Njerëzit e hendekut

Nga Suhejb Er-Rrumiu, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

“Një mbret në kohët e mëparshme kishte një magjistar. Një ditë magjistari i tha mbretit: “O mbret, unë tashmë jam plakur, prandaj më sill mua një djalosh që t’ia mësojë magjinë.”

Mbreti ia solli atij djaloshin, që ta mësonte.

Përgjatë rrugës së djaloshit për te magjistari ishte një murg (i devotshëm). Një ditë, djali hyri tek ai dhe dëgjoi disa fjalë prej tij, të cilat i lanë përshtypje. Prandaj, sa herë që shkonte për te magjistari ndalej te murgu. Por, kur shkonte te magjistari ai e rrihte atë. Atëherë, djaloshi u ankua te murgu. Murgu i tha: “Kur të kesh frikë nga magjistari, thuaj: “Më pengoi familja.” “E, kur të kesh frikë nga familja, thuaj: “Më pengoi magjistari.”

Një ditë, djaloshi pa një kafshë të egër, e cila ua kishte zënë rrugën njerëzve. Atëherë, ai tha: “Sot do ta kuptoj se a është më i mirë magjistari apo murgu!” Mori një gurë dhe tha: “O Allahu im, në qoftë se murgu është më i dashur tek Ti se magjistari, atëherë vrite këtë kafshë, që të mund të kalojnë njerëzit.” Pastaj e goditi atë (me gurë) dhe e vrau. Kështu që njerëzve iu mundësua të kalonin.

Më pas, djaloshi shkoi te murgu dhe i tregoi atij se ç’kishte ndodhur. “O biri im!” - i tha murgu, - “Tashmë je bërë më i mirë se unë. Siç po e shoh paske arritur në një shkallë të lartë! Prandaj, ti do të sprovohesh, e kur të sprovohesh mos trego për mua!”

Që atëherë, djaloshi filloi të shëronte të verbrit e lindur dhe të lebrosurit (me lejen e Allahut) dhe t’i shëronte njerëzit nga çdo sëmundje. Një shoqërues i mbretit, i cili ishte i verbër kishte dëgjuar për djaloshin. Atëherë, ai i solli dhurata të shumta dhe i tha: “Krejt këto që i sheh do të jenë tuat, në qoftë se më shëron!”

“Unë nuk shëroj askënd.” – ia ktheu djaloshi. “Ai që shëron është Allahu i Lartësuar, por në qoftë se ti beson Allahun, unë do t’i lutem Atij që të të shërojë.” I verbëri besoi Allahun e Lartësuar, andaj Allahu e shëroi atë.

Pastaj, i verbëri shkoi te mbreti dhe u ul siç ulej më parë. Mbreti i tha atij: “Kush ta solli shikimin?!” Ky iu përgjigj: Zoti im! Atëherë, mbreti e pyeti: “Mos vallë, ke zot tjetër veç meje?!” Ky iu përgjigj: “Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.” Mbreti e mori atë dhe e torturoi derisa tregoi për djaloshin. Atëherë, e sollën djaloshin. Mbreti i tha atij: “O djalosh! Magjia jote paska bërë që ti t’i shërosh të verbrit e lindur, të lebrosurit, e kështu me radhë?!” Djaloshi iu përgjigj: “Unë nuk shëroj askënd. Allahu i Lartësuar është Ai i cili shëron.” Atëherë, ai e mori atë dhe e torturoi derisa tregoi për murgun.

Kur e sollën murgun, i thanë: “Hiq dorë nga feja jote!” Murgu refuzoi. Atëherë, mbreti kërkoi t’i sillej një sharrë. Sharra iu vendos në mes të kokës dhe e çanë më dysh.

Më pas, u soll shoqëruesi i mbretit dhe iu tha atij: “Hiq dorë nga feja jote!” Edhe ai kundërshtoi, andaj edhe atij ia vendosën sharrën në mes të kokës dhe e çanë më dysh.

Së fundi e sollën djaloshin dhe i thanë: “Hiq dorë nga feja jote!” Por, as ai nuk pranoi. Atëherë, mbreti e shtyri atë te një nga shokët e tij dhe i tha atyre: “Dërgojeni në filan kodrën, ngjituni lart në të, e kur ta arrini majën e saj, kërkoni prej tij të heq dorë nga feja e tij, në të kundërtën hidheni!” Ata e morën atë dhe u ngjitën lart në kodër. Atëherë, djaloshi u lut: “O Allahu im, më shpëto prej tyre si të duash!” Kodra u trondit dhe ata ranë nga ajo.

