Siri, forcat e regjimit shkatërrojnë në tërësi dy qyteza në Idlib

IDLIB (AA) - Dy qyteza të Idlibit në veri të Sirisë janë shkatërruar në tërësi si pasojë e sulmeve të ashpra të regjimit të Bashar al-Asadit në dy muajt e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Qytezat Tuh dhe Jarjanaz janë përballur me sulme intensive të forcave të regjimit në dy muajt e fundit, përkundër pastrimit të armëve të rënda të parapara nga marrëveshja e Soçit e nënshkruar midis Turqisë dhe Rusisë.

Dhjetëra mijëra familje të këtyre dy qytezave janë detyruar të migrojnë dhe strehohen në kampet në afërsi të kufirit me Turqinë.

Mijëra shtëpi janë shkatërruar ose janë dëmtuar rëndë si rezultat i sulmeve me artileri në këto qyteza, të cilat ndodhen vetëm 12 kilometra larg nga linja e frontit e regjimit, ndërsa dhjetëra civilë kanë humbur jetën.

Këshillat lokalë i kanë shpallur vendbanimet në fjalë si "qyteza të shkatërruara" për shkak të largimit të afërsisht 85 për qind të popullsive të tyre.

Medjad Gaxhar, anëtar i këshillit lokal në Tuh, tha për AA se qyteza prej dy muajsh sulmohet me artileri nga ana e regjimit të Asadit.

"Njerëzit ishin të shqetësuar për jetën e tyre, andaj migruan në kufirin e Turqisë dhe vendbanime më të sigurta", theksoi ai.

Ndërkaq, Muhamed Halaxhi, drejtori i Agjencisë së Ndërhyrjeve të Sirisë, organizatë që ndjek migrimet dhe ndihmon civilët në nevojë, tha se në Tuh jetonin 33.000 familje, vendase dhe të ardhura, ndërsa aktualisht 85 për qind prej tyre kanë migruar.

"Në Jarjanaz jetonin 4.000 familje, ndërsa aktualisht janë vetëm 520 familje. Nëntë shkolla në këto qyteza, një furrë dhe një spital janë bërë jofunksionale", njoftoi Halaxhi.

Shaman Ramdani, banor në Tuh, thotë se vendi sulmohet edhe pse në të nuk gjenden armë të rënda.

"Për shkak të sulmeve të ashpra të forcave të regjimit, institucionet e shërbimeve kanë ngelur jofunksionale", theksoi ai.

Po ashtu, Ahmet Rashidi, banor tjetër, tha se sulmet e forcave të regjimit janë të përditshme dhe se si pasojë e tyre, qyteza ka ngelur e zbrazur.


Më të lexuarat