Reagim ndaj tribunës me temë: "Radikalizmi (fetar) si fenomen në komunat Preshevë dhe Bujanoc!”

Me vëmendje përcolla tribunën e mbajtur në Preshevë me temën e lartpërmendur, në të cilën panelist ishte Kryetari i Kuvendit të Preshevës z. Sami Salihu dhe ai i Bujanocit z.Adnan Saliu dhe dy hoxhallarët Nexhmedin Ademi dhe Ismail Halimi.

Dy kryetarët e dy kuvendeve komunale pranuan faktin se në Luginë nuk ka pasur radikalizëm dhe as që do të ketë, si dhe as nuk ka pasur ndonjë rast të lajmëruar tek organet e rendit.

Them se tribunat, tryezat, debatet etj. janë të mirëseardhura në komunën tonë dhe gjetiu por, nëse e analizojmë vetëm titullin e kësaj tribune “Radikalizmi (fetar) si fenomen në komunat Preshevë dhe Bujanoc”, pjesa e titullit të tribunës ”Radikalizmi (fetar) si fenomen...” jep të kuptosh se në Luginën tonë veç paska pasur ose ka fenomene të radikalizmit fetar islam.

Mendoj se titulli është provokativ apo është mungesë e emërtimit të drejtë të asaj që është menduar të shtjellohet.

As më herët e as gjatë këtyre viteve të fundit nuk kemi pasur e as që kemi dëgjuar për ndonjë rast të radikalizmit fetar, dhunës ose të ngjashme nga rinia e Luginës, sidomos pas vitit 2000, kur këto tema trajtohen dhe janë top tema në medie me agjenda dhe qëllime të ndryshme, ndoshta edhe kjo tribunë e mbajtur këtyre ditëve!

Kur dëgjojmë të përmenden fjalët radikal e radikalizëm, njerëzve menjëherë u shkon mendja te Islami dhe myslimanët, më saktësisht te terrorizmi, e me këto etiketime janë për qëllim myslimanet e myslimanët e devotshëm dhe praktikantë, vetëm e vetëm pse shkojnë në xhami, kanë një mbulesë, një mjekër apo pantallona të shkurtër, ku secila prej këtyre ka argument dhe bazë në Kuran dhe Sunet.

Pejgamberët kishin mjekra dhe jemi të thirrur t'i pasojmë ata, po edhe i Dërguari ynë, Muhamedi, salAllahu alejhi we selem, kishte mjekër dhe petk të shkurtër e që ne e kemi obligim edhe pasimin e tij, ndërsa sa për rikujtim gjyshet e tona nuk kishin vetëm mbulesë, por e kishin të mbuluar gjithë fytyrën me perçe, të cilën e hoqi sistemi komunist në vitet e 50-ta, atëherë për çfarë fenomene po na flisni?!

Besoj se në Luginën tonë ka plot tema për të cilat duhet të mbahen tribuna dhe debate para kësaj teme, si: ikja e rinisë-arsyet, shkaqet, dëmet, pasojat, kriza ekonomike, përdorimi i narkotikëve nga rinia jonë, hapja e lokaleve të lojërave të fatit në çdo cep, nepotizmi nëpër institucionet publike, vjedhja e shtëpive, pirja e hashashit, e pse jo, edhe për temën në fjalë, nëse do të ishte fenomen radikalizmi.

Hoxhallarët e nderuar, kolegët e mi panelistë nuk është dashur të pranojnë që të ulen në tryezë para se të ndërrohet titulli i temës, sepse, në të kundërtën prezenca e tyre tregon aprovimin heshtazi dhe egzistimin e fenomenit të radikalizmit në Luginë, apo jo?! Hoxhallarët panelistë do të duhej t’i pyesnin organizatorët se çka kanë për qëllim me fjalën: “Radikalizmi si fenomen”?! Cilat janë ato fenomene sipas tyre? Pse e zgjodhën këtë temë para shumë temave të tjera? Cilat janë dobitë e këtij debati, konkluzat etj.?!

Tribuna ishte e zbehtë dhe e papërgatitur nga moderatorja me pyetje amatoreske, çka tregon joprofesionalizmin e saj dhe të organizatorëve gjithashtu. Gazetarë e organizatorë të cilët marrin fonde për realizimin e këtyre tribunave në emër të debatit ose në emër të “gazetarisë hulumtuese” apo edhe ndoshta janë të shtyrë nga qarqe dhe agjenda të ndryshme që të nxiten këto tema në këtë kohë, kur veç po flitet për shkëmbimin e territoreve dhe te destabilizohet Lugina në emër të ekstremizmit fetar.

Radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi janë terma të ndryshëm, ku secili prej tyre ka kuptimet e tij dhe nuk mund të futen në një kallëp assesi.

