë atë në xhehenem apo ta pasojmë Krijuesin tonë në premtimin e Tij, i cili është hak, pra xheneti.

Ja se si është zotuar/betuar Iblisi i mallkuar në armiqësinë ndaj nesh, ndër të tjera Kuran 7,11-18:

Ne ju krijuam (babanë tuaj Ademin), e pastaj jua dhamë formën; e ju thamë engjëjve: “Përuljuni Ademit!” e të gjithë iu përulën përveç Iblisit. Ai nuk ishte nga ata që përulet. (Zoti) tha: “Ç’të pengoi ty që nuk iu përule, kur të urdhërova?” (Iblisi) tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. (Zoti) tha: “E atëherë, dil prej andaj (xhennetit)! Ti nuk ke të drejtë të krenohesh në të; dil, me të vërtetë, ti je prej të urryerve”. (Iblisi) tha: “Më jep afat deri në ditën kur ngjallen njerëzit!” (Zoti) tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati”.

(Iblisi) tha: “Betohem se për shkak se më humbe mua, unë do t'u ulem atyre (do t'u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë, mandej, do t'iu sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën prej tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)!" (Zoti) tha: “Dil prej andej (xhennetit) i qortuar dhe i poshtëruar. Pa dyshim, me ty dhe me të gjithë ata që shkojnë pas teje, do ta mbushi xhehennemin!”

Paqja, bekimi dhe mëshira e Krijuesit Madhështor qofshin me juve.

 

Burim Sogojeva


03:38:03pm