
Që nga zgjedhjet e kaluara është diskutuar shumë për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të vendit dhe se kushtetuta duhet pësuar ndryshime nga parimet e saja të vendosura sipas pakos së Ahtisarit. Kjo, pasi që ajo kushtetutë krijoi krizë për presidentin e parë pas pavarësisë së Kosovës dhe aprovimit të kushtetutës. Ndërsa presidentin e dytë e rrëzoi për pak javë pas zgjedhjes së tij, ku solli një president të tretë një grua e cila ndoshta kurrë nuk ka ëndërruar se do të bëhet presidente. Pas tërë këtyre ndodhive u vendos që të formohet një komision për të bërë ndryshimet e duhura sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit të vendit. E çështja kryesore ishte zgjedhja e presidentit nga populli e jo nga parlamenti siç ishte në kushtetutë deri më tani. Përveç diskutimeve në nivele parlamentare për kompetencat e presidentit, mandatin dhe (dy)shtetësinë e tij, këto ditë janë organizuar debate publike për të marrë opinionin e qytetarëve përkitazi me ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit dhe kompetencat e tij.
Qëndrimi im në lidhje me këto diskutime përmblidhet në pikat vijuese:
E para: sa e sa herë kam thënë në media, por edhe jashtë tyre, se kushtetuta është vendosur për t’i shërbyer popullit dhe se sa herë që ajo nuk i shërben popullit në formën dhe mënyrën më të duhur, ajo duhet ndryshohet, ngase ajo është në shërbim të popullit, e jo populli në shërbim të saj. Mu për këtë kushtetuta nuk konsiderohet e shenjtë, apo e pa prekur, sepse ajo çka është e shenjtë nuk guxon të pësoj ndryshime.
Andaj nuk është mirë që gjithherë të thirremi në kushtetutë, qoftë edhe nëse e dëmtojmë qytetarin, duke e shenjtëruar kushtetutën, ngase qytetari është më i vlefshëm dhe më i madh sesa kushtetuta. Ngase kushtetuta –ani pse emrin e ka shumë të madh- ajo me gjithë atë është një rregullore të cilën e shkruajnë disa njerëz duke menduar se po ia qëllojnë. Por jo gjithherë ata ja qëllojnë, bile shumë herë edhe gabojnë, në veçanti nëse nuk i kanë parasysh si duhet rrethanat, vendin, traditën, kulturën, mentalitetin e atij populli etj, për të cilën vendoset ajo kushtetutë. Ta zëmë ne shqiptarët nuk mund ta kemi kushtetutën e Japonisë, apo të Norvegjisë sepse shumë gjëra nuk i kemi të përbashkëta me ta, e kushtetuta e tyre nuk na përshtatët neve, por as e jona atyre. Ngase kushtetuta në njëfarë mënyre është sikurse rrobat e njeriut, ku secili e ka numrin e vet të rrobave, ashtu që me ia vesh dikujt këmishën tënde, apo ti të dikujt, mund mos t’i bie tamam, bile veç çka e bënë telashe me atë këmishë.
E dyta: fillimi i ndryshimit të kësaj kushtetute, apo ndërhyrja në të pas tri viteve të aprovimit të saj, jep të kuptosh se ajo ka nevojë ende për ndërhyrje për të bërë ndryshime në të. Sepse nuk është vetëm çështja e presidentit që nuk është definuar mirë, por ka edhe shumë gjëra tjera të cilat kanë nevojë të pësojnë ndryshime, por që tani për tani po heshtet ndaj tyre, e jam shumë i sigurt se ajo do të ndodh në të ardhmen e afërt apo të largët.
E treta dhe më e rëndësishmja: betimi i presidentit, për të cilin edhe e kam shkruar këtë artikull. Prej drafteve të vëna për diskutim dhe ndryshim është edhe betimi i presidentit. Si duket teksti i betimit është kopjuar tërësisht nga teksti i betimit të presidentëve amerikan, vetëm se në tekstin kosovar për dallim nga ai amerikan mungon fjala ZOT. Presidenti amerikan betohet në Zot duke e vendosur dorën mbi Bibël, ndërsa presidenti kosovar betohet në asgjë, ama bash në asgjë, sepse betim do të thotë: me ia dhënë fjalën dikujt që është më i madh që do ta kryesh detyrën me nder dhe përgjegjësi. Në një farë mënyre me lidh marrëveshje me dikë më të madh që mund të hakmerret nëse nuk e kryen detyrën ashtu si je betuar. E ma i madh se presidenti është vetëm Zoti. Pastaj njeriu kur lidhet me dikë që është më i madh, ai mban përgjegjësi për atë betim dhe ia ka frikën se do t’i hakmerret apo do ta ndëshkon nëse e thyen atë betim. Andaj jo rastësisht shtetet e zhvilluara ani pse e kanë larguar fenë thuajse tërësisht nga skena politike, megjithatë mënyrën e betimit e kanë lënë sipas fesë, sepse nuk kanë gjet diç më të fortë e më bindëse sesa betimi në Zot.
E betimi në Zot është çështje e madhe çdo kund në botë, bile edhe tek ne shqiptarët, për atë arsye gati të gjithë –përpos ateistëve- kanë frikën të betohen në Zotin rrejshëm. Nga kjo themi se forma e betimit të presidentit tonë sipas draftit të definuar ndryshon nga ai amerikan duke i ngjasuar atij të Kubës. E bie pyetja: Ne kosovarët a po e pasojmë Amerikën e Obamën, apo Kubën e Fidelkastron? Andaj ftoj komisionin për ndryshimin e kushtetutës që ta ketë parasysh këtë çështje dhe se presidenti duhet te betohet në Zot duke vënë dorën mbi librin e shenjtë të cilin ai e beson, qoftë Kuran, apo bibël. Përndryshe betimi i tij është i pa vlerë dhe i pa efekt. Pastaj besimi i presidentit, apo feja që i përket duhet të dihet, të publikohet, sepse feja njëmendë është çështje private, por ajo është e tillë derisa një person është privat, por jo edhe kur ai person është publik, e në veçanti president i vendit.