SHBA, mijëra fëmijë emigrantë të paraburgosur janë abuzuar seksualisht

Pretendohet se në SHBA, mijëra fëmijë dhe të rinj emigrantë që mbahen të paraburgosur të ndarë nga familjet e tyre janë abuzuar seksualisht, transmeton Anadolu Agency (AA).

Portali i lajmeve Axios njoftoi se sipas dokumenteve të Departamentit Amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), për të cilat ka deklaruar se i ka siguruar nga zyra e anëtarit të Kongresit republikanit Ted Deutch, mësohet se në 4 vitet e fundit janë ngacmuar seksualisht mijëra fëmijë emigrantë të paraburgosur të cilët janë të pashoqëruar nga familjet e tyre. 

Në dokumente theksohet se gjatë periudhës tetor 2014 - korrik 2018 në Zyrën për Vendosjen e Refugjatëve pjesë e HSS janë kryer 4 mijë e 556 ankesa, dhe 1 mijë e 300 të tjera në Departamentin Amerikan të Drejtësisë në lidhje me abuzimet seksuale. 

Në ankesa, janë shprehur akuza të tilla se në qendrat e paraburgimit, fëmijëve dhe të rinjve emigrantë u janë treguar video pornografike nga punonjësit e rritur të stafit si dhe janë detyruar që të prekin organet e tyre seksuale. 

Kongresmeni Ted Deutch është shprehur se "Kjo sjellje është vërtet e neveritshme dhe e ulët. Kjo ngjarje është fillimi i pyetjeve që HHS duhet të përgjigjet se çfarë ka bërë pas këtyre pretendimeve dhe për atë çfarë po ndodh në këto qendra (ku mbahen fëmijët emigrantë)". 

Ndërsa zëdhënësja e HHS, Caitlin Oakley, në një deklaratë pas këtyre pretendimeve ka bërë të ditur se në zbatimin e programit për fëmijët e huaj të pashoqëruar, shqetësimi më i madh i tyre është siguria e të vegjëlve. 

"Këta janë fëmijë të pambrojtur nën kushte të vështira dhe Zyra për vendosjen e refugjatëve e di përgjegjësinë se çdo fëmijë duhet të trajtohet me kujdes maksimal. Çdo pretendim për sjellje të pahijshme, abuzim seksual ose neglizhencë merret seriozisht dhe veprohet me shpejtësi për të hetuar dhe për t'i dhënë përgjigje", ka deklaruar Caitlin Oakley.


Më të lexuarat