"Një shtet demokratik që mbështet një organizatë terroriste"

WASHINGTON (AA) - Mbështetjen që ia dha presidenti i dikurshëm i SHBA-së, Barack Obama organizatës terroriste YPG/PKK për të mbuluar dështimet politike dhe ushtarake në Siri është kthyer në një strategji të rëndësishme të SHBA-së, me çka vazhdon të ngjallë habi dhe enigmë, si një vend demokratik ka pranuar për partner një organizatë terroriste, shkruan Anadolu Agency (AA).

Marrëdhëniet e SHBA-së me YPG/PYD, dorën e zgjatur të PKK-së në Siri, kanë filluar në fund të vitit 2014 duke i mbështetur me sulme ajrore, kur SHBA për herë të parë mbështeti këtë organizatë terroriste në Kobani.

Obama, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, më vonë përveç mbështetjes ajrore urdhëroi që kësaj organizate, e cila kërcënohej territorialisht nga organizata terroriste DEASH, përmes rrugëve ajrore të furnizohet me armë dhe municione.

Më vonë ushtria amerikane ndihmën në armë për këtë organizatë e shihte si një detyrë rutinë, por Pentagoni, megjithatë për një kohë të gjatë vazhdoi të mohonte akuzat se i ka ofruar ndihmë me armë YPG/PKK-së.

Obama në shtator të vitit 2015, tha se do të bashkëpunojë me partnerët lokalë, pasi i dha fund programit të trajnimit për forcat opozitare në Siri.

Mbështetja për YPG/PKK nën kujdesin e Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane (CENTCOM) është kryer në bazë të "koalicionit të imagjinuar të arabëve sirianë" për të cilën më parë opinioni nuk ka ditur asgjë.

Pentagoni insistonte se kamionët me armë që janë dërguar në Siri kanë përfunduar në duart e "koalicionit të arabëve sirianë" dhe jo të YPG/PKK-së, por këto pretendime nuk ishin të besueshme as për mediat turke dhe as për ato të SHBA-së.

Gazeta amerikane "The New York Times" bëri një studim në të cilën konkludoi se "koalicioni i arabëve sirianë" përbëhet vetëm nga tre emra, duke shtuar se në këtë rajon, përveç YPG/PKK nuk ka ndonjë organizatë tjetër me të cilin SHBA-ja ka partneritet.

- Pas formimit të SDF-së, "koalicioni i arabëve sirianë" shkoi në harresë

YPG/PKK me mbështetjen e SHBA-së filloi të shtrihej në të gjithë territorin sirian, ku përveç kurdëve jetojnë edhe arabët dhe turkmenët ndërsa me rekomandimin e SHBA-së u formua edhe "organizata mbulesë" Forcat Demokratike Siriane (SDF).

Menjëherë pas formimit të SDF-së, "koalicioni i arabëve sirianë" u harrua plotësisht.

Derisa presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump në maj të vitit 2017 nuk dha urdhër që YPG/PKK-së t'i dërgohen armë në mënyrë direkte, Pentagoni pretendonte se ndihma në armë i ofrohet "koalicionit të arabëve sirianë" nën mbulesën e Forcave Demokratike Siriane.

Pas urdhërit të Trumpit që lidhet me operacionin në Rakka, zyrtarët amerikanë më kurrë nuk e përmendën fjalën "koalicioni i arabëve sirianë".

- Deklaratat e zyrtarëve të SHBA-së rreth PKK-së

Administrata e SHBA-së marrëdhëniet me organizatën terroriste YPG/PKK i ka përshkruar si "të kushtëzuara", "të kufizuara" dhe "të përkohshme", duke argumentuar se armët e dërguara nuk i janë dorëzuar PKK-së ashtu që krahu i tyre i zgjatur t'i përdorte kundër Forcave të Armatosura Turke (TSK).

Ish-zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert pati deklaruar se SHBA-të nuk e konsiderojnë YPG-në si krahu i zgjatur i PKK-së dhe as organizatë terroriste, por deklaratat e zyrtarëve amerikanë dhe dokumentet e institucioneve amerikane megjithatë nxorrën si të pabaza këto pretendime.

Kështu, Qendra Kombëtare për Luftimin e Terrorizmit e SHBA-së në listën e organizatave terroriste kishte përfshirë YPG-në dhe PYD-në, si degë e PKK-së në Siri.

Pas pyetjes së AA lidhur me këtë çështje, Qendra Kombëtare Anti-Terroriste e hoqi pjesën e YPG/PKK-së nga faqja zyrtare e internetit.

