Mrekullia e përhershme

1. Kur’ani si mrekulli: Kur’ani është mrekullia e të Dërguarit Muhammed, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, të cilin ia zbriti Allahu pjesë-pjesë, sipas ndodhive. Urtësia e kësaj është forcimi i zemrës së të Dërguarit dhe zemrave të muslimanëve dhe lehtësimi i mësimit përmendësh të tij. Përkitazi me këtë, Allahu i Madhërishëm thotë:

Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!Ne ta kemi shpallur kështu r të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu. Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë. [El-Furkan: 32, 33]

2. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kishte edhe mrekulli të tjera, prej tyre: çarja e hënës dhe dalja e ujit prej gishtërinjve të tij, sikur që kishin mrekulli edhe të dërguarit tjerë para tij, siç ishte shkopi mrekullia e Musait dhe deveja mrekullia e Salihut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi ta. Porse, këto mrekulli u zhdukën me shkuarjen e atyre te të cilët u shfaqën ato, kurse tregimet e tyre mbetën sa për të marrë mësim nga to. Ndërsa, mrekullia e të Dërguarit Muhammed, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, është Kur’ani Fisnik, i cili do të qëndrojë deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

“Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” [El-Hixhër:9]

Kur’ani sfidoi xhinët dhe njerëzit që të vinin me diçka të ngjashëm me të, por nuk patën mundësi. I Lartësuari thotë:

Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhinët për të hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri - tjetrin.” [El-Isra:88]

3. Paimitueshmëria e Kur’anit: Kur’ani është i paimitueshëm, si në stilin e tij, po ashtu edhe në fjalët e tij dhe domethëniet e tyre, siç e dëshmojnë këtë edhe shumë fakte tjera. Sa herë që shkenca përparon shfaqen aspekte të reja që e dëshmojnë këtë paimitueshmëri. Prej aspekteve më të rëndësishme është se Kur’ani erdhi me shumë lajme dhe tregime të popujve të mëhershëm, sikurse që përfshiu edhe një pjesë të madhe të shkencave dhe njohurive të cilat nuk i dinin njerëzit më parë, siç erdhi njëkohësisht për të përmirësuar besimet dhe adhurimet e njerëzve dhe po ashtu jetën e tyre shoqërore, politike dhe ekonomike.

I Lartësuari thotë:

Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët. [En-Nahël: 89]

4. Zbritja e Kur’anit: Kur’ani i zbriti të Dërguarit Muhammed, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, pjesë-pjesë nëpërmjet melekut Xhibril, paqja e Allahut qoftë mbi të.

I Madhërishmi thotë:

Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhibrili), në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe. [El-Shuara:193-195]

5. Kur’ani mekas dhe ai medinas: Kur’ani ndahet në mekas dhe në medinas. Kur’an mekas quhen ato pjesë të Kur’anit që i zbritën të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, para shpërnguljes për në Medine, qoftë edhe jashtë Mekes. Kurse, Kur’an medinas quhen ato pjesë të Kur’anit që zbritën pas shpërnguljes në Medine, edhe po qe se kanë zbritur brenda Mekes. Suret mekase përgjithësisht janë të shkurta, gjë që bëri të lehtë mësimin përmendësh të tyre. Kur’ani mekas përfshiu tema të ndryshme, siç janë: Teuhidi (Njëshmëria e Allahut), thirrja në Islam, Dita e Kijametit, tregimet e pejgamberëve dhe të dërguarve të mëhershëm, paqja qoftë mbi ta, etj. Kur’ani mekas përfshin një të tretën e Kur’anit. Ndërsa, suret dhe ajetet medinase kryesisht janë të gjata dhe shtjellojnë tema të reja, si urdhrat, ndalesat, obligimet ndaj njëri tjetrit, xhihadi, etj.

6. Tubimi dhe përmbledhja e Kur’anit: Zbritja e Kur’anit Fisnik zgjati njëzetetri vjet. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kishte rreth vetes njerëz që e shkruanin Kur’anin. Sa herë që i zbriste ndonjë ajet apo disa ajete i urdhëronte ata që t’i shkruanin ato dhe i thoshte vendosni këto ajete në filan sure etj., mirëpo Kur’ani nuk u përmblodh në një mus’haf të vetëm gjatë jetës së të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Përmbledhja e Kur’anit në një mus’haf të vetëm u bë në kohën e halifes së parë, Ebu Bekër es-Siddik, Allahu qoftë i kënaqur me të, në vitin e dymbëdhjetë sipas hixhretit, pas betejes së Jemames kundër atyre që dezertuan nga feja, ku u vranë shtatëdhjetë prej lexuesve të Kur’anit dhe dijetarëve sahabë. Ky mus’haf qëndroi te Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, në kohën sa ishte i gjallë, pastaj e mori Halifeja Omer ibnul Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të. Kurse, pas vdekjes së tij qëndroi te bija e tij Hafsa, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila ia dorëzoi atë halifes Othman ibnu Affan, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur ky i fundit e kërkoi nga ajo. Pastaj, Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, urdhëroi që Kur’ani të mblidhet vetëm në një mus’haf, nga frika se mus’hafët që gjendeshin në duart e njerëzve do të mund t’i çonin ata në ndonjë përçarje, pasi që përçarja ndërmjet muslimanëve në beteja gati se kishte ndodhur. Njëkohësisht, urdhëroi të shkruheshin edhe disa kopje tjera, pastaj dërgoi nga një kopje në çdo vend dhe kopjen origjinale e ruajti për vete.

 

Përktheu: Jusuf Kastrati - Shembulli.COM

Marrë nga libri: “El-arabijjetu bejne jedejk III”


Revista Shembulli

04:33:49pm