“Turqia nuk lufton kundër kurdëve, por kundër terroristëve”

ANKARA (AA) - Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka deklaruar se lufta e Turqisë në rajon nuk është kundër kurdëve, por kundër terroristëve të PKK/YPG-së dhe DEASH-it, duke e kthyer prapa idenë e gabuar të SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Lufta e Forcave të Armatosura Turke (TSK) nuk është kundër vëllezërve tanë kurdë me të cilët kemi ndarë gjeografinë e njëjtë dhe të njëjtën bukë për shekuj me radhë. Lufta jonë në rajon është kundër terroristëve të PKK/YPG-së dhe DEASH-it që kërcënojnë të gjitha grupet etnike dhe fetare, veçanërisht vëllezërit tanë kurdë, arabë dhe turkmenë”, deklaroi Akar për AA.

Komentet e ministrit Akar vijnë një ditë pasi këshilltari i sigurimit kombëtar i SHBA-ve, John Bolton, tha se SHBA-të nuk do të tërheqin trupat nga Siria verilindore, përveç nëse qeveria turke garanton se nuk do të sulmojë “luftëtarët kurdë”, duke iu referuar grupit terrorist PKK/YPG.

Akar theksoi se PKK/YPG-ja terroriste nuk mund të jetë kurrë përfaqësues i popullit kurd.

“Ky grup terrorist përbën një kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe parandalon refugjatët sirianë, veçanërisht kurdët, që të kthehen në territoret e tyre”, u shpreh Akar.

Në fushatën e saj 3-vjeçare terroriste, PKK ka marrë jetën e rreth 40 mijë personave. PKK/YPG-ja është dega e saj siriane.

Turqia ka deklaruar se planifikon një operacion kundër terrorizmit në Siri duke shënjestruar PKK/YPG-në, pas dy operacioneve të suksesshme që nga viti 2016.


Më të lexuarat