Pastaj, djaloshi, duke ecur shkoi te mbreti. Mbreti e pyeti: “Ç’u bë me përcjellësit tu?!” “Allahu më shpëtoi nga ta!” – ia ktheu djaloshi. Atëherë, mbreti e shtyri atë te një nga shokët e tij dhe tha: “Merreni dhe hipeni në një barkë, e kur të arrini në mes të detit, hidheni atë, në qoftë se nuk largohet nga feja e tij!” Kur shkuan atje, djaloshi u lut sërish: “O Allahu im, më shpëto prej tyre si të duash!” Atëherë, barka u përmbys dhe njerëzit u fundosën. Kurse, djaloshi shkoi prapë duke ecur te mbreti. Mbreti e pyeti atë: “Ç’u bë me përcjellësit tu?!” “Allahu më shpëtoi nga ta!”, – ia ktheu sërish djaloshi. Pastaj, i tha mbretit: “Ti kurrë nuk do të mund të më vrasësh mua, vetëm nëse bën si të urdhëroj unë!”

“E ç’duhet të bëj?”, - tha mbreti. Djaloshi i tha: “Mblidhi të gjithë njerëzit në një vend dhe mua më lidh për një trungu, pastaj merre një shigjetë nga çanta ime, vendose atë në mes të harkut dhe thuaj: “Bismil-Lahi, Rabbil-gulam (në emër të Allahut, Zotit të djaloshit), pastaj, më qëllo! Në qoftë se do ta bësh këtë, atëherë ke për të më vrarë!”

Mbreti mblodhi njerëzit në një vend, e lidhi djaloshin për një trungu. Pastaj, mori një shigjetë nga çanta e djaloshit, e vendosi atë në mes të harkut dhe tha: “Në emër të Allahut, Zotit të djaloshit!” Mandej, e hodhi shigjetën dhe e qëlloi mu në tëmth. Djaloshi vuri dorën e tij në vendin ku e kishte qëlluar dhe vdiq.

Përnjëherë, njerëzit filluan të thoshin: “Besuam Zotin e djaloshit! Besuam Zotin e djaloshit! Besuam Zotin e djaloshit!” Atëherë, i thanë mbretit (njerëzit e tij): “E sheh çfarë ndodhi?! Për Allahun, ndodhi ajo që i frikësoheshe, njerëzit besuan!”

Atëherë, mbreti urdhëroi që të hapet një hendek në mes të rrugëve. Hendeku u hap dhe në të u ndezën zjarre. Pastaj, mbreti tha: “Kushdo që nuk kthehet nga feja e tij hidheni në të! Ata filluan t’i hidhnin njerëzit në të derisa erdhi një grua me foshnjën e saj. Fillimisht, ngurroi të hidhej, por fëmija i foli duke i thënë: “Duro nëna ime, se ti je me të vërtetën.”[1]

 


Përfitimet që nxjerrim nga hadithi:

1. Mbretërit e mëhershëm shfrytëzonin magjistarët dhe fallxhorët për interesat e tyre personale.

2. Magjia është realitet dhe ka rregullat e saja.

3. Lejimi i gënjeshtrës në gjendje lufte e të ngjashme me të dhe për ta shpëtuar veten nga shkatërrimi.

4. Qëndrueshmëria në besim dhe në çështje të drejtë.

5. Vërtetimi i kerameteve të evliave (miqve të Allahut), e që po ashtu është besimi i pasuesve të sunnetit.

6. Pranimi i lutjes së besimtarit të devotshëm.

7. Sprovimi i besimtarëve dhe shtypja që i bëhet atyre nga armiqtë nëpërmjet llojeve të ndryshme të torturimit.

8. Sakrifikimi i vetvetes nuk domethënë vetëvrasje.

9. Armiqësia e madhe që kanë jobesimtarët ndaj besimtarëve.

10. Mbikëqyrja e Allahut për miqtë e Tij dhe poshtërimi i Tij për armiqtë e Tij.

11. Detyrimi për të qenë i durueshëm ndaj lëndimeve që godasin në rrugë të Allahut.

12. Vlera e thirrjes drejt Allahut dhe se thirrësi duhet të sakrifikojë edhe gjënë më të shtrenjtë për të pasur sukses thirrja e tij.

 


Marrë nga libri: "60 kissah rauaha En-Nebijju s.a.v.s. ue as'habuhu" - Muhammed ibn Hamid

Përktheu: Jusuf Kastrati



[1] Hadithin e transmetojnë Muslimi (3005), Ahmedi (6/16) dhe Tirmidhiu (3340).



Revista Shembulli

02:20:46am