Katar, popullata reagon ndaj bllokadës diplomatike me posterë të Erdoganit

Popullata e Katarit ka zgjedhur si një nga format e reagimit ndaj bllokadës diplomatike mbi këtë vend vendosjen e posterëve të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe emirit të Katarit Shejh Tamim bin Hamad Al Thani afër njëri-tjetrit nëpër xhamat e automjeteve, shkruan Anadolu Agency (AA).

Këto postera mund të hasen thuajse në xhamat e të gjitha automjeteve në kryeqytetin e Katarit, Doha. Për shkak të interesimit të madh, shtypshkronjat kanë maksimizuar kapacitetin për të plotësuar kërkesat për posterët e dy liderëve.

Pranë posterëve është e mundur po ashtu të hasen shprehje të ndryshme, si "Të gjithë sakrifikohemi për atdheun" ose "Zoti të ruajtë".

Gjithashtu, posterët kanë fituar hapësirë të madhe edhe në rrjetet sociale përmes shpërndarjes. Piktori nga Katari Ahmed Bin Maxhid ka ndarë në median sociale një video që ka xhiruar teksa përgatit posterin e Erdoğanit.

Videoja është shpërndarë nën titullin "Dhuratë popullit turk nga populli i Katarit", ndërsa në prapavijë gjendet deklarata e vetë Erdoğanit duke thënë "Mos u friko, mos u tërheq, mos u pikëllo, mos u dëshpëro". Videoja në fjalë ka marrë pëlqime të shumta.

Ndërkohë, Muhammed Sidik Al Amadi, kameramani i pensionuar i familjes Al Thani i cili tani drejton një dyqan aksesorësh për automjete, për AA theksoi se kërkesa për posterët është shumë e lartë dhe për këtë arsye shtypshkronjat kanë vështirësi të arrijnë në kohë në plotësimin e kërkesave për posterët e Al Thanit dhe Erdoğanit.

Ai tha se vendosja e këtyre posterëve është shenjë falënderimi për solidarizimin me Katarin. 
"Posaçërisht të rinjtë tanë porosisin këso lloj posterësh për të falënderuar ata, sepse u solidarizuan me Katarin e gjendur në bllokadë", vuri në dukje Al Amadi.


Më të lexuarat