Kushdo që lexon për jetën e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, mahnitet nga sjellja e tij e mrekullueshme ndaj të gjitha shtresave të shoqërisë në përgjithësi dhe ndaj familjes së tij në veçanti.

Mjafton si vërtetim i kësaj lavdërimi që ia bëri Zoti në Kur’an, kur tha: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali.”(Kur’an: 68:4)

Ndërsa, Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Morali i të Dërguarit të Allahut ishte Kur’ani.”[1]

Në vijim do t’jua paraqesim disa shembuj përkitazi me sjelljen e Pejgamberit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ndaj familjes së tij.

Sjellja e të Dërguarit ndaj grave të tij

Jeta e të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në shtëpinë e tij dhe në mesin e grave të tij ishte shembulli më i mirë për dashuri, dhembshuri, thjeshtësi, për ndihmesë dhe për fjalë të ëmbla e jo të hidhura e rënduese. Ai thoshte: “Më i miri ndër ju është ai që është më i mirë ndaj familjes së vet, ndërsa unë jam më i miri ndaj familjes sime.”[2]

Kur studiojmë Kur’anin dhe Sunetin shohim se si ka qenë i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në shtëpinë e tij, gjegjësisht me gratë e tij.

El-Esuedi thotë se e ka pyetur Aishen , Allahu qoftë i kënaqur me të, se çfarë vepronte i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në shtëpinë e tij, ndërsa ajo i është përgjigjur: “Ishte gjithnjë në shërbim të familjes, ndërsa kur vinte koha e namazit dilte për tu falur.”[3]

Urveja transmeton nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ajo është pyetur se ç’bënte i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në shtëpinë e tij. Ajo i është përgjigjur: “Ai qepte rrobat e veta, ndreqte nallanet dhe i bënte punët që i bëjnë burrat në shtëpitë e tyre.”[4]

Amreja transmeton nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, gjithashtu se ajo është pyetur se cila ishte puna e të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në shtëpinë e tij. Ajo ishte përgjigjur: “Ishte vetëm një njeri sikurse të tjerët, arnonte rrobat e veta, milte dhinë dhe i shërbente vetes.”[5]

Gjithashtu, përcillet se Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Njëherë, përderisa isha me të përmuajshmet, fillova të pija, pastaj ia dhashë (gotën) të pinte të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, kurse ai vendosi gojën mu në vendin që kisha pirë unë dhe filloi të pinte, mandej nisa të ha një copë mishi e pastaj ia dhashë të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e ai e vendosi gojën e tij në vendin që kisha ngrënë unë.”[6]

I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ishte aq i thjeshtë, saqë bënte gara me gruan e tij, siç përcillet nga nëna e besimtarëve, Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të) e cila ka thënë: “Dola me të Dërguarin e Allahut në disa udhëtime të tij. Në atë kohë isha e re dhe truphollë. Ai i urdhëroi njerëzit ta vazhdonin rrugën, kurse mua më tha: “Eja të garojmë!” Garova me të dhe fitova. Nuk ma përmendi këtë gjë për një kohë të gjatë, derisa u plotësova në trup dhe e harrova atë (garën). Kur dola me të një herë tjetër në disa udhëtime të tij, ai sërish u tha njerëzve ta vazhdonin rrugën. Pasi u larguan njerëzit, më tha: “Eja të garojmë!” Garova me të, mirëpo kësaj here ai u tregua ngadhënjimtar. Atëherë filloi të qeshte dhe thoshte: “Një me një”.[7]

Madje, ka ndodhur që ndonjëherë Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ta ngre zërin ndaj të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të. Kështu që, transmetohet nga Nu’man ibën Beshiri se ka thënë: “Një ditë prej ditësh Ebu Bekri erdhi në shtëpinë e Pejgamberit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, dhe kërkoi leje për të hyrë. Mirëpo, në atë çast dëgjoi se Aisheja kishte ngritur zërin mbi të Dërguarin e Allahut paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të. Kur iu dha leja hyri, e kapi Aishen dhe i tha: “Oj bija ime! A mbi të Dërguarin e Allahut po e ngrit zërin?!” Transmetuesi tha: “Atëherë, i Dërguari i Allahut ndërhyri mes tyre. Kur doli Ebu Bekri, i Dërguari i Allahut filloi t’i thoshte asaj për ta pajtuar: “A nuk e sheh që unë ndërhyra mes teje dhe atij (a nuk e sheh që të shpëtova)?!” Pastaj, Ebu Bekri u kthye dhe kërkoi leje për të hyrë, mirëpo e gjeti të Dërguarin e Allahut duke e bërë Aishen të qeshë . Kur iu dha leja dhe hyri tha: “O i Dërguar i Allahut ma mundësoni të marrë pjesë në paqen tuaj, siç më bëtë të marrë pjesë në luftën tuaj!”[8]

Ndërsa, Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, në hadithin e tij për Safijen, ka thënë: “E kam parë të Dërguarin, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, se si e mbulonte atë (Safijen) me një mbulesë, mandej ulej te deveja e tij duke vendosur gjurin, pastaj Safija vendoste këmbën e saj mbi gjurin e tij, në mënyrë që të hipte.”[9]

Kurse, Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Një ditë ia solla të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, një lloj gjelle me mish dhe miell, të cilën e përgatita për të. Atëherë i thashë Seudes: “Ha dhe ti!”, mirëpo ajo kundërshtoi. Kurse, Pejgamberi paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ishte ulur mes meje dhe asaj. Unë i thashë asaj: “O do të hash, o do të ta përlyej fytyrën.” Mirëpo, ajo sërish nuk pranoi. Atëherë, unë futa dorën në gjellë dhe ia përleva me të fytyrën. I Dërguari filloi të qeshë dhe mori (gjellë) me dorën e tij për Seuden dhe i tha asaj: “Përlyeja edhe ti fytyrën asaj!” dhe vazhdoi të qeshte.”[10]

 

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: "Dhulmu-elmer'eh" - Muhammed El-Hebdan

 




[1] Muslimi (746)

[2] E transmetojnë Tirmidhiu (3895), Ibnu Maxheja (1977) dhe Darimiu në “Sunenin” e tij (2260).

[3] Transmeton Buhariu (676).

[4] E transmetojnë Ahmedi (6/121), Ibnu Hibbani (12/490/5677) i cii e cilëson si sahih dhe Ebu Ja’la në “Musnedin” e tij (8/287/4876).

[5] E transmetojnë Tirmidhiu në “Esh-shemail” (293), Ibnu Hibbani në “Sahihun” e tij (2136), Ebu Ja’la në “Musnedin” e tij (3873), ndërsa Dhehebiu në “Es-Sijer” (7/158) thotë: “Ky hadith ka isnadin e shëndoshë.”

[6] Transmeton Muslimi (300).

[7] E transmetojnë Ahmedi në “Musnedin” e tij (6/264) dhe Ebu Davudi (2578), ndërsa e ka cilësuar si hadith të shëndoshë El-Iraki në “Takhrixh el-ihjai” (2/40) dhe Albani në “Adab ez-zifaf” (fq. 276).

[8] E transmetojnë Ahmedi në “Musnedin” e tij (4/272) dhe Ebu Davudi (4999).

[9] Transmeton Buhariu (4211).

[10] Është përmendur në “Mexhme’ ez-zeuaid” (4/315), dhe e ka transmetuar Ebu Ja’la (4476), ndërsa të gjithë transmetuesit janë transmetues të hadithit sahih, përveç Muhamed ibën Amër ibën Alkames, hadithi i të cilit konsiderohet “hasen” (i mirë).

 


11:06:14am