Qeverisës apo i qeverisur?

18 vjet pas luftës në vendin tonë, janë ndërruar rolet dhe aktorët por skenari ka mbetur gjithnjë i njëjti. 18 vjet mosqeverisje e duhur, korrupsion, nepotizëm, ngecje në procese shumë të mëdha, zhvatje e parasë publike, mungesa e hapjes së vendeve të reja të punës, asnjë fabrikë e hapur dhe të gjitha këto kanë qenë shkak i ikjes së të rinjve nga vendi ynë në mënyrë masive.

18 vjet është bërë lloj-lloj eksperimenti në arsim por gjithnjë pa rezultat dhe pasojat i kanë vuajtur nxënësit ose studentët.

18 vjet nënat, gratë, motrat apo bijat janë diskriminuar në tërësi, vetëm 12% e fermave janë të punësuara krahas numrit të madh të tyre që diplomojnë në vit, e që sipas disa statistikave 1000 femra diplomojnë më shumë se sa meshkujt.

18 vjet në Parlamentin e Kosovës ka pasur vetëm kotje dhe gjumë nga deputetët, ka pasur deputet/deputete që për tërë mandatin asnjëherë nuk e kanë ndezur mikrofonin për të thënë diçka!

18 vjet tym, gaz dhe banalitet gjithnjë në kurriz të qytetarit.

Nëse edhe në këto zgjedhje nuk reflekton qytetari, atëherë ky popull ka një problem madhor.

Është koha që ta lëmë anash interesin familjar, të reflektojmë në të mirë të popullit dhe shtetit.

Sa e sa sharja, akuza e fyerja është bërë ndërmjet partive të pushtetit mes vete dhe opozitës, por në momentin që vjen në pah kolltuku apo interesi i tyre, ata e harrojnë qytetarin e Kosovës dhe u intereson vetëm xhepi i tyre.

Tani është momenti kur qytetari i Republikës së Kosovës të vendosë nëse do të jetë udhëheqës apo i udhëhequr, qeverisës apo i qeverisur!


Zejnepe Jakupi Bytyçi - Malishevë


03:40:30pm