Britania nuk i dorëzon Venezuelës ar në vlerë 1.2 miliard dollarë

BUENOS AIRES (AA) - Banka Qendrore Britanisë së Madhe nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) refuzoi t'i dorëzojë Venezuelës arin në vlerë prej 1.2 miliardë dollarë, i cili është pronë e atij shteti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kompania amerikane Bloomberg bën të ditur se në Bankën Qendrore të Britanisë së Madhe ndodhen rezerva të arit venezuelas me vlerë prej 8 miliardë dollarë, për çka vendi ka kërkuar t'i dorrëzohet një sasi prej 1.2 miliard dollarësh, por Britania e ka refuzuar një kërkesë të tillë.

Mediat amerikane nga ana e tyre shkruajnë se Britania e Madhe ka refuzuar të dorëzojë arin e kërkuar nga shkaku i presionit që ka ushtruar presidenti i SHBA-ve Donald Trump mbi sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe këshilltarin e presidentit për Siguri Kombëtare, John Bolton.

Kjo është një betejë disamujore e Venezuelës, për çka drejtori i Bankës Qendrore, Calixto Ortega, dhjetorin e kaluar vizitoi Britaninë e Madhe me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje për transferimin e arit, e cila nuk u arrit.

Presidenti i Parlamentit Kombëtar të Venezuelës, Juan Guaido, i cili u shpall president i përkohshëm i vendit, iu drejtua pjesëtarëve të forcave të armatosura të vendit duke thënë:

"Kur nuk do të merrni pagën tuaj, atëherë do të shohim besnikërinë që keni ndaj rrëmbyesit tuaj (presidentit Nicolas Maduro)".

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt tha pas takimit me zyrtarët amerikanë se është e qartë se Nicolas Maduro nuk është një udhëheqës legjitim i Venezuelës dhe se Juan Guaido është personi i duhur për ta çuar vendin përpara.

Venezuela është përfshirë nga protesta masive të udhëhequra nga opozita që mban shumicën në parlamentin e vendit. Protestat në Venezuelë filluan më 10 janar, në ditën kur Nicolas Maduro dha betimin dhe filloi mandatin e dytë të tij si president i vendit.

Opozita në Venezuelë nuk e njeh pushtetin e presidentit Maduro ndërsa kreu i opozitës së këtij vendi, Guaido, të mërkurën u vetëshpall president i përkohshëm.

Presidenti Maduro nga ana e tij ka akuzuar opozitën se po synon një grusht shteti me përkrahjen e administratës amerikane. 


Më të lexuarat

03:37:22pm