Sulmet në Sri Lankë, rritet numri i të vdekurve

Në sulmin ndaj kishave dhe hoteleve në Sri Lankë, numri i të vdekurve është rritur në 207, prej të cilëve 27 janë shtetas të huaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në orët e mëngjesit në vend janë kryer sulme ndaj një kishe në Batticaloa, ndaj kishave St. Anthony's në Kochchikade dhe St. Sebastian në Katana si dhe ndaj hoteleve me pesë yje Shangri-La, Cinnamon Grand dhe Kingsbury në kryeqytetin Colombo.

Pas sulmeve të mëngjesit, në Kopshtin Zoologjik në periferinë e kryeqytetit, në Dehiwala, ndodhi shpërthimi i 7-të, ndërsa pas sulmit të 8-të u shpall orë policore.

Sipas zyrtarëve, numri i të vdekurve është rritur në 207, ndërsa 27 prej tyre janë shtetas të huaj. Nga informacionet e marra nga burimet diplomatike, në sulme kanë humbur jetën 2 shtetas turq, inxhinierë.

Përgjegjësinë mbi sulmet, prej të cilëve të paktën dy janë sulme kamikaze, ende nuk e ka marrë askush. Ministri i Mbrojtjes i Sri Lankës, Ruwan Wijewardane, tha se 7 të dyshuar janë arrestuar.

Me urdhër të presidentit, nga ora 18.00 deri orën 06:00 të mëngjesit sipas kohës lokale do të zbatohet ora policore. 

"Kam dhënë urdhër që të ndërmerren veprime të fuqishme kundër personave përgjegjës për këtë komplot", tha presidenti i Sri Lankës, Maithripala Sirisena në deklaratën e tij, duke kërkuar nga qytetarët që të ruajnë paqen dhe të mos bien pre e provokimeve dhe dezinformatave.

"U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Sri Lankës që të qëndrojnë së bashku dhe të fortë në këtë periudhë tragjike", u shpreh kryeministri Ranil Wickremesinghe.

Ndërsa ministri i inancave Mangala Samaraweera, në llogarinë e tij në Twitter, sulmin e përshkroi si "përpjekje e koordinuar shumë mirë për të krijuar anarki dhe kaos, e cila shkaktoi vdekjen e shumë njerëzve të pafajshëm".

Qeveria e Sri Lankës ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram, për parandalimin e përhapjes së lajmeve të pabaza.

 


Më të lexuarat