Metoda e thirrjes (davetit)

Feja e vetme tek Allahu është Islami

Allahu i Lartësuar dërgoi pejgamberin Muhammed – sal-lallahu alejhi ve sel-lem – te të gjithë njerëzit dhe i tha:

قُلْ يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنِّي رَسُولُ اللّهِ إِلَيْكُمْ جَمِيعًا

Thuaj: "O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut te të gjithë ju.[1]

Allahu mesazhin islam e bëri të qëndrueshëm dhe të përhershëm, nuk pranon fe tjetër pos Islamit deri Ditën e Gjykimit.Ai, përkitazi me këtë thotë:

إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللّهِ الإِسْلاَمُ

Feja e pranuar tek Allahu është Islami.[2]

Po ashtu thotë:

وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الإِسْلاَمِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ

E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do ti pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.

 

Shpërblimi i thirrjes islame

Thirrja drejt fesë së Allahut është detyrë e çdo muslimani në çdo kohë dhe në çdo vend. Gjithashtu, ajo është prej adhurimeve më të rëndësishme dhe me më së shumti shpërblim.

Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

وَمَنْ أَحْسَنُ قَوْلًا مِّمَّن دَعَا إِلَى اللَّهِ وَعَمِلَ صَالِحًا وَقَالَ إِنَّنِي مِنَ الْمُسْلِمِينَ

E, kush është më fjalëmirë se ai që thërret drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: "Unë jam prej muslimanëve"?

I dërguari i Allahut, Muhammedi – sal-lall-lahu alejhi ve sel-lem – sqaroi vlerën e shpërblimit të atij që fton drejt Allahut, duke thënë:

"Kush fton në ndonjë udhëzim ka shpërblim sikurse ata që e pasojnë atë, duke mos iu pakësuar atyre asgjë nga shpërblimi.[3]

Po ashtu, i Dërguari i ka thënë Ali ibn Ebi Talibit – radijallahu anhu –:

"Që Allahu nëpërmjet teje ta udhëzoi një njeri është më mirë për ty sesa t'i kishe devetë e kuqe."[4]

 

Metoda më e mirë e thirrjes

Padyshim që metoda më e mirë e thirrjes drejt Allahut është metoda e Pejgamberit – sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Ai realizoi mënyrën më të mirë dhe metodologjinë më madhështore, kur mori barrën e thirrjes drejt Allahut. Për madhështinë e kësaj metodologjie dëshmon suksesi i tij i madh, i cili u jetësua në duart e tij, kur njerëzit filluan të hyjnë në fenë e Allahut grupe-grupe për një periudhë të shkurtër.

Në vijim po i cekim veçoritë më të shquara të kësaj metodologjie:

1. Kuptimi i drejtë i Islamit dhe njohja e tij.

Thirrësi nuk mund ta kumtojë thirrjen e Allahut, nëse nuk e kupton drejt atë dhe nuk e kupton realitetin e saj. I sëmuri nuk mund t'i shërojë njerëzit; kjo vërehet qartë në fjalën e Allahut, ku thotë:

قُلْ هَـذِهِ سَبِيلِي أَدْعُو إِلَى اللّهِ عَلَى بَصِيرَةٍ أَنَاْ وَمَنِ اتَّبَعَنِي

Thuaj: "Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te All-llahu, unë dhe ai që vjen pas meje."

Thirrësi duhet të ketë dituri për çështjen në të cilën fton, duhet ta mësojë atë në mënyrë të denjë, duke u mbështetur në bazat e saja të qarta; në Kur'an dhe sunnet.

2. Sinqeriteti në thirrjen drejt Allahut

Thirrësi nuk mund t'i përfitojë zemrat e njerëzve, përveç nëse është i sinqertë në thirrjen e tij; kërkon me të kënaqësinë e Allahut e nuk ka për qëllim famë, pasuri apo pozitë ndër njerëz.

3. Të folurit çdo njeriu me atë që e kupton

Nga thirrësi kërkohet që të ketë urtësi gjatë thirrjes; të dijë t'i perceptojë natyrat dhe nevojat e njerëzve dhe ta kuptojë gjuhën dhe besimin e tyre.

Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

ادْعُ إِلِى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ta (me kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.

4. Butësia gjatë thirrjes

I Dërguari – sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem – i ftonte njerëzit me butësi, gjë që i bëri ata të shkojnë tek ai dhe ta dëgjojnë fjalën e tij, kështu që zemrat e tyre hapeshin ndaj tij. Allahu i Lartësuar bëri të qartë ndikimin e kësaj në përhapjen e davetit (thirrjes islame), duke thënë:

فَبِمَا رَحْمَةٍ مِّنَ اللّهِ لِنتَ لَهُمْ وَلَوْ كُنتَ فَظًّا غَلِيظَ الْقَلْبِ لاَنفَضُّواْ مِنْ حَوْلِكَ

Ti ishe i butë ndaj tyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, do të shkapërderdheshin prej teje.[5]

Thirrësi drejt Allahut duhet të jetë i butë me njerëzit, të sillet me ta butësisht dhe duhet patjetër të largohet nga ashpërsia dhe vrazhdësia, në mënyrë që të mos i irritojë ata dhe të mos i largojë nga thirrja e tij.

5. Të punuarit shkallë-shkallë në davet, me lehtësim dhe mençuri

Kjo nënkupton që njerëzit të mos thirren në zbatimin e dispozitave islame në mënyrë të përnjëhershme qysh në fillim, por duhet mësuar atyre Islamin pak nga pak. Pejgamberi –sal-lallahu alejhi ve sel-lem – kur i dërgoi Muadh ibnu Xhebelin dhe Ebu Musa el-Esh'ariun për në një vend, u tha atyre:

"Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos irritoni."[6]

6. Durimi dhe butësia

Thirrësi duhet t'i durojë mundimet e davetit dhe fatkeqësitë që e godasin gjatë kësaj rruge. Njëkohësisht, duhet të jetë i butë, të mos ngutet e të mos dëshpërohet. Po qe se nuk i përgjigjen thirrjes së tij dhe nuk e pranojnë atë, atëherë le t'i kujtojë durimin që bënte pejgamberi – sal-lallahu alejhi ve sel-lem ndaj lëndimeve që ia shkaktonin idhujtarët dhe këmbëngulësinë e vazhdimësinë e tij në këtë thirrje derisa drita e saj ndriçoi zemrat e tyre dhe Allahu i udhëzoi në Islam.

7. Përforcimi me tregime mbresëlënëse, me fjalë të urta dhe shembuj

Pasi që, tregimet dhe shembujt kanë ndikim të madh tek njerëzit dhe pasi që në Kur'anin famëlartë dhe në sunnet gjenden shumë tregime mbresëlënëse të periudhave të ndryshme dhe shembuj realë, thirrësi duhet të ketë një bagazh të mirë (me njohuri të tilla),  në të cilin mbështetet gjatë davetit.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Burimi: Pjesë nga libri "Et-Teuhid" – “Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe”, Universiteti "El-Imam", Riad

 


[1] Suretul-A'raf: 158

[2] Suretu Ali-Imran: 19

[3] Sahihu Muslim

[4] Devetë e kuqe ishin pasuria më e mirë e arabëve në atë kohë.

[5] Suretu Ali-Imran: 159

[6] Muttefekun alejhi


Revista Shembulli

04:26:57pm