Çka pas festave!?

Të prirur nga urdhri i ajetit kur’anor: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijatë, 56) njerëzit që besojnë në Allahun nxitojnë në vepra që ta finalizojnë këtë qëllim. Koha ka vlerë të madhe në jetën e tyre. Ata e shfrytëzojnë kohën në ibadete dhe në përfitim nga dituria dhe vlera e të Dërguarit alejhi selam.

Tek besimtarët besimi ka më vlerë se sa pasuria, familja dhe fëmija. Kur u jepet rasti të zgjedhin mes vendit, farefisit, jetës komode, jetës së vështirë, kurbetit dhe ikjes, ata zgjedhin jetën islame dhe pasimin e rrugës së të Dërguarit alejhi selam. Tërë këtë e bëjnë gjatë gjithë jetës dhe e shtojnë edhe më aktivitetin e tyre gjatë sezoneve, të cilat edhe vetë Allahu i ka dalluar me vlera e ibadete si koha e Ramazanit, koha e Haxhit, etj.

Për këtë me plotë të drejtë Allahu ka caktuar festat islame në fund të ibadeteve të mëdha si shenjë e kurorëzimit të këtyre ibadeteve dhe simbolikë e falënderimit dhe mirënjohjes ndaj Allahut.
Festa këto, në të cilat shprehet ngjyra spirituale e shpirtit të zgjuar dhe flakërues. Dëgjohet fuqishëm zëri i besimtarëve, i cili përhapet nëpër rrugë, në gjuhën e njerëzve që shkojnë në namaz të bajramit, një nga një ose grupe-grupe, në gjuhën e njerëzve në xhami, duke u falur ose duke pritur namazin, në gjuhën e njerëzve në shtëpi, pasi kanë falur namazet, ditëve të teshrikut (ditët pas Kurban Bajramit), në Mine gjatë hedhjes së gurëve, në gjuhën e haxhilerëve etj. Zë, i cili shpërthen shpirtin dhe i jep nisje gëzimit dhe haresë për plotësimin e udhëtimit të rëndë dhe të suksesshëm, udhëtimit të agjërimit ose haxhit. Është simbol i ngadhënjimit shpirtëror në përvojën e kaluar dhe vendosmëri për të vazhduar në këtë ngadhënjim shpirtëror në përvojat e ardhme, ky zë është:

“Allahu ekber Allahu ekber, la ilahe il-lall-llah Allahu ekber, Allahu ekber ve lil-lahil hamd!”

Ky element shpirtëror dhe entuziazist kërkohet nga ne që ta shfaqim në pamjen e zbukurimit dhe bukurisë, në atmosferën e kënaqësisë dhe komoditetit trupor, duke mos bërë harxhim të tepruar, i cili e shëmton plotësinë e tij dhe e shndërron në të kundërtën e vet. Po, në këto ditë nuk ka as agjërim e as privim nga të mirat dhe të këndshmet. Në Kur’an thuhet:

“Hani e pini shijshëm (në Xhenet), sepse në ditët e kaluara (në dynja) ju e përgatitët këtë.” (Hakka, 24)
Në festat islame takohet shpirtërorja e lartë dhe materialja e dobishme, e bukura dhe e pastra. Islami nuk është mjaftuar në festat e veta vetëm me këto dy elemente, por e ka përforcuar edhe me një element të tretë, i cili është më i dashuri, e ai është domethënia shoqërore e humanitare, që i bën njerëzit si një trup i vetëm. Ky element nuk shfaqet vetëm me simbole dhe ndjenja, jo vetëm me pamjen e tubimit madhështor në namaz, jo vetëm me takimet miqësore dhe vëllazërore, jo vetëm me këto buzëqeshje, me të cilat i takon muslimani vëllezërit e tij gjatë Bajramit, por shfaqet edhe me një domethënie më të madhe. Kjo është pjesëmarrja me ndihmë ekonomike, të cilën e ka caktuar ligji islam mes anëtarëve të kësaj shoqërie, për t’ua lehtësuar nevojtarëve vështirësitë ekonomike që të mos lypin, të paktën, në këto ditë. Ky është Zekatul-Fitri gjatë Fitër Bajramit dhe Kurbani në ditën e Kurban Bajramit.

Të nderuar vëllezër e motra!

Ky manifestim festiv, i cili simbolizon përfundimin e një ibadeti, i ngjan jetës së një njeriu, ditët e të cilit pakësohen, ashtu siç na pakësohet edhe ne jeta, ashtu siç shkurtohet koha me kalimin e viteve e dekadave. Allahu i Madhëruar thotë:

“Çdo gjë që është në të (në tokë) është e zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i madhëruar e i nderuar!” (Rrahman, 26-27)

Secilës krijesë i përfundon jeta e saj dhe shkon atje ku e ka caktuar Allahu, pra ndryshe nga njeriu, i cili, edhe pas vdekjes dhe udhëtimit nga kjo botë, do të ndalet për të dhënë llogari dhe për t’u shpërblyer.

Vëlla dhe motër!

Kalojnë sekondat, minutat, ditët, javët, muajt e vitet. Vallë sa punë të mira kemi bërë në këto ditë, vepra të cilat do t’i deponojmë për atë ditë, kur nga frika e dënimit të tmerrshëm, gruaja shtatzënë do ta hedhë foshnjën e saj, foshnja do të thinjet, kurse njerëzit do të duken si të dehur edhe pse s’do të jenë të tillë. A thua a e kemi atë zell të adhurimeve dhe punëve të mira edhe pas festave apo ngel kjo vetëm në Ramazan e Haxh, apo e harrojmë këtë dhe bëhemi tjetërkush pas tyre?!

