Turqia kritikon vendet arabe për heshtje ndaj masës mbi Golanin

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka kritikuar “disa vende arabe” për heshtjen e tyre ndaj masës së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për njohjen e sovranitetit izraelit mbi Lartësitë e Golanit të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një tubim elektoral në provincën jugore Antalya, Çavuşoğlu tha se Bashkimi Evropian (BE) reagon, por “disa vende arabe” nuk janë në gjendje të ngrenë zërin për shkak të frikës nga SHBA-të dhe Izraeli.

“Nuk po them të gjitha vendet arabe. Nuk mendoj për Jordaninë dhe Katarin. Mendoj për vendet që po i përkulen SHBA-ve dhe nuk ngrenë zërin e tyre mbi pushtimin izraelit në Kuds”, deklaroi ministri Çavuşoğlu.

Të hënën, Trump nënshkroi një deklaratë presidenciale me të cilën zyrtarisht njohur Lartësitë e Golanit si territor izraelit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) deklaroi se pavarësisht njoftimit të Trumpit, sipas ligjit ndërkombëtar Lartësitë e Golanit do të vazhdojnë të konsiderohen si “territor i pushtuar”.

Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit nga Siria gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967 dhe në vitin 1981 e aneksoi zyrtarisht territorin në një lëvizje të refuzuar njëzëri në atë kohë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Izraeli vazhdon t’i mbajë nën pushtim rreth dy të tretat e rajonit më të gjerë të Lartësirave të Golanit.


Më të lexuarat