Erdoğan: Së shpejti do ta kthejmë paqen edhe në lindje të Eufratit

STAMBOLL (AA) - Forcat turke shumë shpejt do të pastrojnë të gjitha mbetjet e organizatës terroriste DAESH nga Siria, terroristët e lënë atje me qëllim dhe ata të stërvitur kundër Turqisë, tha presidenti i vendit Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

"Ashtu si në rajone të tjera ku kemi garantuar sigurinë, edhe lindjes së Eufratit së shpejti do t'ia kthejmë paqen, sigurinë dhe stabilitetin", tha Erdoğan, duke iu referuar një operacioni të premtuar antiterrorist përgjatë kufirit të Turqisë, pas dy operacioneve të ngjashme që nga viti 2016.

 "Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të jemi në kontakt me fuqitë që kanë prani ushtarake në terren, veçanërisht SHBA-në dhe Rusinë", tha Erdoğan në një eveniment të Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë në Stamboll.

"Bisedime pozitive" janë mbajtur me Washingtonin dhe Rusinë, shtoi presidenti turk.

Në ditët e fundit, zyrtarët turq kanë thënë se Turqia ka përfunduar të gjitha përgatitjet për një operacion në lindje të Eufratit në veri të Sirisë, për të cilin Ankaraja ka theksuar se do t'i shërbejë integritetit territorial të vendit të shkatërruar nga lufta.

Që nga viti 2016, operacionet "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e Ullirit" në Sirinë veriperëndimore kanë çliruar rajonin, përfshirë qytetet Al-Bab, Afrin dhe Azez, nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DAESH-it, duke bërë të mundur që sirianët e larguar nga dhuna të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30 vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, ndërsa YPG/PYD është dega e saj siriane.

Në fjalën e tij, Erdoğan gjithashtu tha se thirrjet e të shtypurve vazhdojnë në vende të ndryshme të botës islame.

"Bota islame nuk ka qenë në gjendje të zhvillojë një luftë efektive dhe të suksesshme për t'u përballur me krizat që ndodhin në shumicën e territoreve të saj", tha ai.


Më të lexuarat

03:58:48pm