Mesxhidi Aksa, falet namazi i xhenazes në mungesë për të rinjtë e ekzekutuar në Egjipt

Në Mesxhidi Aksa i cili ndodhet në zonën e ‘Qytetit të Vjetër‘ në Kudsin Lindor nën okupim u fal namazi i xhenazes në mungesë për të rinjtë e ekzekutuar në Egjipt, raporton Anadolu Agency (AA).

Sheikh Abu Yusuf Sneia, një nga imamët e Mesxhid-i Aksa-s ka njoftuar për faljen e namazit të xhenazes në mungesë për të gjithë dëshmorët e rënë dhe kryesisht për të rinjtë e ekzekutuar në Egjipt dhe për personat që kanë humbur jetën në aksidentin hekurudhor në Kajro.

Ndërsa bëhet e ditur se rreth 20 palestinezë të dënuar nga policia izraelite me largim nga Mesxhid-i Aksa e falën namazin e xhumasë në portën Al-Esbat (Lion) të Mesxhid al-Aksasë.

Në hutben e mbajtur nga ish-vaizi dhe drejtori udhëzues i Mesxhid-i Aksa-s, Sheikh Raid Dana u theksua se janë të papranueshme praktikat e Izraelit.

Sipas një deklarate me shkrim nga Administrata e Fondacionit Islam të Kudsit thuhet se pavarësisht kushteve të këqija të motit në zonën e Mesxhid-i Aksasë namazin e xhumasë e kanë falur më shumë se 30 mijë njerëz.

Kujtojmë se më 20 shkurt në Egjipt u ekzekutuan dënimet me vdekje për 9 të rinjtë të cilët u dënuan në lidhje me gjykimin e kryer për atentatin ndaj kryprokurorit egjiptian, Hisham Berekat në vitin 2015. Në këtë mënyrë është rritur në 42 numri i personave të ekzekutuar me dënim me vdekje në Egjipt që nga 8 qershori 2014 që kur ka ardhur në detyrë presidenti Abdel Fattah el-Sisi. Ndërkohë në Egjipt ndodhen edhe 50 të dënuar të tjerë ndaj të cilëve është dhënë dënimi me vdekje dhe janë në pritje të ekzekutimit të dënimit.

Në aksidentin hekurudhor që ndodhi të mërkurën në stacionin e trenit në rajonin Ramses në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, humbën jetën 22 persona dhe u plagosën 43 të tjerë. Pas ngjarjes u njoftua se aksidenti i trenit ka ndodhur si pasojë e grindjes së drejtuesve të trenave.


Më të lexuarat