Ndryshimet kushtetuese

Autor: Ilmi Rexhepi

 

Duke parë që kërkesa për  hapjen e Kushtetutës që të bëhen ndryshimet në nenet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, është me gjasa të shumta realizimi meqë  vjen nga institucioni i presidentit, u konvenon partive opozitare dhe ka përkrahjen e shoqërisë civile; po sjell disa propozime për ndryshimin e neneve që kanë të bëjnë me fenë.

Në thelb, këto vërejtje-propozime i kisha dhënë atëherë kur projekt-kushtetuta ishte në diskutim publik. Këto vite prej kur u miratua Kushtetuta u kanë dhënë të drejtë këtyre vërejtjeve dhe duhet të na kenë bërë edhe më shumë të vetëdijshëm  për të kërkuar më me këmbëngulje ndryshime të tilla.

Vërejtjet-propozimet janë këto:

Vërejtja 1: Te paragrafi 2 i nenit 38:

(2. Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë ngërthen të drejtën për të pranuar dhe për të manifestuar fenë, të drejtën për të shfaqur bindjet personale dhe të drejtën për të pranuar ose refuzuar të jesh anëtar i një bashkësie ose grupi fetar. )

të jepet e drejta për ushtrim të fesë edhe në jetën publike siç e kanë të dhënë shumica e kushtetutave të shteteve të tjera dhe jo vetëm e drejta e ushtrimit të fesë në jetën private siç jepet e vetme në këtë paragraf të cituar. Shih për këtë p.sh. Kushtetutën e Sllovenisë:

(Religious and other beliefs may be freely professed in private and public life-

Fetë dhe besimet e tjera lirshëm mund të ushtrohen në jetën private dhe në atë publike).

Vërejtja 2: Të ketë ligj që do të nxirret përkitazi  me marrëdhëniet e shtetit me komunitetet fetare, gjë së cilës Kushtetuta mund t’i referohej kështu si në Kushtetutën e Italisë:

(Their relationship with the state is regulated by law, based on agreements with their representative- Marrëdhëniet e tyre (komuniteteve, sh.p) rregullohen me ligj të mbështetur në marrëveshjet me përfaqësuesit e tyre).

Kjo është e domosdoshme për mendimin tim, ndryshe shteti nuk do të konsiderohej se ushtron autoritetin e tij në gjithë territorin brenda kufijve siç përmendet në nenin e parë te paragrafi i dytë. Vërtet ka disa kushtetuta shtetesh që nuk i referohen ligjit të rregullimit të marrëdhënieve të komuniteteve me shtetin, por tek to nuk përmendet as mënyra e rregullimit të organizimit të brendshëm të bashkësive fetare.

Vërejtja 3: T’i shtohet nenit 39 ky paragraf:

“Objektet e kultit islam dhe ç’është e tyrja i administron Bashkësia Islame Tradicionale; shteti ia garanton këtë të drejtë.”

Këtë propozim-nen e jap mbështetur në praktikën tradicionale dhe në zgjidhjen racionale.

Vërejtja 4: Nenit 39 t’i shtohet edhe ky paragraf:

“Shteti, sipas marrëveshjes me to për modalitetet dhe formën e përballimit të shpenzimeve të rregulluar me ligj, bashkësive fetare ua delegon përgjegjësinë për t’u ofruar qytetarëve asistencën religjioze në ushtri, spitale, burgje dhe në mjedise të tjera publike ku do të konsiderohet e nevojshme kjo asistencë.”

Këtë propozim-nen e kam ideuar nga elemente ideore të Kushtetutës së Rumanisë:

(Religious cults shall be autonomous from the State and shall enjoy support from it, including the facilitation of religious assistance in the army, in hospitals, prisons, homes and orphanages).

Vërejtja 5: Propozoj që në vend të fjalës “konfesion” të përdorur në projektkushtetutë (që po i thonë vetë konstitucionalistët gabimisht “Draft- kushtetutë”) të përdoret fjala “bashkësi” ose “komunitet”.

