Fale namazin, që është nur, e mos rri në terr

Ajet kuranor

Allahu i Madhërishëm thotë:

﴾ فَخَلَفَ مِنْ بَعْدِهِمْ خَلْفٌ أَضَاعُوا الصَّلَاةَ وَاتَّبَعُوا الشَّهَوَاتِ  فَسَوْفَ يَلْقَوْنَ غَيًّا٥٩ إِلَّا مَنْ تَابَ وَآمَنَ وَعَمِلَ صَالِحًا فَأُولَئِكَ يَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ وَلَا يُظْلَمُونَ شَيْئًا٦٠ ﴿

“Pas tyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh, përveç atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë punë të mirë. Këta do të hyjnë në Xhenet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie.” (Kurani, 19:59-60)

Thënie profetike

I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, ka thënë:

"Për atë që e ruan (kujdeset për) namazin, ai do të jetë dritë, argument dhe shpëtim në Ditën e Gjykimit. Ndërkaq, për atë që nuk e ruan, nuk do të jetë as dritë, as argument, as shpëtim në Ditën e Gjykimit, ndaj do të ringjallet me Faraonin, Karunin, Hamanin e Ubej ibn Halefin."

[E shënojnë Ahmedi, Ibn Hibani dhe Bejhakiu.]

Urtësi

Ibn Kethiri ka thënë: "Ata që i humbin (braktisin) namazet, obligimet e tjera fetare i humbin edhe më lehtë, sepse namazi është shtylla e fesë dhe puna më e mirë që e bëjnë njerëzit."

Nëse falem, thellohem në fe (!)

Nuk ka asgjë të keqe nëse njeriu thellohet në fe, sepse feja në të vërtetë është sistem jete. Islami nuk kërkon nga ne t’i përkushtohemi vetëm adhurimit e të shmangemi nga kënaqësitë e kësaj bote dhe t'i lëmë anash obligimet që kemi ndaj familjes, shoqërisë, e kështu me radhë. Madje, një gjë e tillë është e ndaluar dhe e përbuzur në Islam.

Këshillë

I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, ka thënë: "Namazi është dritë." Prandaj, o ti që nuk i kushton rëndësi namazit, fale namazin, e mos rri në terr!


Përgatiti: Hoxhë Jusuf Kastrati


05:00:11pm