Merr avdes, shko në xhami dhe falu duke qenë i përulur

Ajet kuranor

Allahu i Madhërishëm thotë:

﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا ارْكَعُوا وَاسْجُدُوا وَاعْبُدُوا رَبَّكُمْ وَافْعَلُوا الْخَيْرَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ ٧٧﴾

"O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin!" (Kurani, 22:77)

Thënie profetike

I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, ka thënë:

"Sa herë që një musliman e zë ndonjë namaz i detyrueshëm dhe merr avdes si duhet, përulet në namaz dhe bën rukutë në mënyrë të denjë, atij i falen mëkatet e mëparshme, nëse ruhet nga mëkatet e mëdha. Kjo vlen përgjithmonë."

[E shënon Muslimi.]

Urtësi

Ibn Ashuri, lidhur me ajetin e mësipërm, ka thënë: "Këtu, me ruku (përkulje) dhe sexhde, është për qëllim namazi. Allahu ka veçuar rukunë dhe sexhden nga veprat e tjera të namazit sepse janë shtyllat kryesore të namazit, ngaqë përmes tyre shfaqet më së shumti përulësia dhe adhurimi."

Përtoj të marr avdes, prandaj s'falem (!)

Avdesi freskon trupin dhe shpirtin, sjell shpërblime të mëdha dhe shlyen mëkatet. Ai që përsiat mirësitë e tij, asnjëherë nuk përton të marrë avdes.

Këshillë

Merr avdes si duhet, shko në xhami dhe fale namazin duke qenë i përulur!


Përgatiti: Hoxhë Jusuf Kastrati


Revista Shembulli

03:39:00pm