
Si shqiptar vizitor nga Kosova mund të flasësh me zë, mund të bërtasësh e madje mund ta lëshosh edhe ndonjë barsoletë shqip, teksa ecën sheshit “Republikë” në qendër të Beogradit dhe atë pa e tërhequr vëmendjen e kalimtarëve të rastit, por mbase nuk është e njëjta gjë edhe për shqiptarët/kosovarë që jetojnë me vite në kryeqytetin e dikurshëm të ish-Jugosllavisë.
Të deklarohesh shqiptar dhe të flasësh shqip rrugëve kryesore të Beogradit ende është një ankth për shqiptarët e atjeshëm, sado që gjendja e tyre është ndryshe, tani tri vjet e gjysmë pas pavarësisë, krahasuar me fillim dhe fund-vitet ’90, kohën e luftës në Kosovë, vitet pas çlirimit e deri tek pavarësia, kur të qenit shqiptar mund ta rrezikonte jetën.
E, edhe ata që deklarohen, këtë e bëjnë me gjysmë zëri, me një shqipe të çalë, si ajo e shitësit të gështenjave apo e transportuesit me origjinë nga Prizreni, dhe atë vetëm atëherë kur e kuptojnë se tjetri që pyet është shqiptar. Se sa ndihen të sigurt, ndërkaq, tregon fakti se as pas një javësh, nuk mund të gjeje një shqiptar të vetëm që guxonte të deklarohej për mediat nga Kosova, nga frika se dikush “nga lart” do t’ua gjejë emrin dhe do t’i denoncojë më pas. Në raporte ndër-personale, megjithatë situata është ndryshe - çështja e nacionalitetit, mbase nuk shtrohet si pyetje.
Dikur pyetja “çfarë je” ishte e fundit, tani është e para
Hetem Azizi, një 65 vjeçar me origjinë nga një fshat i Shtimes, ka shkuar në Beograd qysh para 30 vjetësh, me shpresën se atje do ta kishte më mirë. Gjen punë dhe jeton i qetë, derisa “rehatia” i prishet në fillim të viteve ‘90 e sidomos gjatë dhe pas luftës në Kosovë, kur edhe fillojnë kërcënimet ndaj tij nga bashkëqytetarët serbë. Tani pak a shumë, situata është më ndryshe, ndonëse çështja e nacionalitetit ende shtrohet si pyetje.
“Ti s’guxon me kanë shqiptar në Beograd, sepse të bëjnë telashe. Tash kur të shkoj te doktori si të ma sheh emrin, bën vaki më thotë pse nuk erdhe me kohë dhe nuk më merr në dorë, duhet me prit derisa t’i bahet qejfi atij”, thotë Hetemi, pasi kryen ritet fetare në një xhami në rrugën “Gospodar Jevremova”.
Ai, madje nganjëherë e ka ndërruar edhe nacionalitetin, vetëm për t’i shpëtuar sulmeve fizike, veçmas kur ka pasur punë në institucionet publike.
“Nuk guxon ti me thanë që je shqiptar, por duhet me rrejt, s’ke çare”, thotë Azizi.
Por, jo të gjithë shqiptarët ndihen si Hetemi. Selam Alia (54), një punëtor krahu me origjinë nga Tetova e Maqedonisë, nuk ka pasur ndonjë problem në aspektin e sigurisë, përderisa Beogradi ndryshe shihet edhe nga shtresa intelektuale apo fëmijët nga martesat e përziera.
Merima Kryeziu, pedagoge në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, është rritur në Beograd nga babai shqiptar dhe nëna boshnjake. Është e integruar dhe kryesisht shoqërohet me njerëz që nuk janë të ngarkuar me paragjykime politike, megjithatë kur është në pyetje deklarimi i përkatësisë etnike, kjo çështje, sipas Kryeziut, ende paraqet problem dhe rrezik për shqiptarët e Beogradit, përkundër ndryshimit të regjimeve.
