SNHR: Qindra punonjës të medias u vranë në Siri

Rrjeti sirian për të drejtat e njeriut (SNHR), me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, ka bërë të ditur se qindra punonjës të medias janë vrarë dhe qindra të tjerë arrestuar në Siri që nga shpërthimi i konfliktit në këtë vend në vitin 2011, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e SNHR-së, të lëshuar me rastin e 3 majit - Ditës botërore të lirisë së shtypit, theksohet se gjatë kësaj periudhe janë vrarë 695 punonjës të medias, duke përfshirë shumë shtetas të huaj, ndërsa 421 janë arrestuar nga regjimi sirian i Bashar al-Assadit.

Sipas raportit, gjithsej 546 punonjës të medias, duke përfshirë pesë të huaj, u vranë në sulme nga regjimi sirian, 20 të tjerë u vranë nga sulmet ajrore ruse, ndërsa katër gazetarë u vranë nga të ashtuquajturat Forca Demokratike Siriane (SDF), e cila është e lidhur ngushtë me grupin terrorist PKK.

“SDF ka shtypur gazetarët, ka arrestuar dhe torturuar kundërshtarët në zonat nën kontrollin e saj”, theksohet në raport.

Sipas kësaj organizate joqeveritare, në ndërkohë 64 gazetarë, duke përfshirë dy gra dhe tre të huaj, u vranë nga terroristët e DEASH-it, ndërsa 32 të tjerë u vranë nga grupe të armatosura të opozitës.

Më tej, raporti pohon se të paktën një gazetarë u vra në një sulm nga koalicion ushtarak i udhëhequr nga SHBA-të, ndërsa 28 të tjerë u vranë nga grupe të armatosura të panjohura që vepronin në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

Sipas SNHR-së, që nga konflikti i Sirisë që filloi në vitin 2011, janë rrëmbyer 1.136 punonjës të medias, 421 prej të cilëve ende nuk janë liruar.

Nga 180 vende, Siria aktualisht renditet e 174-ta në një indeks të lirisë së shtypit të përpiluar nga organizata joqeveritare në Paris “Reporter pa kufij”, e cila avokon liritë e shtypit.


Më të lexuarat