Cila është vështirësia më e madhe?!

Vështirësia më e madhe që mund ti bie një njeriu në dynja është vdekja dhe ajo që vijon, nëse fundi i njeriut nuk është xheneti. Andaj besimtari duhet të përgatitet për vdekjen dhe atë që pason kur ka shëndet me devotshmëri dhe vepra të mira.

All-llahu, azze ve xhel-le, ka thënë:

يا أيها الذين آمنوا اتقوا الله ولتنظر نفس ما قدمت لغد واتقوا الله إن الله خبير بما تعملون ولا تكونوا كالذين نسوا الله فأنساهم أنفسهم أولئك هم الفاسقون

"O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë All-llahun, e s'ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni! E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit". (El-Hashr: 18- 19).

Ai që përmend All-llahun kur është i shëndoshë dhe në bollëk është përgatitur për takimin me All-llahun, azze ve xhel-le, është përgatitur për vdekjen dhe atë që pason. Atëherë All-llahu e përmend kur të është ngushtë dhe në vështirësi e është me te, me Butësinë, ndihmën, kujdesin dhe përforcimin e tij në Tevhid. Takohet me All-llahun, kurse All-llahu është i kënaqur me te. Kurse ai që e harron All-llahun kur ka shëndet dhe kur është në bollëk, ai nuk është përgaditur për takimin me All-llahun, andaj edhe All-llahu e harron në këto vështirësi që i biejnë mbi kokë. Domethënë e braktisë dhe e neglizhon.

Kur t'i vjen vdekja, besimtarit që është i përgatitur për te dhe ka mendim të mirë për Zotin e vet, atij i vijnë myzhde nga All-llahu, andaj edhe e dëshiron takimin me All-llahu, por edhe All-llahu e do takimin me te. Kurse e kundërta ndodh me njeriun e prishur. Në këto momente dhe çaste gëzohet besimtari me këtë myzhde që i vjen, kurse ai që s'ka punuar pendohet e thotë:

يا حسرتي على ما فرطت في جنب الله

"…O i mjeri unë që kam lënë mangët respektimin ndaj All-llahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!" (Ez-Zumer: 56).

Ebu Abdurahman Sulemiu para se të vdes ka thënë:

كيف لا أرجو ربي وقد صمت له ثمانين رمضان

"Si mos të kemë shpresë në Zotin tim, kur për Te kam agjëruar tetëdhjetë ramazane".

Ebu Bekër ibën Ajashi, rahimehull-llah, në prag të vdekjes i ka thënë djalit të tij:

أترى الله يضيع لأبيك أربعين سنة يختم القرآن كل ليلة

"A mendon se All-llahu ka për t'ia humbur babës tënde katërdhjetë vitet ku për çdo natë bënte hatme Kur'anin".

Adem ibnë Ijasi e bëri hatme Kur'anin në prag të vdekjes, pastaj tha:

بحبي لك ألا رفقت بي في هذا المصرع كنت آملك لهذا اليوم كنت أرجوك لا إله إلا الله

"Për dashurinë që kam pas ndaj Teje ji i Butë ndaj meje në këtë moment dhe në këto vështirësi. Kam pas shpresa të mëdha te Ti për këtë ditë, la ilahe il-lall-llah". Pastaj vdiq.

Kur i erdhi vdekja Zekerija ibën Adijut i ngriti duart e tha:

اللهم إني إليك لمشتاق

"All-llahu im, më ka marrë malli për ty".

Katadeja, rahimehull-llah, duke komentuar ajetin kuranor:

ومن يتق الله يجعل له مخرجا

"Ai që ka frikë All-llahun, ai atij i jep rrugëdalje". (Talakujtk: 2), thotë:

Rrugëdalje nga vështirësia gjatë vdekjes.

Kurse Ibën Abasi, radijall-llahu anhu, ka thënë:

I jep rrugëdalje nga çdo vështirësi në dynja dhe ahiret.

Zejd ibën Eslemi duke komentuar ajetin kuranor:

إن الذين قالوا ربنا الله ثم استقاموا تتنزل عليهم الملائكة أن لا تخافوا ولاتحزنوا

"E, s'ka dyshim se ata që thanë: "All-llahu është Zoti ynë", dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhenetin që u premtohej". (Fussilet: 30).

Kjo myzhde i vjen gjatë vdekjes, në varr dhe kur të ringjallet. Ai do të arrij në xhenet, mirëpo lezeti dhe gëzimi i kësaj myzhde nuk do të zhduket nga zemra e tij.

Thabit Bunaniu, rahimehull-llah, thotë:

Kemi mësuar se kur të ringjallet besimtari nga varri takohet me dy melaqe, të cilët kanë qenë me te në dynja e i thonë: mos ke frikë dhe mos u mërzit. Atëherë All-llahu e siguron nga frika dhe i jep kënaqësi. Në këtë ditë kur shumë njerëz alivanosen nga vështirësia e kësaj dite, besimtari është në kënaqësi i sigurt, për shkak të udhëzimit të All-llahut dhe veprave të tija të mira që i ka bërë në dynja. (Shiko: "Xhamiul-Ulumi Vel-Hikemi", 1/472- 477).

 

Bekir Halimi

mesoislamin.com


Revista Shembulli

02:21:01am