Njihuni me Ramiz Bradën, i cili u përjashtua nga puna, për shkak se nuk pranoj ta prishë agjërimin

Kur shkuam në mbledhjen e sipërmarrjes në të cilën unë punoja, ndër pyetjet që na u bënë, ishte ajo se kush po agjëron? – u paraqit fillimisht një koleg i imi, dhe menjëherë pas kësaj  edhe unë e zbulova se ne e mbanim Ramazanin. Ky ishte momenti kur unë u pushova nga vendi i punës, për të mos u kthyer më kurrë.

Kështu ka thënë Ramiz Brada, i cili tregon se kalvari i sfidave që është ballafaquar gjatë jetës, e ka bërë më të fortë dhe më të qëndrueshëm. Ai ka theksuar për Magazina e Ramazanit, se i ka mbushur 93 vjet, dhe ende mbetet një agjërues i pasionuar i muajit të shenjtë të muslimanëve.

“Më kujtohet kur një kolegë i punës (i cili ishte serb), ma ofroj një çokolladë të vogël dhe një cigare. I thash se po e pranoj “dhuratën”, dhe do ta ha pas iftarit. Ai u largua, dhe unë vazhdova të jem i qetë, sepse nuk konsiderova se kam bërë ndonjë gabim. Në mbledhjen e radhës të eprorëve të sipërmarrjes “Kombinati i Drurit”, në Pejë, pyeten se kush është agjërueshëm. Më kujtohet u paraqitë një koleg imi, unë, dhe më pastaj numri shkoj në 6, të atyre që u persekutuam për shkak të bindjeve tona fetare, duke u larguar nga vendi i punës”, ka theksuar Brada.

Ai ka thënë se kjo ngjarje e cila i ka shkaktuar dhimbje – por njëkohësisht i ngjallë krenari dhe mburrje – ka ndodhur gjatë kohës që shqiptarët e Kosovës, ishin nën udhëheqjen e sistemit monist, i cili sipas tij, nuk ishte aspak dashamirës i besimtarëve të cilës do fe qofshin.

“Më kujtohet si sot, se si njëfarë pasigurie e kishte kapluar familjen time. Ishte normale. Unë tashmë kisha gruan, fëmijët dhe prindërit nën përkujdesje. Ndodhesha në pozitë shumë të rëndë, sepse përveç që e humba punën – vendin nga ku e ushqeja familjen, kudo që aplikoja për një punë të re, refuzohesha. Kjo për arsye se ndërmarrjet aso kohe ishin publike, dhe ndikoheshin nga njëra tjetra. Agjërimi ishte, nëse do të thoja në rastin më të keq, ai që më ‘la’ pa punë”, ka shtuar plaku pejan.

Sipas tij, nëna qante dhe ishte e shqetësuar, sepse ai ishte i vetmi burim prej ku ushqehej familja “derisa babai im i ndjerë, tha se t’i nuk je i vogël dhe ne e respektojmë këtë vendim”.

“U detyrova që ta marrë një kafshë (magar) dhe të dalë në mal, e të merrem me prerjen e drunjve, e më pas t’i tregtoj ato, si mundësi për ta siguruar ekzistencën e familjes sime”, ka shtuar ai.

Brada ka theksuar se në kokën e tij kishte dilema në disa momente, për shkak se shumë prej miqve dhe familjarëve i thonin se “pse nuk ke lëshuar pe”, duke shtuar se “nuk do të bëhej ‘kiamet’, nëse ti bën kompromis për ta mos e humbur vendin e punës”.

“Por, Zoti i madh më dha një fuqi që unë të mos tërhiqem nga vendimi të cilin tashmë e kisha marrë. Kështu vazhdova pjesën tjetër të jetës, duke qenë një person i cili mbeti stoik në qëndrimin e tij. Çdo ditë e më shumë, nga kjo kohë, jam bindur se Zoti është furnizues absolut (e sjell riskun), dhe askush nuk mund ta pengoj këtë gjë”, ka theksuar ai.

Brada tregon se prej moshës 15 vjeçare agjëron rregullisht, duke mos e prishur asnjëherë këtë rregull, e “që i bie se për 78 vite resht e mbaj Ramazanin”.

“Për ta treguar më konkretisht këtë gjë, unë që në ditët e para të këtij muaji – kur bëhej ora 3 pasdite – më besoni qepallat e syve nuk mund t’i ngrija prej lodhjes, por vazhdova dhe kur erdhi koha e iftarit, u gëzova që e mbylla suksesshëm ditën. Unë e kam bashkëshorten e cila i ka 83 vite dhe agjëron, pavarësisht që ka problem të madh me diabetin, dhe në momentin kur e çelë iftarin, e përtypë një kafshatë bukë dhe pas saj një pilulë”, ka theksuar plaku 93 vjeçar.

Ai ka thënë se në fëmijërinë e tij ka qenë një atmosferë e jashtëzakonshme gjatë muajit të Ramazanit, ku nuk mungonte sipas tij, harmonia dhe dashuria në mes njerëzve, duke shtuar “se tash njerëzit me duket se i kanë ngushtuar zemrat dhe janë më pak solidar”.

“Unë si njeri që ka një bagazh dhe përvojë të gjatë në jetë, do t’i porosisja të rinjtë që asnjëherë të mos bëjnë kompromis më bindjet e tyre, dhe të mos i dorëzohen dhe të bëhen shërbëtor të armikut. Në jetë duhet të jetojmë dhe të vdesim faqebardhë”, ka porositur Brada.

Sipas tij, Zoti e ka shpërblyer atë në këtë botë, për shkak se “më ka dhënë fëmijë që jetojnë dhe punojnë ndershëm”, duke shtuar se “do të dëshiroja, jo për të më bërë nder mua, të mbesin të shënuara emrat dhe historitë e atyre që kanë sakrifikuar përballë presioneve që janë bërë nga ata që dëshiruan të na humbin lidhjen me Zotin”./30ditet.com/


Më të lexuarat