Fisnik Kastrati

 

 

Njeriu qysh në kohët e lashta besonte tek e fshehta në numrat, ndërsa edhe në ditët tona udhëheqësit e shteteve më të mëdha botërore politikën e tyre e bazojnë tek numerologjia dhe ezoteria. Viti 11 i shek. XXI në botën perëndimore është pritur me padurim për shkak se njihet si vit i përsosur. Data 11.11.11 në Evropë, SHBA dhe Indokinë, si datë martese, është rezervuar nga miliona qifte. Në shumë kultura numri 1 përshkruan fillimin, pastërtinë, përsosmërinë, mirësinë etj. Dyfishimi i këtij numri nga 1 në 11 në këto kultura do të thotë dyfishimi i të mirave.

Përderisa numri njëmbëdhjetë në shumë vende njihet si numër për përsosmëri, realiteti i këtyre ditëve po e tregon të kundërtën, ngaqë viti 2011 nisi me plot trazira e vrasje.

Në kohën kur Perëndimi pandeh që viti 2011 do t’iu vijë atyre me gjitha të mirat, Lindja po përballet me ndryshime të mëdha. Siç duket diktatorëve më të këqij të këtij shekulli po i vjen fundi. Së pari Tunizia rrëzoi diktatorin Zejn El-Abidin, pastaj Egjipti Mubarakun, ndërsa tani rrugën e saj janë duke ndjekur edhe vendet si Jemeni, Algjeria, Libani, Jordania etj. Kurse, disa analistë politikë, ndër të tjera, në listën e vendeve me regjim autoritar renditin edhe Iranin, Libinë dhe Pakistanin.

Kryeministri britanik Benjamin Disraeli gjatë konferencës së Konstantinopolit (Stambollit), në kohën kur politika perëndimore dhe ajo Ruse po përgatiteshin për copëtimin e Ballkanit dhe shkatërrimin e Perandorisë Osmane, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Sulltan Abdul-Hamidi i Dytë, përdori një thënie të lashtë kineze: “Kini kujdes, mos e zgjoni Gjigantin”. Kjo thënie u përdor edhe nga njerëz si Napoleon Bonaparta, Riçard Niksoni e të tjerë, por mua më la përshtypje kryeministri britanik për shkak se ai fliste për muslimanët e asaj kohe.

Tani kur muslimanët në tërë botën  shtypen, u shkelen të drejtat elementare vetëm për shkak të besimit të tyre, mu tani kjo shprehje po hyn prapë në përdorim nga politikanë dhe analistë politikë nga frika se mos po zgjohet Gjiganti. Unë ju them botës se Ai po zgjohet tani dhe atë më i fortë se kurrë. Një pas një vendet muslimane po çlirohen nga kthetrat diktatoriale dhe po i drejtohen dritës së Islamit. Gjithashtu, numri i muslimanëve dita ditës po vjen duke u rritur, njerëz të të gjitha kombeve dhe feve po ju drejtohen xhamive vetëm e vetëm për t’i rënë në sexhde Allahut, Krijuesit të Gjithëfuqishëm.

“Allahu do t'i vërë në pah ata që besuan dhe do t'i vërë në thumb hipokritët.” (El-Ankebut: 11)”

 

"Opinionet e autorëve nuk paraqesin doemos edhe opinionin e redaksisë së portalit Shembulli.com"