Përgjigjja e kësaj pyetjeje me të vërtetë është shumë e turpshme. Mirëpo, doemos duhet pranuar realiteti.

Secili prej nesh del në mëngjes dhe e kalon ditën në shkollë, universitet ose në punë të tij. Në fund të ditës kthehet në shtëpi i lodhur, ha drekën, pushon pak dhe pastaj pjesën e mbetur të ditës dhe fillimin e natës e kalon ose në mësim, ose në kryerjen e obligimeve jetësore, ose... Pastaj fle. Të nesërmen në mëngjes fillon të njëjtën gjë. E kështu me radhë.

Jetë, ku s’ka minuta të veçuara për të lexuar Kur’an, për të mësuar rregullat e fesë sonë, nuk ka minuta për namaz nate ose për faljen e suneteve, nuk ka minuta për të marrë pjesë në mexhlise të përkujtimit dhe ligjëratave. Nuk ka ditë për agjërimin e së hënës dhe së enjtes. Nuk ka ditë për të bërë mirë dhe për t’u kryer nevojat njerëzve.

Vëlla i dashur, motër e dashur!

Allahu thotë: “Adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja).” (Hixhr, 99)
që na jep të kuptojmë se adhurimi, me të cilin jemi të obliguar nuk ka kohë të veçantë, në të cilën duhet të bëhet e pastaj të lihet e të harrohet, nuk është ibadeti i përkufizuar vetëm në kohën e Ramazanit dhe të Haxhit. Por, obligohemi ta bëjmë atë në çdo kohë dhe vend me të gjitha format e saj pa marrë parasysh rrethanat.

Dynjaja po na mashtron dhe po na largon nga ibadeti ndaj Allahut, kurse ne jemi ata, të cilët Allahu na e ka tërhequr vëmendjen prej saj, duke thënë:

“O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej adhurimit të Allahut, e kush bën ashtu, këta janë më të humburit. Dhe jepni nga ajo që Ne ju kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja dhe të thotë: “O Zoti im, përse nuk ma shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!” Por, atij që i vjen afati i vet, Allahu nuk e shtyn për më vonë. Allahu e di shumë mirë punën që ju bëni” (Munafikunë, 9-11)

Ibën Umeri radijallahu anhu thoshte:

“Kur të ngrysësh në mbrëmje, mos e prit mëngjesin dhe kur të gdhish në mëngjes, mos e prit mbrëmjen. Merr nga shëndeti për ditët e sëmundjes tënde dhe nga jeta për ditët e pasvdekjes tënde.” (Transmeton Buhariu)

I Dërguari alejhi selam thotë:

“Ditën e Kijametit nuk do të lëvizin këmbët e njeriut, derisa të pyetet për katër gjëra: Për jetën ku e ka harxhuar; për rininë ku e ka shfrytëzuar; për pasurinë ku e ka fituar dhe ku e ka harxhuar; dhe për diturinë e tij, si ka vepruar me të.” (Transmeton Tirmidhiu, hadithi është sahih)
Mbreti i Ditës së Sundimit do të na pyesë për jetën tonë, e kemi harxhuar në vepra të mira dhe ibadete, apo e kemi harxhuar në lojëra, pakujdesi dhe në vepra pa vlerë. Do të na pyesë për trupin tonë, nëse e kemi shfrytëzuar në agjërim, namaz, ulje shikimi, mbrojtje të veshëve dhe gjuhës nga të ndaluarat, apo i kemi shfrytëzuar në përdorimin e çdo gjëje të këndshme. Ky Pyetës, i di të fshehtat tona, asgjë s’mund t’i ikë, as në tokë e as në qiell.

Kështu që për ta realizuar ligjin e Allahut ashtu si duhet le t’i përmbahemi fjalës së Tij ku thotë:
“O ju që besuat, hyni në Islamin e tërësishëm (përqafoni Fenë Islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armiku juaj i hapur.” (Bekare, 208)

Të pendohemi për gabimet sa nuk është bërë vonë, i Dërguari alejhi selam thotë:
“Pendimi nuk ndalet gjersa të dalë dielli nga perëndimi.” (Transmeton Ebu Davudi, hadithi është sahih)
e të bëhemi prej besimtarëve të sinqertë, siç thotë edhe i Dërguari alejhi selam në Haxhin Lamtumirës:
“A t’ju tregoj për besimtarin? - Besimtar është ai, ndaj të cilit njerëzit janë të sigurt për veten dhe pasurinë e tyre. A t’ju tregoj për muslimanin? - Ai, nga dora dhe gjuha e të cilit janë të shpëtuar muslimanët. A t’ju tregoj për luftëtarin (muxhahidin)? - Ai që lufton me vetveten për t’iu bindur urdhrave të Allahut. A t’ju tregoj për të shpërngulurin (muhaxhirin)? – Ai që largohet, shpërngulet, nga gabimet dhe mëkatet.” (Transmeton Ahmedi, hadithi është sahih.)
Andaj të nderuar lexues, duhet t’i përmbahemi Islamit në tërësi në tërë kohën duke e konfirmuar jetën tonë në çdo segment me Sunetin e të Dërguarit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e jo vetëm gjatë Ramazanit apo Haxhit, por gjithsesi gjatë tërë jetës!!!

Paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin, mbi familjen, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë me sinqeritet Rrugën e të Dërguarit deri në Kijamet.

Shkruar nga: Bahri Curri


Revista Shembulli

04:28:31pm