Forcat e sigurisë në Arabi Saudite parandalojnë sulm terrorist në tokat e shenjta

Pesë policë dhe gjashtë shtetas të huaj janë plagosur lehtë dhe pesë terroristë janë arrestuar gjatë operacioneve antiterroriste në qytetet Mekë dhe Xhide në Arabinë Saudite, raporton Aandolu Agency (AA)

Sipas një njoftimi nga Ministria e Brendshme e Arabisë Saudite, forcat e sigurisë kanë ndërmarrë bastisje ndaj dy celulave në Xhide dhe Mekë për të parandaluar akte që mund të kishin në shënjestër kryesit e ritualit të Umres në tokat e shenjta, përfshirë edhe Xhaminë e Shenjtë në Meke.

Siç theksohet, në operacionin ndaj një celule në një shtëpi trekatëshe në lagjen Exhjad al Masafi në Mekë, një person për të cilin është konstatuar të përgatiste sulm vetëvrasës ka hyrë në përleshje me forcat e sigurisë pasi nuk i është bindur urdhrit për dorëzim, ndërsa më pas ka shpërthyer veten duke shkaktuar rrënimin e shtëpisë trekatëshe.

Në ndërtesën e rrënuar si rezultat i shpërthimit thuhet se janë plagosur pesë policë dhe gjashtë shtetas të huaj të cilët janë dërguar në spital, ndërsa gjatë bastisjeve janë arrestuar pesë terroristë, prej të cilëve njëra femër.

Gjithashtu, njoftohet se janë duke vazhduar hetimet ndaj celulës së terroristëve dhe vendin e shpërthimit dhe procedurat për identifikimin e sulmuesit vetëvrasës.

"Këto sulme të planifikuara nga disa qarqe të jashtme që kishin për qëllim të prishnin sigurinë dhe stabilitetin e tokave të shenjta, me lejen e Zotit u penguan pa ia arritur qëllimit. Ministria e Brendshme do të vazhdojë me kujdes aktivitetet për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.


Më të lexuarat