Vlera e leximit të Kuranit

Nga Ebu Hurejra - radijallahu anhu - transmetohet se i Dërguari i Allahut - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - ka thënë: "Sa herë që mblidhet një grup njerëzish në ndonjë shtëpi të Allahut për ta lexuar Librin e Allahut dhe për ta studiuar ndërmjet vete zbret mbi ta qetësia, i mbulon mëshira, i rrethojnë melekët dhe i përmend Allahu para atyre që janë pranë Tij."

Këtë hadith e shënon Ebu Davudi.

Domethënia e hadithit

Kurani i madhërishëm është libri më fisnik në botë, sepse ai është Fjala e Allahut të Lartësuar. Studimi dhe mësimi i tij është nga adhurimet më të pëlqyeshme dhe prej të mirave të tij është ajo për të cilën na lajmëroi Pejgamberi - sal-lallahu alejhi ve sel-lem - në këtë hadith; se sa herë që mblidhet një numër i muslimanëve në ndonjë xhami me qëllim që ta lexojnë Kuranin, ta studiojnë dhe ta mësojnë atë, të meditojnë rreth ajeteve të tij dhe të mendojnë për madhështinë e tij dhe njohjen e normave të tij zbret mbi ta qetësia, ua pastron zemrat, ua qetëson shpirtrat, i përfshin mëshira e Allahut, i rrethojnë melekët nga dashuria për punën e tyre dhe si nderim për ta dhe i lavdëron Allahu para melekëve që janë pranë Tij, ngase e do punën e tyre dhe është i kënaqur me të.

Dobitë e hadithit

1. Vlera e Kuranit dhe e leximit, studimit dhe mësimit të tij është shumë e madhe tek Allahu i Lartësuar.
2. Dituria, mësimet dhe normat, që gjenden në Librin e Allahut janë shkencat më të vlefshme dhe më fisnike.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” në Riad


Revista Shembulli

02:12:54am