Cilësitë e dyfytyrëshit

Nga Ebu Hurejreja - radijallahu anhu - transmetohet se i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Cilësitë e mynafikut (dyfytyrëshit) janë tri: kur flet gënjen, kur premton e thyen premtimin dhe kur i besohet tradhton". [Hadithin e transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu].

Domethënia e hadithit

Nifaku (dyfytyrësia) numërohet prej cilësive të përbuzura dhe ndahet në dy lloje: Dyfytyrësi në besim dhe dyfytyrësi në vepër.

Dyfytyrësi në besim do të thotë që njeriu ta shfaqë Islamin dhe ta fsheh kufrin (mosbesimin). Njeriu i tillë do të jetë përherë në zjarr, siç thotë Allahu i Lartësuar në Kur'an:

S'ka dyshim, mynafikët do të jenë në shtresën më të ulët të zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës. (04:145)

Dyfytyrësi në vepër janë cilësitë, të cilat i përmendi Pejgamberi Muhammed, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, në këtë hadith që flet për dyfytyrëshin, e ato janë:

E para: Kur flet për çështje të fesë apo të kësaj bote gënjen.

E dyta: Po qe se i premton dikujt diçka nuk e mban premtimin dhe nuk është i sinqertë në fjalët që i thotë.

E treta: Nëse i besohet ndonjë pasuri e merr atë për vete ose shkujdeset ndaj saj dhe nëse i besohet ndonjë sekret ua tregon njerëzve.

Edhe nëse këto cilësi nuk e nxjerrin vepruesin e tyre nga feja, edhe pse ekziston rreziku që ato ta çojnë në kufër, muslimani duhet të ruhet nga to sa më shumë që mundet.

Dobitë e hadithit

1. Dyfytyrësia është prej cilësive të përbuzura, largimi nga të cilat është detyrë për muslimanin.

2. Personi, i cili posedon cilësitë e përmendura në hadith është mynafik me vepër.

3. Është e mundur që të bashkohen te muslimani veçoritë e Imanit (besimit) dhe veçoritë e fiskut (mëkatit). Njeriu i tillë meriton dënimin në bazë të mëkateve që ai i posedon.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com

Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” - Riad


Revista Shembulli

01:19:54am