
Edhe këtë të premte, për të dytën herë, në shenjë proteste për mungesën e hapësirave, Namazi i Xhumasë u fal në rrugë. Dhe u fal kështu në rrugë, sepse fluksi shumë i madh i xhematlinjve deshi ta shprehte, publikisht, me protestë shumë paqësore, pakënaqësinë dhe brengën e madhe, për mungesën e hapësirës për ta falur brenda Namazin e Xhumasë.
Në të vërtetë, Namazi i Xhumsë në Prishtinë është falur në rrugë prej se mbaj mend, sidomos prej pasluftës e këndej, dhe nuk është falur kështu në rrugë as prej qefi e as prej mendjemadhësisë së xhematit, por pikërisht pse asnjëra nga xhamitë e Prishtinës-për Namazin e Xhumasë- nuk i ka zënë kurrë xhematin brenda objeketeve të tyre, dhe prandaj, një numër i madh i xhematit është dashur ta kryejnë obligimin e madh –Namazin e xhumasë edhe nëpër rrugë.
Janë falur nëpër rrugë e nëpër trotuare, shumica prej xhematit, edhe gjatë vapës së verës, edhe gjatë acarin të dimrit, edhe në shi edhe, në borë, dhe kështu kanë duruar plot 12-vjet duke dëshmuar një durim, një sakrificë dhë një tolerancë tejet të madhe. Kjo situatë e rëndë, nuk i ka preokupuar ansjëherë zyrtarët komunalë, dhe asnjëherë nuk kanë qarë kokën deri me tash për këtë brengë të qytatarëve të tyre, të cilëve ua kërkojnë votat më ngulm, e me taksat e të cilëve edhe bëjnë luks e sefa.
Ka pasur kërkesa institucionale e jo institucnale, të organizuara e jo aq të organizuara, për ndërtimin e një qendre të madhe islame, në qendër të Prishtinës, për t’i rehatuar këta qytetarë-besimtarë që kryejnë urdhërin e Krijuesit, dhe për ta evituar një herë e mirë këtë problem e këtë brengë të tyre, mirëpo deri më tash përpos ndonjë premtimi sa për sy e faqe, nuk ka ndodhur asgjë në këtë drejtim.
Në vend të kësaj, ndërkaq zyrtarët dhe pushtetarët janë përkujdesur që ta ndërtojnë katedralen në qendër të Prishtinës, pas injorimit banal të kërkesës së besimtarëve muslimanë, ata e kanë bërë hapin tjetër edhe më të rëndë dhe kanë provokuar kështu rëndë besimtarët musliman duke ndërtuar një Katedrale aq të madhe e aq moderne mu në qendër të Prishtinës buzë Fakultetit Filologjik!
Lokacioni për këtë Katedrae u gjend shumë shpejt e shumë lehtë-pa asnjë problem. U rrënua edhe një shkollë, pa asfarë dhimbje që t’i lirohej hapësira Katedrales!!! Ai proverbi i urtë “Aty ku ndërtohen një shkollë, mbyllet një burg”- për zyrtarët tanë u shndërrua në një tjetër proverb që s’është dëgjuar kurrë, e as nuk do të dëgjohet. Proverbi ynë i ri (ndoshta për Libër të Genisit) u bë : “Aty ku ne ndërtojmë një Katedrale-rrënojmë një shkollë dhe fare nuk na e ndien”!
Kështu u dëshmua niveli i lartë i Tolerancës fetare nga zyrtarët tanë, karshi masës më të madhe në këtë vend që përfaqësojnë besimin islam. Ishte apo nuk ishte i nevojshëm (e arsyeshme), ndërtimi i kësaj Katedraleje, më së miri po e dëshmonë gjendja e Katedrales aq të madhe sot, kur thuajse ende mbetet e vetmuar dhe e heshtuar, pa hyrë kurrë kush në të. Megjithatë këtij hapi shumë provokues, besimtarët mysliman iu përmbajtën potësisht në pajtimin me natyrën e vërtetë Islame -me maturi dhe me urtësi të vërtetë. Edhë këtij provokimi të rëndë, besimtarët iu përgjigjen me një tolerancë të vërtetë.
Kur thirren të flasin për gjendjen e sigurisë e të tolerancë në Kosovë, provokuesit përpiqen ndonjëherë të fajësojnë ndonjë djalë të ri mysliman që ka mjekërr, apo ndonjë grup të caktuar të këtyre djemoshave me mjekrra, në mënyrë që kështu të tregojnë aftësitë e tyre se po ditkan diçka edhe ata, se kanë hetuar dhe kanë zbuluar me aftësitë e tyre se ka ekstremizëm fetar e ka djem fundamentaistë edhe në Kosovë, dhe se keta janë rrezik serioz për tolerancën fetare. Nuk i kanë treguar kështu publikisht kurrë, e as nuk i tregojnë kurrë provokimet e tyre të rënda që ua bëjnë këtyre 'ekstremistëve' a 'fundamentalistëve” problematikë, që sipas tyre rrezikojnë tolerancën fetare.
