Në të gjitha xhamitë e Kosovës të premten bëhen lutje për viktimat e terrorit në Zelandë të Re

Në shenjë solidarizimi me 50 jetë të humbura, në dy xhami si pasojë e dy sulmeve terroriste në Zelandë të Re, Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë vendim që të premten, kur edhe bëhet një javë nga vrasja të bëhen lutje për viktimat e këtyre sulmeve.

Këtë njoftim BIK e ka bërë përmes llogarisë në Facebook ku thuhet se e premtja do t’i kushtohet parimeve të mësimeve islame për ruajtjen e paqes dhe të mirëbesimit.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka marrë vendim që, ditën e premte, 22 mars 2019, në të gjitha xhamitë e Kosovës, hytbeja e xhumasë t’i kushtohet parimeve e mësimeve islame për ruajtjen dhe ndërtimin e paqes, mirëbesimit, respektit ndaj tjetrit dhe bashkëjetesës me etni e besime të tjera.

Po ashtu, nga hytbeja e xhumasë do bëhet lutje për shpirtrat e viktimave të aktit të terrorit në xhamitë e qytetit Christchurch të Zelandës së Re, ku u ekzekutuan 50 besimtarë myslimanë derisa po falnin namazin e xhumasë.” thuhet në njoftim.

Kujtojmë se në sulmin terrorist mbi xhamitë në Zelandë të Re, mbetën të vdekur rreth 50 persona.


Më të lexuarat