Vlera e dhjetëditëshit të Dhul-hixhes

Ky dhjetëditësh nuk është si një dhjetëshe e zakontë, por përfshin dhe përmbledh në vetvete dhjetë merita dhe cilësi të larta.

E para: Allahu i Lartësuar betohet për dhjetëshen e këtij muaji dhe thotë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul-hixhe)! Betohem për çiftin dhe tekun dhe për natën kur largohet! A nuk janë këto betime të mëdha për njerëzit e mençur?!” (Fexhër, 1-5)

E dyta: Këto ditë i ka quajtur “ditët e caktuara” duke thënë: “...dhe të përmendin emrin e Allahut në ditët e caktuara.” (Haxh: 28)

E treta: Muhamedi salallahu alejhi ve selem dëshmoi për to se janë ditët më me vlerë të dynjasë. Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem: “Ditët më të vlefshme të dynjasë janë dhjetë ditët (e Dhul-hixhes).” (Sahihul-xhami”, Albani e vlerëson të saktë)

Gjithashtu, Muhamedi salallahu alejhi ve selem thotë: “Nuk ka ditë që vepra të jetë më madhështore dhe më e dashur tek Allahu sesa këto dhjetë ditë, prandaj shqiptoni sa më shumë tehlil (La ilahe il-lAllah), tekbir (Allahu ekber) dhe tahmid (El-hamdu lil-lah).” (Shënon Ahmedi)

E katërta: Muhamedi salallahu alejhi ve selem porosit për veprime të hajrit në këto ditë.

E pesta: Muhamedi salallahu alejhi ve selem urdhëroi që në këto ditë të madhërohet Allahu dhe të falënderohet.

E gjashta: Në këto ditë gjendet dita e tervijes.

E shtata: Gjatë këtyre ditëve është edhe dita e Arafatit, agjërimi i së cilës fshin gjynahet e dy viteve.

E teta: Të mirat e këtyre ditëve shumëfishohen. Disa prej selefit kanë thënë: “Nuk ka ditë më të dashura për Allahun sesa adhurimi (ibadeti) për Të gjatë këtyre dhjetë ditëve të Dhul-hixhes, kur çdo ditë është e barabartë me një vit agjërim, falja për çdo natë e namazit të natës është si namazi në Natën e Kadrit.”

Ibni Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur më të, ka thënë: “Nuk ka ditë që vepra të jetë më e dashur për Allahun sesa këto dhjetë ditë, prandaj shpeshtoni sa më shumë “La ilahe il-lAllah”, “Allahu ekber” dhe “El-hamdu lil-lah”. Një ditë agjërimi në këto dhjetë ditë është e barabartë me një vit agjërim dhe veprat në këto ditë shumëfishohen deri në shtatëqind fish.”

Enes bin Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Për dhjetëshen e Dhul-hixhes është thënë se çdo ditë ka vlerën e një mijë ditëve, dita e Arafatit të dhjetë mijë ditëve.” (Shënon Bejhekiu, Asfahaniu, Mundhiriu dhe thotë se isnadi i Bejhekiut bën.)

Imam Evzaiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Më ka ardhur lajmi se puna në njërën prej dhjetë ditëve është si vlera e luftës në rrugën e Allahut, kur agjërimi bëhet ditën e roja natën.”
Hasan el-Basriu ka thënë: “Agjërimi i një dite nga kjo dhjetëshe barazohet me dy muaj.”

E nënta: Në këtë dhjetëshe është haxhi.

E dhjeta: Është dita e Bajramit, ndër ditët më me vlerë. Muhamedi salallahu alejhi ve selem thotë: “Dita më e vlefshme tek Allahu është dita e Bajramit e pastaj dita që vjen pas saj.” (Shënon Ebu Davudi, Albani e vlerëson sahih.)

Muhamed Husejn Jakub 


Revista Shembulli

03:40:26pm