Rrezitja në diell dhe rreziku nga kanceri i lëkurës

Melanoma, një nga kancerët e lëkurës shpeshherë dhe vdekjeprurës po përhapet me shpejtësi sipas mjekëve dermatologë, madje te moshat e reja.

Kjo sëmundje e lëkurës lidhet me nishanët në trup apo njolla të tjera të shkaktuara nga dielli dhe nëse neglizhohet ka pasoja fatale, ndaj dermatologët rekomandojnë që individët të kontrollojnë herë pas here nishanët si përsa i përket ngjyrës ashtu dhe dimensioneve të tyre.

“Personat më të rrezikuar, janë ata që kanë histori në familje, ata që janë ekspozuar në diell në mënyrë të pambrojtur, ata që kanë lëkurë të çelur”, thotë Monika Fida, mjeke dermatologe.

Melanoma ka filluar të shfaqet në mosha të reja dhe më të kërcënuar janë ata më ngjyrë të çelur të lëkurës, me sy bojëqielli dhe flokë biondë. Dermatologët këshillojnë pushuesit që para se të shkojnë në plazh, jo vetëm të përdorin kremëra me filter të lartë mbrojtës, por të kryejnë dhe një vizitë te dermatologët për të parë gjendjen e nishanëve apo njollave të shkaktuara më parë në lëkurë me qëllim parandalimin e kësaj sëmundjeje. Madje, sipas një studimi të bërë në Harvard dermatologët thonë se përdorimi i aspirinës në dozë të vogël për një përiudhë 5-vjeçare parandalon këtë sëmundje vdekjeprurëse.

Melanoma është sëmundja më me rrezik, pasi prek qelizat që prodhojnë ngjyrën e lëkurës dhe nëse nuk merr mjëkimin e duhur në kohë, prek mushkëritë, mëlçinë dhe trurin./keshilla.net/


01:19:24am