Pejgamberi dhe foleja e milingonave

Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njëherë, një milingonë pickoi një pejgamber. Për këtë shkak, ai urdhëroi që e gjithë foleja e milingonave të digjej. Kur ajo u dogj, Allahu i Lartmadhërishëm i shpalli këtij pejgamberi:

“A vetëm për shkak të thumbimit të një milingone dogje një popullatë të tërë milingonash që madhërojnë (Allahun)?!!”[1]

Çka përfitojmë nga ky hadith?

1. Ndalohet vrasja e milingonave, siç ndalohet vrasja e insekteve dhe kafshëve tjera, përveç atyre që janë të rrezikshme dhe të dëmshme.

2. Kafshët dhe insektet madhërojnë Allahun e Lartmadhërishëm në mënyrë reale.

3. Djegia me zjarr ka qenë e lejuar në kushtetutat e mëhershme, ndërsa në kushtetutën tonë ndalohet një gjë e tillë.

4. Krimi nuk kalon tek të pafajshmit, sepse Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit.” (Fatir: 18).

5. Kur zbret ndëshkimi e godet kriminelin dhe të pafajshmin, mëkatarin dhe të devotshmin. I Lartmadhërishmi thotë: “Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq; dhe ta dini se Allahu dënon ashpër.” (El-Enfal: 25).

6. Ai që e përmend dhe madhëron Allahun nuk bën të vritet, të rrahet apo të lëndohet, si respekt ndaj Allahut të Lartmadhërishëm.

 

Marrë nga libri: "60 kissah rauaha En-Nebijju s.a.v.s. ue as'habuhu" - Muhammed ibn Hamid

Përktheu: Jusuf Kastrati

 


[1] Hadithin e transmetojnë Buhariu (3219), Muslimi (2241), Ebu Davudi (5265), Ahmedi (2/313), Nesaiu (7/211), Ibnu Hibbani (7/463) dhe Begaviu (12/197).

 


Revista Shembulli

04:33:32pm