“Unë zakonisht shoqërohem me njerëz që e dinë situatën dhe e kuptojnë atë, natyrisht se nuk kanë paragjykime, por kemi edhe grupin tjetër që është më i ngarkuar me paragjykime dhe natyrisht dihet reagimi i tyre”, thotë Kryeziu.
Në Beograd jetojnë edhe fëmijët e ish-funksionarëve kosovarë, fëmijët e Ali Shukrisë, Sinan Hasanit, gruaja dhe fëmijët e Rrahman Morinës, vajza e Mark Krasniqit, Drita, djali i Anton Çetës, Llazari, gruaja e Martin Camajt, sportisti Xhevat Prekazi, profesori Petrit Imami, ish-piloti Shefki Kryeziu, por ka edhe familje nga martesat e përziera, të cilat kanë marrë emra serbë për t’u ndjerë më rehat. Në adresarin telefonik të Beogradit
http://www.belestrane.988info.rs/site/, ndërkaq, mund të gjesh dhjetëra familje shqiptare me mbiemrin Çeta e Morina, përderisa në varrezat e ish-funksionarëve në Beograd janë të varrosur edhe dy ish-funksionarë kosovarë. Për shembull, ish-ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Rrahman Morina, është i varrosur në pjesën e VIP-ave në varrezat e reja të Beogradit dhe vetëm një metër larg varrit të ish-kryeministrt serb, Zoran Gjingjiq, kurse ish-kryetari i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Ali Shkuria, është i varrosur vetëm pak metra larg ish-kryekriminelit serb - Arkan.
Edhe nëse ankohen, nuk e bëjnë si shqiptarë
Llazar Çeta (57), fëmija që doli nga nëna serbe dhe babai shqiptar – ish-veprimtari për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, Anton Çeta, ecën shlirë rrugëve të Beogradit. E ka kaluar fëmijërinë me moshatarët serbë, ka studiuar atje dhe nuk ka paragjykime të tilla, si “kush je dhe nga vjen”. Llazarin më shumë e shqetësojnë problemet e natyrës sociale e ekonomike, me të cilat ballafaqohen pothuajse të gjithë qytetarët në Serbi, sesa problemet e sigurisë e të nacionalitetit, që i duken probleme mbase dytësore.
“Nuk më interesojnë çështjet politike, sepse politika gjithmonë përfundon në mbeturina. Mund të ketë shqetësime për sigurinë e shqiptarëve këtu, por në raporte personale gjithçka është mirë. Askush nuk të pyetën apo nuk rri me ty pse je shqiptar ose serb. Flasin si me çdo njeri tjetër”.
Llazari thotë se gjendja e shqiptarëve, kryesisht e atyre të Kosovës, ndryshon shumë përgjatë viteve, e sidomos gjatë viteve të pavarësisë.
“Në përgjithësi, populli serb nuk e do pavarësinë e Kosovës, por në raporte personale, situata është ndryshe. Në kohën e komunizmit, pyetja se ‘çfarë je’ nuk shtrohej kurrë apo ishte pyetja e fundit që mund të shtrohej, tani kjo është pyetja e parë”.
Në Beograd jetojnë edhe shumë shqiptarë tjerë; ata nuk janë të përfaqësuar në institucione publike dhe në jetën shoqërore, ndërsa shqiptarët në Serbi nuk kanë të drejta speciale, meqë nuk e përbëjnë 15 përqindëshin e popullësisë së përgjithshme. Ministri për të drejtat e njeriut dhe i minoriteteve në Qeverinë e Serbisë, Milan Markoviq, është i rezervuar kur pyetet për gjendjen e shqiptarëve në Serbi. Ai nuk përgjigjet nëse shqiptarët i realizojnë të drejtat e tyre dhe janë të sigurt të deklarohen mbi përkatësinë etnike. Krejt çfarë thotë Markoviq, është një deklaratë e zbrazët zyrtare.