Përveç kësaj, AA arriti deri te raporti i Këshillit të Inspektimit për aktivitetet e Pentagonit në Siri, ku flitet për marrëdhëniet e organizatave terroriste YPG dhe PYD me PKK-në.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) në një raport të vitit 2018, po ashtu potencon se YPG dhe PYD janë degë të PKK-së në Siri.

Ish Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ashton Carter në vitin 2016 gjatë një adresimi në Senat pranoi se YPG është degë PKK-së në Siri, ku të njëjtën gjë e pranuan edhe disa zyrtarë të lartë të SHBA-së.

Komandanit i Forcave Operacioneve Speciale të Ushtrisë amerikane (USSOF), gjenerali Raymond Thomas, theksoi se SHBA-të duhet t'i japin një emër të ri YPG-së dhe propozoi emrin Forcat Demokratike Siriane (SDF).

Ai vuri në dukje se ai kishte bërë një propozim të tillë që Turqia të mos kundërshtonte dërgimin e ndihmës në armë për këtë organizatë.

- Në vend që t'i japin fund ndihmës, SHBA u përpoqën të bëjë ushtri nga YPG/PKK-ja

Sipas dokumenteve të Pentagonit që ka arritur gazetari i AA, SHBA-ja në buxhetin për vitin 2017 kishte ndarë 500 milionë dollarë për të ndihmuar organizatën terroriste YPG/PKK ndërsa në buxhetin për vitin 2018 edhe 50 milionë dollarë më shumë.

Në pikat e buxhetit për vitin 2017, me gjysëm miliard dollatë të parashikuara për YPG/PKK-në është premtuar artileri dhe disa ton municione, por Pentagoni zyrtarisht pohon se ky është një plan-buxhet që nuk duhet të zbatohet detyrimisht.

Pentagoni në disa raste ka premtuar se pas përfundimit të luftës kundër terroristëve të DEASH-it, do t'i japë fund mbështetjes për terroristët e YPG/PKK-së dhe do të tërheqë të gjitha armët e rënda që ia ka dhënë kësaj organizate.

Pas pushtimit të Rakkës, terroristët e YPG/PKK-së filluan sulmet në rajonin e pasur me naftë të Deir ez-Zor, ndërkaq zyrtarët amerikanë theksuan se në këtë fazë nuk do të tërheqin artilerinë, por se do të vazhdojnë të mbështesin YPG/PKK-në deri sa të zgjasë lufta kundë DEASH-it.

Në atë periudhë u pronocua edhe koalicioni ndërkombëtar në luftën kundër DEASH-it në Siri, i udhëhequr pikërisht nga SHBA-të.

Ish-zëdhënësi i koalicionit Ryan Dillon deklaroi se në verilindje të Sirisë, e cila u pushtua nga terroristët e YPG/PKK-së, do të formohen të ashtuquajturat forcat e sigurisë së kufijve që do të numërojnë deri në 30.000 ushtarë.

Dillon tha se 15.000 anëtarë të kësaj force do të ishin nga të ashtuquajturat Forca Demokratike Siriane (SDF), e cila është një mbulesë nën të cilën veprojnë terroristët e YPG/PKK-së. Gjysma tjetër e forcave të planifikuara kufitare do të angazhoheshin më vonë.

Kjo deklaratë shkaktoi reagime të ashpra, kryesisht nga Turqia. Pas kundërshtimeve turke, SHBA-të thanë se forcat e parapara nuk janë planifikuar për sigurinë në kufirin turko-sirian, por se këto forca janë planifikuar për kujdesin e sigurisë në brendësi të kësaj pjese të Sirisë.

Reporteri i AA-së arriti deri tek dokumentet e Pentagonit të cilat zbulojnë një plan të fshehtë të SHBA-së.

Në buxhetin për vitin 2018, Pentagoni ka ndarë 300 milionë dollarë për të armatosur terroristët e YPG/PKK-së dhe 250 milionë dollarë janë paraparë për nevojat e masave të sigurisë kufitare.

Pavarësisht se Washingtoni zyrtar mohon se këto fonde kanë shkuar në duart e terroristëve të YPG/PKK-së, ende vazhdon kohë pas kohe të përmendet formimi i një ushtrie të veçantë në verilindje të Sirisë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së SHBA, Joseph Dunford muajin e kaluar në një panel tha se SHBA-të palinifikojnë që të trajnojnë ushtrinë e cila në verilindje të Sirisë do të numëron midis 30.000 dhe 45.000 pjesëtarë, duke shtuar se deri më tani janë trajnuar vetëm 20 për qind e tyre.

