"Disa vende muslimane kanë filluar të dridhen nga frika para SHBA-ve dhe Izraelit"

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, deklaroi se shihet se disa vende të caktuara muslimane kanë filluar të dridhen nga frika nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Izraeli, raporton Anadolu Agency (AA).

"Disa nga këto vende, madje edhe palestinezëve u thonë që të mos e ngrenë zërin. Flas për vende muslimane, e jo për Amerikën. A të tillët të kujdesen për Kudsin? Gjatë dy vjetëve të fundit kundër SHBA-ve dhe Izraelit me shumicë të madhe janë miratuar vendime në samite islame dhe Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me ç’rast mund të shihnim të gjithë qyqarinë dhe frikën e disa vendeve muslimane", tha Mevlüt Çavuşoğlu.

Në Turqi më 31 mars do të mbahen zgjedhje lokale, ndërsa në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore, ministri Mevlüt Çavuşoğlu zhvilloi takim me përfaqësuesit e partisë në pushtet, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Hatay.

Duke theksuar se Turqia po kalon nëpër sfida të vështira dhe se shumë qendra të fuqisë dëshirojnë ta shembin pushtetin turk, ai tha se Turqisë momentalisht i nevojitet unitet.

"Turqisë i janë vënë shumë pengesa në rrugën drejt ngritjes, ndërsa të gjitha këto pengesa i tejkaluam dhe me vendosmëri shkojmë përpara", porositi kryediplomati turk.

Ai njoftoi vazhdimin e luftës vendimtare kundër terrorizmit brenda Turqisë, por edhe në Siri dhe në Irakun fqinj.

Çavuşoğlu shtoi se Republika e Turqisë do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e palestinezëve dhe të Kudsit dhe, si shtet i pavarur, do të marrë vendimet e veta dhe do të mbajë flamurin e nderuar turk në të gjitha pjesët e botës.


Më të lexuarat