Hyr në garë vetëm me të mirën e për të mirën

Jeta dhe njeriu janë në garë, ndoshta e vetmja garë ku fitorja e njërit nuk është humbje e tjetrit… Njeriu është i lirë të bëjë çfarë të dojë, sipas asaj që po e quajnë demokraci, por liria e pamend dhe jashtë të mirës, kurrë nuk i sjellë të mira, por edhe nuk e dëmton tjetrin siç edhe niset në ato synime. E keqja e secilit i takon vetëm atij që bën keq, assesi tjetrit, dhe padyshim se pre e djallëzimeve do të bie vetëm ai/ajo që ka pranuar të jetë i involvuar në të keqen. Zoti, të tillëve iu drejtohet duke ju thënë:

“Ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar?” (Infitar, 6)

Ndryshe ndodh kur në garë hyjnë varfëria dhe dhimbja. Varfëria është kusht me të cilën njerëzit jo medoemos lindin, por e mira është se mësohen, por s’do të thotë që për shkak të varfërisë të lejohet të bëhen fëlliqësira dhe vepra degjeneruese të cilat një ditë do të dëshmojnë kundër kryesit të tyre. Për këtë kemi versetin i cili thotë:

"Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen Ditën e Llogarisë. Kush i shmanget zjarrit e futet në Xhenet, ai është fitimtari. E jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues." (Ali Imran, 185)

A ka njerëz të lumtur? Shumë pretendojnë se janë… Por si çdo gjë, edhe veprat duan kohë edhe pasi ato janë bërë, para se të shihen, dëgjohen e vlerësohen…

"Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim e mashtrim. S'ka dyshim se bota tjetër është më e dobishmja për ata që ruhen. A nuk e përdorni mendjen?" (En'am, 32)

Të gjithë ankohen. Rrallë një person i vetëm dihet të ketë pranuar se problemi i tij është më i lehtë se ç'është në të vërtetë. Ekzagjerimi edhe në mes më të duruarve, është si qilimi fluturues ku askush nuk ka hipur, të gjithë ëndërrojnë - por ndeshen me të njëjtin zhgënjim dhe s'ndalen së zemëruari. Askush nuk duhet të mbytet në hallet e veta dhe as të shihet gjithë kohën në pasqyrë. Edhe më i padituri, nëse thotë a bën atë që i takon, nuk do që të pengohet nga natyra e tij për të menduar qartë rreth gjendjes ku ndodhet. Por neve na tërhiqet vërejta nga Zoti ynë duke na u thënë:
 
"O ju njerëz, kini kujdes ndaj Zotit tuaj dhe kini frikë ditës kur prindi nuk mund t'i bëjë dobi fëmijës së vet, e as fëmija nuk mund t'i bëjë dobi asnjë send prindit të vet. Premtimi i Allahut është i vërtetë, pra të mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë ndaj Allahut djalli mashtrues." (Lukman, 33)

Institucioni është qendër që njeh çdo njeri dhe jo anasjelltas. Prandaj bota s’ka qenë e s’do të jetë kurrë në paqe - respekti shihet si borxh dhe jo diçka që duhet fituar, e mira merret për dobësi, dashuria shpërdorohet dhe njerëz të ndryshëm që s'duhet kurrsesi të jenë bashkë afrohen për të 'larë hesape'. E nëse mendohet se “larja e hesapeve” mund të bëhet përmes fëlliqësirave e punëve të pista amorale siç ndodhi në Prishtinë më 14.12.2012 në mënyrë të organizuar nga të pandërgjegjshmit dhe injorantët, kjo veçse tregon një luftë edukatash e moralesh në mes të moralshmëve dhe të pamoralshmëve, por Zoti na e tërheqë vërejtjen duke na thënë dhe duke na premtuar se:

 "Atyre që nuk besuan, u është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe bëjnë tallje me ata që besuan. Por të devotshmit janë mbi ta në ditën e kiametit. Allahu e furnizon pa masë atë që do." (Bekare, 212)

Bota është hapësirë me njeriun fillimisht pjesë e saj, thuajse i padukshëm, pa ndikim - si çdo specie tjetër. Zhvillimet e afruan këtë botë, e bënë të vogël - me një kompjuter, internet, IPhone, IPad -njeriu e mban atë në dorën e tij. Bota që dikur e përfshinte, tani përfshihet brenda njeriut të vogël të fryrë, euforik dhe si i dehuri harron se helmohet, qesh,qan dhe vetëm botën e tij sheh, të tjerët donë t’i sfidojë për të këqijat që i ndodhin dhe nuk zgjedh mënyrën e duhur kundërshtuese për ta shpalosur pakënaqësinë e tyre për mos pasjen e një jete të mirë, komode e harmoni në jetën e tij duke krijuar një familje të shëndoshë dhe në suaza të rrugëve të shëndosha, dhe harron se këto sjellje të tij do t’ia zënë frymën më keq sesa të futet në një qese najloni dhe do të plasë dalëngadalë pa i dalë askush në ndihmë, madje as ata/ato që i thirrën në imoralitet e vepra të tilla të pista, sepse nuk deshi të dëgjojë thirrësin i cili thërriste me dëshmi të gjallë:

"Hiqu atyre që e marrin fenë për lojë e dëfrim dhe i ka mashtruar jeta e kësaj bote!..." (En'am, 70)

"I pat mashtruar ata jeta e kësaj bote dhe ashtu (të detyruar) dëshmuan kundër vetvetes se me të vërtetë e refuzonin (të vërtetën)." (En'am, 130)

Përderisa e keqja nuk paska fund, edhe e mira është në pafundësi, ajo jeton në këtë botë por vazhdon edhe në botën tjetër, andaj kurrë nuk bëhet vonë që njeriu të vetëdijesohet dhe të këndellet nga dehja e së keqes dhe ta udhëzojë veten në të mirën e në të mbarën, ngase përjetimet e të shëmtuarës i përjeton në të dy botët vetë ai/ajo që i bën, sikurse që i përjetojnë të mirat punëmirët…

Zoti po këshillon duke na thënë: 

"…Por jobesimtarët janë të gëzuar me jetën e kësaj bote. E jeta e kësaj bote ndaj botës tjetër nuk është tjetër vetëm se një përjetim i shkurtër." (Rra'd, 26)

Por, nëse njeriu do që të pendohet, do që ta përmirësojë veten e tij dhe të shpëtojë nga dënimi në të dy botët, edhe për këtë Zoti ka premtuar dhe thotë në Kuran:

“Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (Ahzab:35)
 

Valbona Kelmendi


Revista Shembulli

01:28:35am