LSDM i bën ofertë Besës për Qeveri

Pas zgjedhjes të Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit të RM-së, kreu i LSDM-së Zoran Zaev ka nisur takimet e para me kryetarët e partive politike BDI, BESA dhe LR-PDSH si pjesë e shumicës prej 67 deputetëve.

Sipas informacioneve jozyrtare mësojmë se insistimi i Zaevit është i madh që Lëvizja Besa të jetë me çdokusht pjesë dhe kjo për arsye se një pjesë e madhe e udhëheqësisë të LSDM-së e shohin Lëvizjen Besa si garancë për të pastruar krimin dhe korrupcionin nga BDI e cila disa mandate ka bashkëqeverisur me VMRO-DPMNE.

“Fakti që Lëvizja Besa i ka pesë deputetë dhe me këtë betonohet shumica prej 67 deputetëve jep garancion se kjo qeveri mund të qeverisë me vendin plot katër vite, ndërsa pa pjesmarrjen e Lëvizjes Besa do kemi shumicë shumë të paqendrueshme dhe presioni i opozitës mund të imponojë shumë shpejt zgjedhje të reja parlamentare. Prandaj me çdokusht duhet që Lëvizja Besa të jetë pjesë e qeverisë dhe për këtë ne në LSDM jemi të gatshëm të bëjmë lëshime për të arritur shumicën prej 67 deputetëve” thotë përfaqësues i lartë i LSDM-së për Monitor.mk

Sipas po këtij burimi mësojmë se LSDM i ka ofruar Lëvizjes Besa 1 zv.kryeministër, 2 ministra, 3 zv.ministra dhe 3 sekretarë shtetërorë si dhe drejtori të rëndësishme që janë në kuadër të qeverisë.

Nga LSDM thonë se edhe faktori ndërkombëtar preferon që Lëvizja Besa të jetë pjesë e qeverisë reformuese për shkak se ata kanë humbur besimin në BDI dhe pikërisht Lëvizjen Besa e shohin si partner për të realizuar reformat e kërkuara për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Përndryshe Lëvizja Besa ishte surpriza e zgjedhjeve të 11 dhjetorit ku arriti të fiton pesë mandate deputetësh në Kuvendin e RM-së dhe u pozicionua si partia e katërt më e madhe në vend.


Më të lexuarat