Që shqip duhet thënë “bashkësi” e jo “komunitet” kjo është çështje gjuhe, kurse që të thuhet cilado “bashkësi” ose “komunitet” dhe jo “ konfesion” kjo ka rëndësi për interpretimin e neneve të tjera të Kushtetutës, sidomos të neneve që flasin për privilegjet aq të shumta të komuniteteve, të cilat privilegje do të interpretohet se nuk duhet t’i gëzojnë institucionet fetare islame dhe katolike në rast se u referohet në Kushtetutë me fjalën “konfesion”. Rëndom që do të interpretohej se i gëzojnë në rast se u referohet me njërën nga fjalët “bashkësi” ose “komunitet”.

Kur lexon projektkushtetutën lihet përshtypja sikur termave “bashkësi” e “komunitet” u kanë ikur hartuesit me mendjen te interpretimi i neneve për privilegjet e komuniteteve. Kjo përshtypje lihet edhe nga shkaku që në shumicën e kushtetutave të vendeve të tjera , institucioneve fetare u referohet me fjalën “komunitet” dhe nga arsyeja se fjala “konfesion” as që gjendet në fjalorin e shqipes dhe as nuk ka shtrirje përdorimi në shqipen e sotme praktike me epërsi ndaj termave “bashkësi” e “komunitet”.

Me theks të veçantë në versionin anglisht, propozoj që termi “religious denominations “të zëvendësohet me termin “Religious community” ashtu si e kanë pjesa më e madhe e kushtetutave të vendeve të tjera. Përdorimi i njërit apo i tjetrit term ka efekte interpretimi të njëjta me ato që u përmenden për versionin shqip.

Theksi i propozimit u vu për versionin në gjuhën angleze nga shkaku se autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese që do të përbëhet prej 9 anëtarëve, 3 prej të cilëve të huaj dhe si të huaj që janë, sipas praktikave te ne, është e pritshme t’i kenë interpretimet më autoritare. Sigurisht, ata mbështeten në versionin e Kushtetutës në gjuhën angleze.

Në projektkushtetutë nuk është saktësuar se versioni i cilës gjuhë është baza, por edhe po të përcaktohej ndonjëri, si bazë de-facto do të shërbejë versioni i gjuhës në të cilën lexojnë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që kanë më shumë gjasa t’u mbetin përfundimtare interpretimet e tyre. Ky version, edhe duke mbajtur parasysh epërsinë e Pakos së Atisarit ndaj Kushtetutës që i njihet me Kushtetutë, besoj se de-facto është versioni në gjuhën angleze.

Vërejtja 6: Paragrafit 4 të nenit 39 të projektkushtetutës:

“Konfesionet fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirëse në përputhshmëri me këtë Kushtetutë dhe me ligjin”

t’i zgjerohet përmbajtja: në vend se vetëm shkolla fetare dhe institucione bamirëse, të ketë shkolla, institucione edukative e të tjera institucione dhe shoqata sociale e humanitare, ashtu siç e ka Kushtetuta e Kroacisë:

(Religious communities shall be free, in conformity with law, publicly to perform religious services, to open schools, educational and other institutions, social and charitable institutions and to manage them, and shall them, and shall in their activity enjoy the protection and assistance of the State

Komunitetet fetare janë të lira që, në pajtim me ligjin, t’i performojnë publikisht shërbimet fetare; të hapin shkolla, institucione edukative dhe të tjera institucione, shoqata sociale dhe humanitare; t’i drejtojnë këto dhe që për aktivitetet e tyre të gëzojnë mbrojtjen dhe përkrahjen e shtetit).

P.S. Ka dhe vërejtje të tjera

 

"Opinionet e autorëve nuk paraqesin doemos edhe opinionin e redaksisë së portalit Shembulli.com"