“Republika e Serbisë respekton, mbron dhe afirmon plotësisht minoritetet që jetojnë në territorin e saj. Është e rëndësishne të theksohet se për herë të parë në Serbi është formuar Këshilli Nacional i Shqiptarëve, që ka përgjegjësi në fushat që merren me çështje si gjuha, të shkruarit dhe informacioni, përveç kësaj, Serbia ka trupa qeveritarë si Ombuspersoni dhe Mbrojtësi i të Drejtave të Minoriteteve që janë të orientuar të mbrojnë të drejtat e minoriteteve, nëpërmjet disa ligjeve nacionale”, tha Markoviq.
Ministri serb siguron se Qeveria e Serbisë po bën ç’është e mundur që të mbrojë dhe promovojë të drejtat e minoriteteve.
“Serbia po përpiqet të themelojë standarde të larta të të drejtave të minoriteteve kombëtare; minoritetet në Serbi që kanë më shumë se 15 për qind të popullsisë janë të përfaqësuara dhe kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre dhe natyrisht ka edhe instrumente tjera të promovimit të të drejtave të tyre”, thotë Markoviq.
Ndonëse, shqiptarët beogradas kanë një mori ankesash, megjithatë ata hezitojnë t’i paraqesin ato në institucionet relevante, por edhe kur ankohen, këtë nuk e bëjnë si shqiptarë. Për shembull, në zyrën e Ombudspersonit të Republikës së Serbisë, nuk ka trokitur asnjë shqiptar i Beogradit për ta mbrojtur të drejtën e tij të cënuar. Të vetmin rast që e përmend Ombudspersoni, Sasha Jankoviq, është ai i një shqiptari nga Subotica, i cili kishte pasur probleme me biznesin e tij pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ishte ankuar te Jankoviq dhe gjithçka ishte zgjidhur në favor të tij.
“Sa i përket shqiptarëve të Beogradit, ndërkaq, zyra ime nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me ndonjë shkelje të të drejtave që i janë bërë, për faktin se ata nuk kanë të drejta speciale, meqë nuk e përbëjnë më shumë se 15 për qind të popullsisë së përgjithshme në Serbi, por edhe nëse e kanë ndonjë problem, ata nuk e paraqesin atë si shqiptarë, por si pjesëtarë të komuniteteve tjera”, tha Jankoviq.
Ai i ndan ankesat e shqiptarëve të Serbisë në tre grupe: ata që ankohen në lidhje me shkeljen e të drejtave të njeriut, si shqiptarët e pjesës jugore të Serbisë, shqiptarët e Kosovës që i kanë humbur pensionet pa bazë ligjore dhe ata që kanë probleme me lejet e ndërtimit.
Shqiptarët në Beograd, sa janë?
Në Beograd flitet se dikur kanë jetuar diku 26.000 shqiptarë, ndërsa tani llogaritet të jenë afër 2.000 sosh, sidoqoftë numri i saktë i tyre do të dihet tek në shtator të vitit 2012, kur do të publikohen të dhënat zyrtare mbi numrin e përgjithshëm të popullsisë në Serbi. Por, edhe këto të dhëna mund të mos tregojnë shifra të sakta, meqë me Kushtetutën e Serbisë nuk parashihet deklarimi i përkatësisë etnike të qytetarëve dhe pyetja është “sa shqiptarë të Beogradit kanë marrë guximin të deklarohen si shqiptarë?”.
Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë, në Beograd në vitin 1991 kanë jetuar 4.378 shqiptarë, ndërsa në vitin 2002, 1.492 persona e kanë deklaruar veten shqiptarë. Të dhëna tjera, ndërkaq, jep revista “Blic”; sipas një artikulli të publikuar në vitin 2003, në vitin 1981 në Beograd kanë jetuar 8.212 shqiptarë, ndërsa më 1991 – 4.985 sosh.
