I devotshmi dhe gjynahqari

Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e të Lartësuarit qofshin mbi të, ka thënë:

 

“Dy njerëz nga beni Israilët ishin vëllazëruar njëri me tjetrin, porse njëri prej tyre ishte gjynahqar, kurse tjetri ishte i përkushtuar në adhurim ndaj Zotit.

I devotshmi vazhdimisht e shihte tjetrin duke bërë mëkate, prandaj i thoshte: “Largohu nga gjynahet!”

Një ditë prej ditësh e gjeti duke bërë mëkat dhe i tha: “Mjaft më!” Ai ia ktheu: “Më lër mua dhe Zotin tim, a mos vallë je dërguar mbikëqyrës mbi mua?!” Ky i tha: “Betohem në Allahun, Allahu nuk do të të falë!” apo: “Allahu nuk do të të fusë në xhenet!” Më pas, Allahu ua mori shpirtin atyre të dyve dhe u takuan para Zotit të botëve. Zoti i tha atij që e adhuronte Allahun shumë: “Mos vallë, ke qenë në dijeni për Mua, apo ke pasur në dorë fuqinë Time?” Pastaj, iu drejtua gjynahqarit, duke i thënë: “Shko dhe hyr në xhenet me mëshirën Time!” Ndërsa, tjetrit i tha: “Hidheni në zjarr!”[1]

 

Përfitimet që nxjerrim nga hadithi:

1.      Nxitja për urdhërimin e veprave të mira dhe ndalimin nga të këqijat.

2.      Largimi nga gjynahet dhe shmangia prej tyre duke mos këmbëngulur në to me inat dhe mendjemadhësi.

3.      Të mos ua humbasim shpresat mëkatarëve nga mëshira dhe falja e Allahut.

4.      Të folurit për Allahun pa dije është gjynah i madh.

5.      Mëshira e Allahut, Zotit të botëve është e gjerë.

6.      Kushdo që deklaron për një njeri të veçantë që do të futet në xhenet ose në zjarr ka pretenduar se e di të fshehtën, e cila është atribut hyjnor.

7.      Është i përbuzur ai i cili bëhet gjykatës i të tjerëve dhe deklaron nëse njerëzit do të jenë në xhenet apo në zjarr.

 

 

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: “60 tregime të rrëfyera nga Pejgamberi dhe shokët e tij”.

 

 



[1] Hadithi është i saktë dhe e transmetojnë: Ahmedi (2/323), Ebu Davudi (4901), Ibnul-Mubareku në Ez-Zuhd (314), Ibnu Ebid-Dunja në Husnudh-Dhann (45) dhe El-Begaviu në Sherhus-Sunneh (41/385).

 

 


Revista Shembulli

03:39:58pm