- SHBA-ja nuk arriti të përmbushë premtimet e saj ndaj Turqisë

SHBA nuk përmbushi premtimet për të tërhequr armët e rënda që ia kishte dhënë terroristëve të YPG/PKK-së, sikurse që nuk përmbushi premtimet për tërheqjen e terroristëve nga qyteti Munbixh, i cili ndodhet në brigjet e lumit Eufrat.

Pentagoni fsheh sasinë e armëve që ua ka dërguar terroristëve të YPG/PKK-së, por pala turke ka arritur deri tek të dhënat se në verilindje të Sirisë janë dërguar mbi 4.000 kamionë me armë amerikane.

Pas përfundimit të operacionit në Rakka, SHBA-të paralajmëruan rishikimin e ndihmës për terroristët e YPG/PKK-së, por në këtë kontekst deri më tani nuk është bërë asgjë.

Me mbështetjen e SHBA-së, terroristët e YPG/PKK-së kaluan në bregun perëndimorë të Eufratit dhe pushtuan qytetin Munbixh. Washingtoni ka dhënë një premtim të fortë për largimin e terroristëve nga kjo zonë.

Komanda Amerikane CENTCOM dhe komanda e koalicioni pro-amerikan kundër DEASH-it, lëshuan nga një deklaratë në të cilat shprehin kënaqësinë e tyre lidhur me pretendimet për tërheqjen e YPG/PKK-së nga Munbixhi.

Situata në terren qëndron krejtësisht ndryshe, sepse terroristët mbetën në këtë rajon dhe morën pushtetin lokal.

Pas operacioneve të suksesshme "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e Ullirit", Turqia paralajmëroi operacionin e saj të radhës për çlirimin e Munbixhit, e cila shqetësoi tejmase SHBA-të.

Në qershor të vitit të kaluar, SHBA dhe Turqia arritën një marrëveshje për udhërrëfyesin e Munbixhit. Sipas kësaj marrëveshjeje, forcat turke dhe amerikane njoftuan patrulla të përbashkëta në rajon, largimin e terroristëve të YPG/PKK-së ndërsa autoritetet lokale nga terroristët do të kalojnë në duart e banorëve vendas.

Fillimisht u paralajmërua se marrëveshja do të zbatohej për një periudhë prej 90 ditësh, por kjo nuk ndodhi. Terroristët e YPG/PKK-së vazhdojnë të mbajnë qytetin të pushtuar duke vazhduar të hapin istikame dhe fortifikikata.

- Reagimet ndaj vendimit të Trumpit për tërheqje nga Siria

Presidenti i SHBA-së Donald Trump në disa raste paralajmëroi për tërheqjen e ushtrisë nga Siria ndërsa një vendim të tillë e njoftoi pas bisedës telefonike të muajit të kaluar me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdoğan.

Washingtoni zyrtar priti me pakënaqësi vendimin e Trumpit ndërsa në Pentagon kjo shkaktoi indinjatë të theksuar.

Disa zyrtarë të lartë të SHBA-së, përfshirë edhe senatorët nga Karolina, akuzuan Trumpin se i ka lënë në baltë terroristët e YPG/PKK-së me të cilët ka luftuar kundër terroristëve të DEASH-it.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis dha dorëheqje pasi Trump njoftoi tërheqjen nga Siria. Pasuan dorëheqjet e shumë zyrtarëve të Pentagonit. Po ashtu edhe mediat amerikane po bëjnë fushatë kundër këtij vendimi të Trumpit.

Disa burime fillimisht njoftuan se tërheqja e ushtrisë amerikane nga Siria duhet të përfundojë në maksimum brenda tre muajsh, por pas presionit intensiv, dy ditë më parë Trump tha se ky do të jetë një proces afatgjatë.

Nën ndikimin e presionit, Trump ka ndryshuar tonin me të cilin njoftoi më parë tërheqjen e trupave. Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump javën e kaluar senatorit Graham i premtoi se DEASH-i do të mposhtet, dhe YPG/PKK-ja do të jetë e mbrojtuar përpara çfarëdo tërheqjeje nga Siria.

Trump personalisht pati deklaruar se ushtria amerikane nuk do të mbetet përgjithmonë në Siri dhe se dëshiron të mbrojë kurdët. Ai po ashtu pati thënë se nuk ka përcaktuar afate kohore kur bëhet fjalë për kthimin e trupave amerikane nga Siria.

 


Më të lexuarat