Erdogani sfidon BE-në: Lamtumirë nëse s’hapni kapituj të rinj negociatash për Turqinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, lëshoi të martën nga Ankaraja një sfidë të hapur me Bashkimin Evropian.

“Sot e tutje nuk keni rrugëzgjidhje tjetër veçse të hapni ata kapituj negociues, të cilët nuk i keni hapur deri më sot. Nëse i hapni, shumë mirë; nëse jo, atëherë lamtumirë”, deklaroi ai.

Kreu i Shtetit të Turqisë mbajti një fjalim në mbledhjen javore të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Partia AK), ku ai u anëtarësua përsëri, në selinë e kësaj force politike.

Erdogani vuri në pah se Turqia ka bërë deri më sot gjithçka nevojitet për t’u anëtarësuar në BE, ndërsa tani radhën e ka pala e Brukselit, e cila duhet të thotë haptazi se çfarë do të bëjë.

“Së afërmi do të mblidhet samiti i NATO-s, takohemi atje. Na paskan shkruar 5 pika: Të heqim gjendjen e jashtëzakonshme, etj. Harrojini këto, na thoni njëherë se çfarë do të bëni. Ju fillimisht shkoni e hiqni gjendjen e jashtëzakonshme në Francë. Franca mund të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa ne jo. Na u dashka të marrim leje nga këta zotërinj?! A është e mundur diçka e tillë? Së pari ju duhet të mbani premtimet dhe të hapni kapitujt të rinj negociatash për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Nëse i hapni, shumë mirë; përkundrazi, lamtumirë”, paralajmëroi lideri turk.

Më tej, Presidenti Erdogan dënoi ashpër edhe sulmin e të hënës kundër Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Cyrih të Zvicrës.

“Ku ishte policia zvicerane? Ne kujdesemi si ‘amanet’ dhe si sytë e ballit për përfaqësitë e huaja diplomatike në vendin tonë, por nuk shikojmë të njëjtin kujdes jashtë shtetit”, tha ai.

Agresorë të maskuar derdhën bojëra dhe shkaktuan dëme në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Cyrih, kurse në muret e godinës përballë saj dhe në një stacion autobusi aty afër shkruan me bojë të kuqe “Vrisni Erdoganin” (Kill Erdogan).

Gjatë marsit të këtij viti, sërish në Zvicër, një pankartë me pamje të Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe me një armë të drejtuar në kokën e tij ishte hapur në një manifestim të simpatizantëve të organizatës separatiste terroriste PKK. Në këtë pankartë shkruhej “Vrisni Erdoganin me armën e tij”.

Autoritetet zvicerane njoftuan pak ditë pas kësaj ngjarjeje se një hetim i gjithanshëm kishte nisur në lidhje me çështje në fjalë./trt/


Më të lexuarat