Përgatitja për vdekjen

Vdekja është caktim i pashmangshëm për të gjitha krijesat. Çdo kush që ka lindur, patjetër se do të vdesë. Allahu i Madhëruar ka thënë:

كُلُّ نَفْسٍ ذَآئِقَةُ الْمَوْتِ

Secili njeri do të shijojë vdekjen...” ( Ali Imran, 185)

Nga këtu ka qenë traditë e Pejgamberit, alejhi’s selam, që njerëzit t’i këshillojë me vdekje kohë pas kohe ngase ajo është shërim për shpirtrat e sëmurë.

أَكْثِرُوا ذِكْرَ هَاذِمِ اللَّذَّاتِ

Shpeshtoni përkujtimin e shkatërruesit të kënaqësive!”[1]

E motivi që më shtyri të shkruaj ca rreshta për përgatitjen për vdekjen vjen nga një lajm i pazakontë nga disa njerëz jomuslimanë. Në mediet elektronike[2] u publikua një lajm me titull “Provat finale për vdekje”, e që bënte fjalë për shtatëdhjetë koreanë të cilët ndoqën një trajnimin për kinse vdekje të mirë...

Ajo që më la përshtypje më shumë është se pa përfundimit të ceremonisë së rrejshme pjesëmarrësit u ndien mirë ngase nuk vdiqën përnjëmend. Qëndrimi në arkivolin e errët nuk ishte përvojë e mirë për ta...

Sigurisht se nuk ka qenë dhe nuk është përvojë e mirë qëndrimi në varr por është dhe do të jetë realitet. Çdokush do ta përjetojë këtë, e ata që kanë bërë mëkate do të kërkojnë prej Allahut të Madhëruar që t’i kthejë prapë në këtë botë, por, nuk do të kenë mundësi. Jeta nuk është lojë që humbet e fitohet. Allahu i Madhëruar thotë:

حَتَّى إِذَا جَاءَ أَحَدَهُمُ الْمَوْتُ قَالَ رَبِّ ارْجِعُونِ (99) لَعَلِّي أَعْمَلُ صَالِحًا فِيمَا تَرَكْتُ كَلَّا إِنَّهَا كَلِمَةٌ هُوَ قَائِلُهَا وَمِنْ وَرَائِهِمْ بَرْزَخٌ إِلَى يَوْمِ يُبْعَثُونَ

E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe, 100. Që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.”(El-Mu’minune, 99-100)

Do të kërkojë të kthehet, qoftë edhe për një çast, që të bëjë çfarëdo vepre të mirë qoftë, ngase vdekja kështu e ka: të rrëmben pa shikuar fare se ç’plane ke ti. Të merr ndoshta pa përgatitje, për të mos thënë se në të shumtën e rasteve kështu i gjen njerëzit.

Njeriu ndien këtë dëshpërim ngase vdekja e përcjell vetëm me tri gjëra, siç ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam, respektivisht shkon në varr i përcjellë nga tri gjëra: familja, pasuria dhe vepra. Dy të parat kthehen e mbetet vetëm vepra e tij.

Në hadith qëndron:

يَتْبَعُ الْمَيِّتَ ثَلَاثٌ فَيَرْجِعُ اثْنَانِ وَيَبْقَى وَاحِدٌ يَتْبَعُهُ أَهْلُهُ وَمَالُهُ وَعَمَلُهُ فَيَرْجِعُ أَهْلُهُ وَمَالُهُ وَيَبْقَى عَمَلُهُ

Të vdekurin e përcjellin tri gjëra, dy kthehen ndërsa një mbetet (me të); e përcjellin familja, pasuria dhe vepra e tij, kështu që familja dhe pasuria kthehen ndërsa mbetet me të vepra e tij.”[3]

Një njeri i mençur donte që familjes tua mësojë këtë të vërtetë, kështu që para se të vdiste, i kishte lënë gruas dy letra amanet, leximin e të cilave do ta bënte vetëm atëherë kur ai do të vdiste. Në fakt, e kishte porositur që letrën e parë ta lexonte me rastin e pastrimit të kufomës së tij ndërsa të dytën pasi që xhemati të jenë kthyer nga varrimi i tij. Gruaja ashtu veproi. E mori e lexoi letrën e parë ku shkruante: Kur të bëjë Hoxha të më lajë, atëherë të lutem m’i mbathë një palë çorape! Gruaja ashtu veproi por siç është rregulli, i vdekuri zhvishet, kështu që edhe këtij iu zbathën çorapet. Pas ceremonisë së varrimit, gruaja e lexoi edhe letrën e dytë, e që në fakt është edhe poenta e porosisë dhe mesazhit të tij. “Gruaja ime! Unë nuk kisha nevojë për çorape ngase e dija se nuk bën një gjë e tillë, por doja që juve të gjallëve tua bëj me dije se nga dynjaja nuk mund të merrni madje as një palë çorape, andaj kujdes me çka vini tek Zoti!”

