Ti je si lule në shkretëtirë

E nderuar motër, kur ta vendosësh mbulesën në shenjë nënshtrimi ndaj Krijuesit tënd, e jo për shkak të burrit apo babait tënd, dhe kur me krenari vendos të jetosh si muslimane, atëherë vërtet ke treguar shkallë të lartë të imanit tënd.

E nderuar motër, kur t’i përmbahesh rregullave islame të veshjes, të tjerëve u bëhet e pamundur që të trajtojnë si copë mishi, atëherë nuk u mbetet zgjidhje tjetër vetëm se të të vlerësojnë në bazë të aftësive, inteligjencës dhe kualiteteve tua, e jo në bazë të trupit dhe pamjes sate. Ty të takon një nder i madh, ti je sikur lulja në shkretëtirë, sikur hëna në errësirë, atëherë kur me zbatimin e rregullave të Allahut dallohesh nga të tjerët, të cilët nuk i përmbahen atyre rregullave..

Me të drejtë mund të themi se ti me pastërtinë, moralin dhe pamjen tënde islame je dritë në këto ditët tona të errëta. Ti me dëshirën tënde të madhe dhe me bindje të fortë je nisur  rrugës, të cilën e ndiqnin edhe gratë e të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Zotit qofshin mbi të, dhe të gjitha besimtaret e asaj kohe. Ti je larguar dhe liruar nga mendimet e të tjerëve, gjëja e vetme që është e rëndësishme për ty është kënaqësia e Zotit tënd.

Ti i përmbahesh rregullave islame me kujdes. Ti  ia ke caktuar vetes vetëm një qëllim, arritjen e një shkalle të lartë në Xhennet. Ti je dritë që ua ndriçon rrugën të tjerëve. Ti gjithmonë bartë me vete mirësi, shkëlqimi i së cilës kalon edhe te njerëzit tjerë. Mbulesa jote, motër e dashur, nuk është simbol i nënshtrimit dhe shtypjes, por është simbol i lirisë, lirisë, dhe sërish them i lirisë! Me mbajtjen e mbulesës ti ke vendosur që të mos jesh e ndikuar nga idetë dhe pikëpamjet e njerëzve të ndryshëm.

Me mbajtjen e mbulesës ti ke zgjedhur që mënyra jote e jetesës ta jetë në përputhje me rregullat e Allahut. Ti ke zgjedhur që të mos jesh robëreshë e njerëzve, por robëreshë e Allahut, Zotit të njerëzve. Me bartjen e mbulesës ti ke zgjedhur që çdo sekondë të jesh në ibadet (adhurim). Çdo sekondë që muslimania e kalon me mbulesë është sekondë e adhurimit. Motër e nderuar, Islami është ai që të çmon dhe të nderon. Islami ruan dinjitetin dhe feminizmin tënd. Islami është ai që si mur i del në rrugë atyre që dëshirojnë të të shfrytëzojnë si mall të lirë për qëllime të tyre të ndryshme.

Islami është ai i cili të mbron duke ua mbyllur dyert të gjithë atyre që për shkak të kënaqësive të tyre dëshirojnë të të shfrytëzojnë dhe të të keqtrajtojnë. Motër e dashur, padrejtësia më e madhe që të bëhet është kur shtrembërohet e vërteta, kur thuhet se ndershmëria dhe devotshmëria janë shenja të prapambetjes dhe padrejtësisë (ndaj femrave), ndërsa amoralitetin, veprat e këqija dhe degjenerimin i paraqesin si shenja të përparimit. Kështu ndodh sot, kur femra vendos ti përmbahet rregullave islame të veshjes, pra atë e cilësojnë si të prapambetur, ndërsa kur ajo “zhvishet” dhe ashtu ec nëpër rrugë, atëherë në shikimin e tyre ajo është e emancipuar dhe e përparuar.

Motër, nëse disa njerëz të urrejnë për shkak të ndershmërisë sate, për shkak të zbatimit të urdhrave të Allahut, për shkak të mbulesës sate, atëherë dije se Allahu, Zoti i këtyre njerëzve, begatitë e Tij është duke i dërguar mbi ty! Dije, gjithashtu se irritimet dhe urrejtjet që kanë në zemrat e tyre për shkak të moralit tënd do të jenë arsye për ngritjen e pozitës tënde në Xhennet!

Ti je shpresa e këtij umeti! Ti je bija e Hatixhes, Aishes, Hafses dhe Havles, të cilat janë përmendur në shpallje. Pra, motër e ndershme, mos lejo të të njollosin! Allahu i Lartësuar të ka nderuar dhe të ka dhënë pozitë të lartë dhe Ai shikon nderin tënd dhe për këtë i ka vendosur këto rregulla, për këtë e ka bërë obligim mbulesën. Nëse ti i përmbahesh këtyre rregullave, atëherë të jesh e bindur se  do ta fitosh kënaqësinë e Allahut dhe do të jesh prej atyre që fitojnë Xhennetin!

 

Përktheu : Arsim SYLA


01:18:20am