E dinë sigurt, ata që provokojnë kështu, por nuk kanë guxim të thonë se ne jemi provokuesit e tolerancës, por shpikin fajtorë fare të paqenë, dhe kështu ua mveshin një faj që s'u takon hiç djemve të ri e të urtë mysliman duke i 'stolisur' me emra të shpifur 'ekstremist' e 'fundamentalist' madje edhe 'terrorist', për faktin që ata djem të urtë po i lëshojnë mjekrrat e gjata, dhe po shkurtojnë ngapak pantollat!!!
Pas provokimeve të njëpasnjëshmë të tolerancës ndër-fetare në Kosovë, më në fund erdhi edhe një rast ku u mbush kupa. Ai durimi i stërzgjatur i besimtarëve u tendos paksa, dhe kështu besimtarët mysliman, vendosën të shprehin pakënaqësinë me një formë shumë të qetë dhë dinjitoze. Protesta u shpreh publikisht, me një Namaz publik pran Xhamisë së Çarshisë, dhe një pjesë e madhe e xhematit bllokoi një pjesë të një rruge aty pranë. Vlen të thuhet se kjo protestë ishte e paralajmëruar në organet kompetente, ishte e organizuar dhe kishte prijësit e saj, pikërisht në pajtim me rregullat që kërkohen, megjithatë edhe kjo protestë kaq dinjitoze u provokua sërish nga Policia e Kosovës.
Policët që detyrë, primare do duhej ta kishin jetën dhe sigurinë e qytetarëve, edhe nëse ata qytetarë janë të tillë qe e falin namazin, filluan t'i provokojnë dhe t'i sulmojnë pikërisht qytetarët, sepse sipas tyre duhej lëshuar dhe duhej liruar rruga!!! Pra, për policinë tonë, me e rëndësishme sesa jeta dhe siguria e qytetarëve tanë që falin namaz u bë rruga!!! Për aq sa kam arritur të mësoj, në një vend të lirë e demokratik, gjatë ndonjë proteste me çfardo motivi që të jetë ajo, policia duhet ta ruaj protestën, ta ruaj masën protestuese dhe secilin prej atyre që protestojnë.
Ka edhe raste të shumta kur protestuesit dalin nga kontrolli dhe fillojnë të shfryjnë mllefet dhe pakënaqësitë e tyre duke heshur gurë e duke bërë skandale tjera, megjithatë policia intervenon për ta neutralizuar situatën duke e vënë nën kontroll masën – gjithnjë duke i pasur parasyshë edhe jetet e protestuesve sado që ata mund të jenë të ashpër e të rrezikshëm. E që policia godet, sulmon, provokon, fyen dhe ofendon protestues të ulur, të qetë, duke pritur ta fillojnë Namazin, këtë kurrë nuk e kisha dëgjuar e as nuk e kisha ëndërruar. Këtë mund ta bënin diktatorët alla-Ben Alia, Mubaraku, a Gadafi, dhe për ta kjo kishte kuptim duke pasur parasysh pozitën e tyre si diktatorë të përbetuar, por se kjo ndodh në një vend të lirë e demokratik, këtë as në ëndërr s’e kisha parë.
Dhe çka është edhe me keq se kjo, zyrtari policor fajësonte prap xhematinjët protestues për veprimet e tyre, gjente shumë 'arsye' të ndryshme që 'justifikonte' dhunën ndaj njerëzve që po rrinin ulur në pritje të namazit. U desh ndërhyrje Myftiut Tërrnava në një emision për të treguar se zyrtari policor po gënjente me të madhe, kur thoshte se ka kontaktuar me BIK- dhe janë marrë vesh që të mos lejohej protesta!!! Madje as kjo vërejtje për gënjeshtra nuk e skuqi sadopak këtë zyrtar! Pse të skuqej që po gënjente ai që nuk skuqej kur policët që ai i kishte në komandë nuk skuqeshin kur sulmonin njerëz duke u falur në namaz.
Prej se mbaj mend, ka qenë nje rregull i përgjithshëm këtu në Kosovë, që kur është parë ndonjë njeri duke falur namazin, t’i kushtohej një vemendje dhe një respekt, pavarësisht nëse ai që ka qenë duke falur namaz të jetë i ri apo i moshuar. Më ka ndodhur edhe mua personalisht të falë namaze edhe nëpër shtëpi të ndryshme ku kam qenë ndonjëherë si mysafir, dhe shumë herë, madje edhe në shtëpi ku realisht nuk kishin fare njohuri për namazin, megjithatë derisa unë falesha, ata nuk lejonin asnjë lloj zhurme a bezdie, madje as nga fëmijët e tyre, në shenjë respekti për namazin-sado që vetë ata nuk e falnin fare.