(Sipas po të njëjtës revistë, 4.415 shqiptarë të Beogradit kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe të vitit 1996). Pra, shihet një rënie e numrit të shqiptarëve beogradas, ndoshta për shkak të situatës politike të asaj kohe, porse a kanë ikur shqiptarët nga Beogradi dhe kanë lëvizur në pjesë tjera të Serbisë apo kanë ikur krejt nga Serbia dhe a ka qenë situata politike indikator për këtë rënie, në këtë pyetje nuk përgjigjet as ministri Milan Markoviq, e as drejtori i përgjithshëm i Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë, Dragan Vukmiroviq.
“Momentalisht i kemi vetëm rezultatet e numrit të përgjithshëm të popullsisë që jeton në Serbi, pa ndonjë indikator mbi përkatësinë etnike apo gjuhësore”, tha Vukmiroviq.
Të dhënat flasin se gjatë bombardimeve të NATO-s në Serbi, shumë shqiptarë kanë ikur nga Beogradi, duke u kthyer në vendlindje apo në vendet tjera evropiane. Sidoqoftë drejtoresha e Departamentit për Regjistrimin e Popullësisë në Zyrën e Statistikave, Snezhana Lakceviq, rënien e numrit të shqiptarëve që jetojnë në Beograd nuk e lidh me zhvillimet politike, por me rënien e natalitetit të përgjithshëm në Serbi.
“Ne kemi një rënie të numrit të përgjithshëm të popullsisë në Serbi dhe kjo nuk është karakteristikë vetëm e shqiptarëve, por edhe nacionaliteteve tjera. Që nga viti 1991 dhe deri më 2002, ne kemi një minus në rritjen e popullsisë, numri i popullsisë në Serbi po zbret vazhdimisht dhe është karakteristikë e të gjitha minoriteteve, jo vetëm e shqiptarëve”, tha Lakceviq.
Por, sa shqiptarë janë regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë në Serbi, që zgjati nga 1-15 tetor 2011, këtë ende askush nuk e di, meqë, sipas Lakceviq, me Kushtetutën e Serbisë, qytetarët nuk janë të obliguar ta deklarojnë përkatësinë e tyre etnike.
“Tash për tash, është e pamundshme të japim shifra mbi përkatësinë etnike ose kombëtare të qytetarëve, sepse mosdeklarimi në bazë të përkatësisë etnike është i lejuar me kushtetutën tonë, kështu që qytetarët mund ta ndryshojnë përkatësinë etnike apo mund të mos deklarohen fare. Të dhënat sipas përkatësisë etnike do të jepen, vetëm kur të publikohen rezultatet përfundimtare në shtator të vitit 2012”, thotë Lakceviq.
Përndryshe, në Serbi, sipas Zyrës së Statistikave, në vitin 1991 kanë jetuar 78.281 shqiptarë, kurse në vitin 2002 – 61.645 sosh, nga ana tjetër, gazeta “Glas” nga Banja Lluka, në vitin 1999 shkruan se në Serbi kanë jetuar 50.000 shqiptarë, kurse sipas të dhënave të MUP-it, në Serbi kanë jetuar 120.000 shqiptarë. Të dhënat jozyrtare të Zyrës së Statistikave të Serbisë të publikuara nga disa media serbe, tregojnë se shqiptarët aktualisht e përbëjnë 0.82 për qind të popullsisë së përgjithshme në Serbi.
Shqiptarët e paorganizuar – ikin nga njëri-tjetri
Shqiptarët e Beogradit nuk janë të organizuar, nuk kanë ndonjë shoqatë apo klub, ku do të mblidheshin dhe do t’i diskutonin problemet e tyre, ndërsa të gjesh një shqiptar që deklarohet për mediet e Kosovës, të dalë në TV apo të fotografohet është goxha problem. Këtë e potencon edhe gazetari Fahri Musliu, korrospondent i RTK-së në Beograd. Sidoqoftë, një mundësi e mirë që të takosh ndonjë shqiptar, është xhamia e qytetit, ku të premteve shumë shqiptarë, ngjashëm si Hetem Azizi, shkojnë dhe kryejnë ritet fetare./zëri/