Abuzime të reja seksuale të Kishës Katolike në SHBA

50 dioqeza dhe urdhra fetarë kanë zbuluar publikisht emrat e më shumë se 1.000 priftërinjve dhe të tjerëve të akuzuar për abuzime seksuale me fëmijë.

 

WASHINGTON (AA) - Kisha Katolike në SHBA është zhytur edhe më thellë në krizë, pasi së fundmi janë zbuluar dëshmi të reja të abuzimit seksual të klerikëve ndaj të miturve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dëshmia e fundit e përmasave të mëdha u zbulua të enjten në një raport ekskluziv të Associated Press (AP), e cila tha se rreth 50 dioqeza dhe urdhra fetarë kanë zbuluar publikisht emrat e më shumë se 1.000 priftërinjve dhe të tjerëve të akuzuar për abuzime seksuale me fëmijë.

Zhvillimi vjen pas raportit të jurisë së madhe të Pensilvanisë gushtin e kaluar, ndërkohë që 55 organizime të tjera fetare planifikojnë të bëjnë të njëjtën gjë në muajt e ardhshëm.

Lista më e madhe e emrave erdhi nga Provinca Perëndimore e Jezuitëve, urdhër fetar që përfshin nëntë shtete amerikane perëndimore, i cili identifikoi 111 priftërinj, tha raporti i AP-së.

Kryedioqeza e New Orleans dhe Dioqeza e Syracuse në New York kanë shpalosur 61 dhe 57 emra respektivisht. Ndërkohë, një dioqezë në Montana shpalosi 47 emra dhe Kryedioqeza e Los Angeles raportoi për më shumë se 50 emra nga dekada e kaluar.

AP tha se kanë gjetur gjithashtu se "rreth 20 hetime lokale, shtetërore ose federale, qoftë penale apo civile, janë nisur që nga publikimi i gjetjeve të jurisë së madhe".

Por raporti, duke cituar ekspertë, tha se shumë prej listave nuk janë të plota.

Terence McKiernan, bashkëdrejtues i BishopAccountability.org, platformë online që ka gjurmuar abuzimet për më shumë se një dekadë, tha për AP se shumë dioqeza kanë lënë anash emrat e abuzuesve të njohur që platforma e tij i ka publikuar në bazën e saj të të dhënave në internet.

Hetimi i jurisë së madhe të Pensilvanisë kishte zbuluar se të paktën 1.000 fëmijë ishin abuzuar nga Kisha Katolike.

Sipas hetimit, më shumë se 300 priftërinj në mbarë shtetin e Pensilvanisë ishin mbrojtur nga Kisha Katolike pasi kishin abuzuar seksualisht fëmijët.

Raporti ishte publikuar pas një hetimi 18-mujor mbi abuzimin që përfshinte gjashtë dioqeza të kishës dhe kishte zbuluar më shumë se 1.000 viktima fëmijë, djem dhe vajza. Juria kishte theksuar se besonte se numrat janë shumë më të lartë për shkak të humbjes së regjistrave.

Hetimi zbuloi se priftërinjtë jo vetëm që kishin abuzuar seksualisht fëmijët, por edhe se kisha katolike kishte mbuluar incidentet për të mbrojtur priftërinjtë dhe imazhin e saj.

"Çështja kryesore nuk ishte të ndihmohen fëmijët, por të shmanget skandali", theksonte raporti.

Kisha nuk ishte i vetmi entitet i përfshirë në fshehjen e incidenteve. Raporti kishte gjetur se policia kishte mësuar rreth disa rasteve të abuzimit seksual dhe nuk kishte pranuar t'i procedonte ato.

Shumica e rasteve datonin para vitit 2000.

Raporti detajonte rrëfimet e dhjetëra individëve të cilët ishin abuzuar dhe sulmuar nga priftërinjtë dhe u ishte thënë të mos tregonin asgjë për incidentet.


Më të lexuarat