Kështu, ne si besimtarë që besojmë jo vetëm në vdekjen por edhe në ringjalljen dhe daljen para Allahut të Madhëruar, a nuk jemi më meritorë se të tjerët për këtë përgatitje? Sa e sa herë kemi lexuar në Kur’an për vdekjen dhe detaje të saj? A nuk kemi mësuar se vdekjes, çfarëdo force e fuqie të kesh, nuk mund t’i ikësh? A nuk na kujtohet fare fjala e Allahut të Madhëruar:

قُلْ إِنَّ الْمَوْتَ الَّذِي تَفِرُّونَ مِنْهُ فَإِنَّهُ مُلَاقِيكُمْ ثُمَّ تُرَدُّونَ إِلَى عَالِمِ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ فَيُنَبِّئُكُمْ بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ

Thuaj: "S'ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t'ju zënë, e mandej do të silleni te Ai që e di të padukshmen dhe të dukshmen, dhe atëherë Ai do t'ju njoftojë me atë që keni punuar."(El-Xhumuah, 8)

Pra, jo vetëm që do të vdesim porse vdekja si një urëlidhëse ndërmjet jetës së kësaj dhe botës tjetër, do të na dërgojë para Allahut për të dhënë llogari. Mu për këtë Pejgamberi, alejhi’s selam kur shihte varrin rrëqethej dhe emocionohej ngase ia përkujtonte këtë, daljen para Allahut të Madhëruar, andaj edhe porosiste e këshillonte:

يا إخواني لمثل هذا فأعدوا

...O vëllezër! Për një gjë sikur ky (varri) përgatituni!”[4]

E se çfarë në të vërtetë e emociononte Pejgamberin, alejhi’s selam na rrëfen Uthmani, shoku dhe dhëndëri i tij, alejhi’s selam. Abdullah Ibn Behir transmeton nga Hani, shërbëtori i Uthmanit r.a. i cili ka thënë:

كَانَ عُثْمَانُ بْنُ عَفَّانَ إِذَا وَقَفَ عَلَى قَبْرٍ يَبْكِي حَتَّى يَبُلَّ لِحْيَتَهُ فَقِيلَ لَهُ تَذْكُرُ الْجَنَّةَ وَالنَّارَ وَلَا تَبْكِي وَتَبْكِي مِنْ هَذَا قَالَ إِنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ إِنَّ الْقَبْرَ أَوَّلُ مَنَازِلِ الْآخِرَةِ فَإِنْ نَجَا مِنْهُ فَمَا بَعْدَهُ أَيْسَرُ مِنْهُ وَإِنْ لَمْ يَنْجُ مِنْهُ فَمَا بَعْدَهُ أَشَدُّ مِنْهُ

Kur Uthman Ibn Affani qëndronte pranë ndonjë varri qante derisa edhe mjekra i lagej. Përkujton Xhennetin dhe Xhehennemin e nuk qanë ndërsa kur e sheh varrin qanë?! –e pyetën. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë –filloi të sqarojë Uthmani-: “Vërtetë, varri është shtëpia e parë e Ahiretit, nëse njeriu shpëton aty, atëherë çdo gjë që jen është më e lehtë, ndryshe çdo gjë që vjen është me e vështirë.”[5]

Kështu, bazuar në këto dhe botëkuptime tjera që muslimanët besojnë për vdekjen, përgatitja për vdekjen ka qenë traditë e kahershme. Reb’i Ibn Huthejmi, një burrë i madh nga gjeneratat e para islame, ishte njeri prej tyre, qe here pas here hynte ne një varr qe e kishte hapur në shtëpi. Kur shihte atë errësirën, ngushtësinë, trishtimin, thërriste me zë: Me kthe! Më kthe prapë që të bëj vepra të mira! Vinte gruaja ose djemtë dhe e nxirrnin nga varri. Por një ditë thirri e nuk e dëgjoi askush kështu që iu përkujtua dita kur thërret e nuk i dëgjohet zëri fare andaj qau dhe i foli vetes: Përgatitu për ditën kur do të thërrasësh e nuk do te dëgjohet zëri!

Andaj, le të mos na i përkujtojnë traditat tona të tjerët, le të mos na e përkujtojnë vdekjen të tjerët, le të mos jenë shembull për përgatitjen për vdekjen të tjerët, por të jemi ne! Le të punojmë që në momentet e ndarjes nga bota të mos kërkojmë kthimin por përshpejtimin, le të punojmë që ngushtësia e varrit të na zgjerohet, vetmia e tij të na largohet, ndërsa trishtimi i tij të mos na kaplojë fare!

O Zoti ynë! Ne të lusim që të na vdesësh si muslimanë dhe të na shoqërosh me të sinqertit dhe vepërmirët!


Sedat ISLAMI



[1] Transmetojnë Tirmidhiu ndërsa Albani e ka klasifikuar për hasen sahih.

[2] http://www.telegrafi.com/?id=10&a=4650

[3] Transmetim unanim.

[4] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani në Sahihu-t-Tergibi ve-t-Terhibi e ka cilësuar hasen.

[5] Transmeton Ibni Maxheh (4257) ndërsa Albani e ka klasifikuar hasen -të mirë.


Revista Shembulli

10:06:13am