Hoxhallarët do të duhej të tregonin dhe ta sqaronin definicionin e ekstremizmit në fe dhe se në fe ka ekstremizëm, pasi për ekstremizmin në fe janë shkruar libra të ndryshëm dhe janë mbrojtur tema të doktoratës, siç është libri trevëllimësh i autorit Abdurrahman Abdulhalik Mula “Ekstremizmi në fe”.

Është e ditur se për ekstremizmin në fe na e ka tërhequr vërejtjen i Dërguari i Allahut, Muhamedi, salaAllahu alejhi we selem, qysh herët, bile edhe e ka luftuar këtë dukuri, duke e ditur se edhe përgjatë historisë do të ketë njerëz dhe grupacione ekstreme. Andaj edhe ne si pasues të Muhamedit, salaAllahu alejhi selem, duhet të jemi kundër ekstremizmit në fe dhe kundër çdo ekstremizmi tjetër dhe dalja nga Kurani dhe Suneti është ekstremizëm, ndërsa pasimi i Kuranit dhe Sunetit është mesatarja në fe.

Hoxha tha: “Çdo qëndrim radikal për ndryshim në shoqëri përderisa nuk justifikohet me mjete të dhunës është i arsyeshëm."

Gjithashtu tha: "Nëse ka një mendim ndryshe që dikush jep rreth interpretimit të Islamit dhe fesë për një çështje të caktuar, e që po shohim se edhe në Luginë ka të tillë, jo automatikisht atë e bën radikal dhe ekstremist."

Them: Nëse një interpretim ndryshe nuk e bën dikë radikal dhe ekstremist, pse ishte nevoja që ju të flisni kundër atyre në xhami dhe ligjërata të xhumasë? A nuk është ky cenim i shprehjes së lirë që ju e përmendet disa herë? Nëse ti, i nderuar hoxhë, nuk pajtohesh me një interpretim të Islamit ndryshe nga ai që ka qenë, as ne nuk pajtohemi me interpretimin që bëni ju ndaj Islamit duke u shtirur se jeni tolerant apo se kjo është e mënyra më produktive e thirrjes në fe, ndërsa fjalët dhe praktika jote si imam e dëshmon të kundërtën e asaj që thua karshi kamerave dhe opinionit. Flet për ekstremizmin, por në të njëjtën kohë e tregon anën e tij ekstreme duke pretenduar se i ka kundërshtuar ata që nuk mendojnë sikurse ai, nuk ligjërojnë sikurse ai dhe nuk i takojnë lëvizjes së tij, edhe pse ligjërimi është brenda suazave të Kuranit dhe Sunetit, që edhe vetë ai paraprakisht i pohon dhe më pas harron dhe i kundërshton fjalët e tij.

Të mendosh se ti ke të drejtë e të tjerët që nuk mendojnë si ti nuk kanë të drejtë dhe duhet kritikuar e folur në hutbe të xhumasë, ky a nuk është ekstremizëm?! Kush ishin ata që ti i kundërshtove dhe ua tërhoqe vërejtjen në ligjëratat e tua të xhumasë, në tubimet dhe emisionet e tua?! Pse ua tërhoqe vërejtjen, sepse ata nuk mendonin si ti dhe nuk duken si ti?! Apo pse ju keni menduar se vetëm ju jeni të thirrur të flisni për Islamin dhe të tjerët jo?!

Hoxha tjetër tha: "Ka më shumë se një interpretim të Islamit"- ndërsa po i njëjti, për shkak të një interpretimi ndryshe të Islamit në medresenë ku ai jep mësim mban disa mbledhje për ta përjashtuar kolegun e tij, ku mbeti ideja e pranimit të mendimit tjetër?!
Gjithashtu tha: "Të mendojë dikush se vetëm ai e ka mirë, ky është ekstremizëm", e po i njëjti mendon se vetëm ai e ka mirë dhe duhet jetuar e folur si do ai.

Është e vërtetë se mund të hysh në Xhenet nëse je hanefi e hambeli, por nuk të bën dobi shkolla juridike së cilës i takon, nëse besimin në Allahun nuk e ke në rregull, çka i duhet dikujt të jetë hanefi e hambeli kur ai i bën shok Allahut, kur rrotullohet rreth varreve dhe shenjtëron njerëz?!

Dy fjalë edhe për moderatoren: Moderatorja e tribunës e cila me asnjë tipar të një femre tradicionale-shqiptare luan rolin e ruajtjes së tradicionales dhe shpreh shqetësimin për “fenomenin e radikalizmit”, mirë, atëherë e nderuar kam një pyetje: Cili është tipari që ti e ke ruajtur nga tradita fetare tradicionale e gjyshes sate apo edhe traditë tjetër kombëtare?!