Dhe kjo rregull kulturore se paku do të duhej të shfaqej sado pak, edhe nga policia e Kosovës, shumica prej të cilëve i kanë pasur apo i kanë ende baballarët, gjyshërit apo dikë tjetër nga rrethi i tyre famijar namazli. Do të duhej së paku në shenjë respekti ndaj një obligimi të madh fetar, të tregonin një konsideratë dhe përmbajte së paku derisa të kryhej namazi i xhumasë e mandej t’ia tërheqnin vërejtjen xhematit që të mos bllokojnë më rrugët, sepse nuk do t’i durojnë më tej. Edhe po të ishin ateistë të përbetuar këta zotërinjë, së paku një kulturë elementare njerëzore do të duhej t'i pengonte që të mos ngucin njerëzit derisa ata po kryejnë një obligim-Farz ndaj Krijuesit.
Sido që të jetë, protesta u provokua ashtu siç ishte provokuar për 12-vjet me radhë durimi i besimtarëve myslimanë në Kosovë. Dhe kjo ngjarje për mua ka domthënie tepër të madhe. Për këtë, si dhe provokimet e pandërprera që na janë bërë për 12-vjet me radhë, sigurisht se ka material për të shkruar shumë më shumë, e shumë më ashpër, mirëpo edhe ashtu shkrimin tim të arsyeshëm, po frikohem se e zgjata mjaft. Frikohem se shkrimi im i gjatë do t’i bezdisë e do t’i lodhë mjaft lexuesit eventual, madje frikohem se ky shkrim arsyeshëm do të më sjellë si shpërblim etiketime të shumta e ndoshta edhe ndonjë rrezik. Ata që të sulmojnë e të fyejnë edhe kur je duke u falur, të sulmojnë edhe më pamëshirshëm kur shkruan për këtë çështje. E kam ndier për obligim ta bëjë këtë shkrim kështu të gjatë për disa arsye:
-Të dëshmoj se Kosova ka qenë dhe është vend i tolerancës fetare pikërisht për faktin se tolerante është shumica dermuese e kësaj popullsie, e ata janë besimtarët myslimanë më së paku 95%, të cilët aq shumë dhe aq gjatë janë provokuar dhe kanë duruar. Po të mos kishte tolerancë fetare në Kosovë edhe sikur ne të ishim vetëm 5 % në përbërje sigurisht se do fajësoheshim ne dhe vetëm ne, se po prishim dhe po cenojmë tolerancën, kur thuhet pra se ka tolerancë, atëherë meritat na takojnë, në radhë të parë, e para të gjithëve, ne muslimanëve (mbi 95%), mbajeni mend ju provokues!
-Kam shkruar kështu gjatë për t’i kujtuar edhe ish-presidentit tonë jo-legjjitim, tani “Zëvendëskryeministrit” tonë të parë, z. Behxhet Pacollit, të cilit tani më vjen shumë mirë që nuk i pata dhënë votën përkundër shumë lutjeve dhe insistimeve nga disa, se në këtë post të komprometuar ka mundur të hyjë falë mbështjetjes dhe votimit të shumë prej këtyre djemve e burrave që u provokuan (sulmuan) në Namaz, tani doja ta pyesja: pse nuk i shikon fare nga kolltuku i “Zëvendëskryeministrit” të parë, a të vjen marre pashë Zotin?!
-Doja t’ju pyesja juve të nderuar policë (me shpresën se nuk do të më arrestoni si një ekstremist a terrorist që po shkruaj), kur dalin këngetarët e këngëtaret nëpër rrugë e sheshe dhe i bllokojnë me orë të tëra rrugët, pse ju nuk reagoni për t’i liruar rrugët, pse në rastin e faljes së namazit, për 10-15 minuta, ju më shumë sesa qytatarët, iu interesonte bllokimi i rrugës?!.
Doja t’ju pyesja juve të nderuar policë, në një protestë qytetarë kë e keni prioritet, ruajtjen e qytetarëve –protestuesve shumë paqësorë, apo rrugët, që edhe ashtu shumë shpesh bllokohen te ne edhe pa protesta fare.
-Polici e jonë e nderuar, a jemi ne vend demokratik apo jo, pse nëse vjen një X-ministër i huaj a ndonjë zyrtarë i thjeshtë për ndonjë vizitë formale në Kosovë, ju na i bllokoni të gjitha e rrugët Prishtinës me orë e me ditë të tëra, dhe për këtë ndiheni krenar madje, a nuk ju dhimben rrugët në këtë rast?!
Kryetarin e Komunës së Prishtinës, ndërkaq do të doja ta pyesja: Qysh e ke emrin i nderuar Kryetar, meqënese po të vjen turp të flasësh (jo më të angazhohesh) diçka për një qendër të nevojshme islame. Do të doja edhe një përshendetje për Bashkësinë Islame të Kosovës me porosinë: Flej, flej!
Dhe, për fund udhëheqëve tanë, trumbetuuesve të tolerancës fetare, ju bëj një lutje: Pashë Zotin mos na përmendni qat tolerancë aman, se po na fyeni shumë. Provokuesit s’mund të flasin për tolerancë, për të flasin të provokuarit që durojnë.
Kaq nga unë '“fundamentalisti' dhe 'ekstremisti' për ju 'tolerantët'.