Tregimi i një kroateje

Unë vij nga Kroacia. Jam e martuar me një musliman, i cili nuk praktikonte asgjë nga feja e tij. Kështu kemi jetuar me vite të tëra; ai musliman e unë e krishtere. Festonim edhe Bajramin edhe festat e krishtera dhe asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë problem për atë se i takonim feve të ndryshme. I kisha të gjitha, burrin e mirë, fëmijët, pasuri, veturë, por përkundër kësaj ndjeja një zbrazëti në shpirt, nuk isha e lumtur. Në të vërtetë, isha e varfër në shpirt pa rrugën e drejtë, por këtë nuk e dija.

Duke kaluar kështu nëpër fazat e jetës, një ditë, para afro shtatë vjetësh shkuam për vizitë te disa njerëz të cilët e quanin veten ahmedi (kadijani). Ata thoshin se gruaja nuk është e obliguar sipas Islamit të mbulohet dhe se mund të vesh edhe funda të shkurtë. Burri im edhe pse nuk e praktikonte fenë dhe nuk kishte dituri rreth saj, ai e dinte se gruaja muslimane duhet të jetë e mbuluar, kështu që e kundërshtoi atë njeri. E vëreja se ai ishte nervozuar shumë. Duke u kthyer në shtëpi, provova ta qetësoja dhe i thashë se ndoshta ai njeri ka të drejtë pasi që ai falet dhe lexon e Kur’anin, ndërsa burri im nuk e bënte asnjërën nga këto gjëra. Me këto fjalë vetëm sa e hidhërova edhe më shumë. Ai më tha se posa të arrijmë në shtëpi do ta thërrasë vëllanë e tij dhe ta pyesë për këtë çështje, pasi ai kishte disa vite që praktikonte Islamin.

Kur foli me vëllanë, ai i tha: “Hyn në internet dhe kërkoje përgjigjen në një faqe Islame.” Pasi filluam të lexojmë, përveç çështjes së mbulesës ne mësuam edhe shumë gjëra të tjera. Nga ajo natë asnjëherë nuk jam ndalur së lexuari. Shpesh qëndroja deri natën vonë duke lexuar rreth Islamit. Pas disa ditëve e pyeta burrin se përse ai nuk e praktikonte fenë. Ai vetëm më shikoi dhe heshti për disa sekonda e pastaj më tha: “Nëse unë filloj ta praktikoj fenë, çfarë do të bëhet me ty? Do të na duhet shumë të ndryshojmë në jetë?” I thashë: “Vetëm fillo ti i pari dhe unë do të vij pas teje! Nuk më besonte, derisa fillova të jem më e zëshme ndaj tij dhe e akuzoja se ai dëshiron ta jetojë një jetë larg rrugës së drejtë. Atëherë iu bë e qartë se e kam shumë seriozisht dhe të nesërmen i kishte blerë librat nga të cilat mësuam si të falemi.

Kështu për më pak se një muaj, e tërë familja filluam ta praktikojmë Islamin. Falënderimi i takon vetëm Allahut, Të Vetmit, i Cili është i pashoq. Kjo për mua është dhurata më e mirë në jetë, mëshira e Allahut dhe udhëzimi i Tij…

 

Përktheu: Arsim SYLA


Revista Shembulli

10:26:03am