Nëse e dëshiron ndihmën e Allahut, fale namazin dhe ji i durueshëm

Ajet kuranor

Allahu i Madhërishëm thotë:

﴿وَاسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلَاةِ وَإِنَّهَا لَكَبِيرَةٌ إِلَّا عَلَى الْخَاشِعِينَ٤٥ الَّذِينَ يَظُنُّونَ أَنَّهُمْ مُلَاقُو رَبِّهِمْ وَأَنَّهُمْ إِلَيْهِ رَاجِعُونَ٤٦﴾

"Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të përulurit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai." (Kurani, 2:45-46)

Thënie profetike

Muadh ibn Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të!, ka treguar se ka thënë:

“O i Dërguari i Allahut! Më trego një punë që më çon në Xhenet dhe që më largon nga Zjarri!” Ai tha: "Vërtet ke kërkuar një çështje të madhe, që është e lehtë vetëm për atë të cilit Allahu ia lehtëson: ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar asgjë në adhurim, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta kryesh haxhillëkun."

[E shënon Tirmidhiu.]

Urtësi

Merueziu thoshte: "Madhërojeni namazin, të cilin e ka madhëruar Allahu i Madhërishëm."

Nuk mund të falem, se jam i sëmurë (!)

Allahu nuk e ka liruar nga moskryerja e namazit as të sëmurin, as udhëtarin, madje as atë që lufton në rrugën e Tij. Në rast se ndokush nuk mund të falet në këmbë, atëherë duhet të falet ulur, e, nëse nuk mundet as ulur, atëherë falet shtrirë, por në asnjë rrethanë nuk lirohet nga namazi. Vetëm i çmenduri nuk e ka për detyrë të falet.

Këshillë

Nëse e dëshiron ndihmën e Allahut, fale namazin dhe ji i durueshëm! Kështu arrihet fitorja e vërtetë!


Përgatiti: Hoxhë Jusuf Kastrati


Revista Shembulli

04:08:14pm