Nga rrënojat nxirret e gjallë foshnja njëmuajshe në Siri (Video)

Dy orë pas sulmit ajror në Idlib të Sirisë nën rrënoja është nxjerrë e gjallë foshnja njëmuajshe, raporton Anadolu Agency (AA).

Nëpunësi i Mbrojtjes Civile, Ebu Hilfe i përlotur tha se fëmija u gjet nën rrënojat në katin e katërt të ndërtesës e cila ishte në shënjestër të sulmit.

"E vërejtëm në katin e katërt. Ishte gjallë. Arritëm ta nxjerrim dy orë pas sulmit edhe atë nën rrënoja. Kjo është foshnje njëmuajshe. Mund të vdiste. Nuk ka lëndime të rënda, falë Zotit. Kur e pashë menjëherë m'u kujtua vajza ime. Menjëherë e mora në krahë sikur vajzën time. Kjo është diçka që nuk mund të përshkruhet", tha Abu Hilfe.

Sulmet e forcave besnike të presidentit sirian Bashar al-Assad janë intensifikuar kohët e fundit në Idlib dhe në zonat e kontrolluara nga opozita.

Në orët e hershme të mëngjesit ka ndodhur një nga shumë sulmet ajrore në Idlib duke shkaktuar vdekjen e 20 personave. Në këto sulme është goditur edhe ndërtesa pesë-katëshe nga ku u shpëtua foshnja. Besohet se emri i fëmijës është Hamide Matuk. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Nën rrënoja janë nxjerrë trupat e shtatë personave. Prindërit e foshnjes ende nuk janë gjetur.


Më të lexuarat