
Para pak ditësh një pjesë e madhe e njerëzve nga anë të ndryshme të botës patën rastin ta shohin eklipsin e hënës, ku ajo u zë diku pjesërisht e diku edhe tërësisht. Është interesant se me këtë fenomen janë ndërlidhur gjithmonë besëtytni. Njerëzit kur ka ndodhur eklipsi i Hënës apo i Diellit janë frikësuar dhe kanë filluar të mendojnë se diçka do të ndodh, apo është afër ndodhja e ndonjë të lige. P.sh arabët para ardhjes së Islamit kanë konsideruar se zënia e Hënës ndodh kur vdes ndonjë njeri i madh, si ndonjë mbret, apo njeri fetar, etj. Kështu, gabimisht, besuan edhe ditën kur Profetit Muhamed i vdiq një djalë shtatëmbëdhjetë muajsh me emrin Ibrahim, e që rastisi të ndodhë eklipsi i hënës. Njerëzit e ndërlidhën këtë me vdekjen e tij, ndërsa Muhammedi, alejhi selam, u kujdes maksimalisht që bindje të tilla të gabuara, të paktën në mesin e muslimanëve të mos ekzistojnë. Atëbotë, Profeti Muhamed tha: “Dielli dhe Hëna janë dy argumente (shenja) prej argumenteve të Allahut. Ato nuk zihen për vdekjen e as për lindjen e askujt, por me to Allahu i frikëson robërit e Tij, ashtu që kur të zihet Hëna e Dielli falni namaz dhe lutuni derisa të ndriçohen ato”.
Po, të nderuar, eklipsi i Hënës po ndodh bile edhe atë jo rrallë, e shkenca thotë se ajo ndodh kur Hëna hyn në hijen e Tokës, për ç’shkak nuk mund të ndriçohet nga Dielli kështu që paraqitet eklipsi i saj. Shkencës duhet t’i besojmë dhe nuk dyshojmë në këtë realitet, mirëpo kush është ai i cili krijoi Hënën e Diellin, Tokën e Qiellin? Kush është Ai i Cili e vë në lëvizje Hënën e Diellin dhe çdo gjë tjetër, pos Allahut të Madhëruar, siç thotë në Kur’an: “Për ju i nënshtroi Diellin dhe Hënën që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht (pa ndërpre) udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën” (Kur’an, Ibrahim:33)
Ajete të kësaj natyre janë me dhjetëra ku paraqitet dhe dëshmohet se Allahu i Madhëruar jo vetëm që është Krijues i gjithësisë dhe çfarë ka në të, porse edhe të gjitha këto janë dhe veprojnë sipas një preciziteti të përkryer, të vënë paraprakisht nga Vet Ai. Nuk ngecin, nuk harxhohen, nuk e gabojnë rrugën, dhe jo vetëm Dielli e Hëna, por shiko me miliona e miliarda yje të cilat gjinden në këtë gjithësi, e që të gjitha lëvizin dhe kryejnë funksionin e tyre në mënyrën më të saktë të mundshme. A nuk është e gjithë kjo një argument i qartë se Mjeshtri i gjithësisë është vetëm Allahu dhe askush tjetër!? Hëna, një satelit i tokës, një krijesë e çuditshme, të cilën të gjithë e duam, në veçanti kur është e plotë. Ah sa e bukur është Hëna, por më i bukur është Krijuesi i Hënës dhe i gjithësisë. Ajo Hënë e cila në fillim duket shumë pak si draper, e më pas për çdo natë vie duke u rritur e plotësuar derisa të mbushet e tëra e të bëhet e plotë, e pastaj vije duke u zvogëluar derisa të harxhohet fare e të fshihet tërësisht. Për çdo natë ka pozitën e saj të veçantë, ku gjithsej ka njëzet e tetë pozita, e dy net fshihet e nuk duket fare, nëse muaji i ka tridhjetë ditë, apo fshihet një natë nëse muaji i ka njëzetë e nëntë ditë. E pse të jetë e tillë, gjithherë në ndryshim, përkundër Diellit i cili nuk ndryshon, gjithherë është i plotë, shihet ashtu edhe si është?! Allahu i Madhëruar ka dashur që nëpërmjet Hënës ta caktoj edhe kohën, -natyrisht përpos shumë funksioneve tjera të cilat i luan- ngase njerëzit më herët nuk kanë pasur si ta dinë se kur është fillimi i muajit, mesi apo fundi i tij, e nëpërmjet Hënës e kanë ditur këtë dhe e kanë matur kohën. Për atë arsye kanë thënë p.sh: në fillim të Hënës, në mes të saj apo në fund, do t’i vijë filani, do ta bëjmë këtë e këtë e kështu me radhë. Bile kështu kanë vepruar edhe tek ne populli ynë, e ka të atillë që edhe më tej veprojnë, edhe unë fal Zotit me Hënë e di saktë se në cilën ditë të muajit jemi. E pse Allahu e zgjodhi bash Hënën për këtë? E zgjodhi atë ngase atë e shohin tërë njerëzimi, pastaj atë e kuptojnë të gjitha shtresat e njerëzve, si ata që dinë ta matin kohën me Diell, apo dinë të lexojnë, si ata që janë analfabet, si të vjetrit si të rinjtë, që të gjithë janë të barabartë në këtë çështje. Thotë Allahu në lidhje me këtë: “Ai e bëri Diellin shndritës, e Hënën dritë dhe asaj (hënës) ia caktoi fazat -pozitat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. All-llahu nuk e krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton” (Kur’an, Junus:5)
Si do që të jetë, të medituarit për Hënën e Diellin dhe për këtë gjithësi dhe të studiuarit e saj është një madhështi, është një kënaqësi, është një botë e pashtershme me njohuri e çudira. E ne nuk jemi këtu të flasim për astronomi, e as fizik, por për eklipsin e Hënës me të cilin Allahu do t’ia tërheq vërejtjen njerëzve se ata veç e kanë lëshuar rrugën e Tij dhe se Ai është i hidhëruar në ta. Andaj le ta dinë ata se nuk i kanë punët mirë me Zotin e gjithësisë, e ai që nuk i ka punët mirë me Të le të ketë kujdes se mund të pason dënimi nëse nuk përmirësohet. Pra qëllimi kryesorë i eklipsit të Hënës dhe Diellit është që njerëzit ti kthehen mesazhit qiellor, ti rregullojnë raportet me qiellin. Një gjë duhet pasur parasysh se edhe vërshimet vijnë si rezultat i shirave të shumta, por kush është Ai i cili i lëshon shirat, apo edhe cunami vie si rezultat i ndonjë tërmeti të madh në det apo oqean, por kush është Ai që shkakton tërmetin, e kështu me radhë. Ai është Allahu, Krijuesi i gjithësisë, andaj kthehuni o ju njerëz tek Ai, në fenë e Tij, në mesazhin e Tij para se të bëhet vonë. Allahu na ruajt nga hidhërimi i Tij, nga dënimi i Tij, nga çdo e ligë e cila mundë të na godet si shkak i mëkateve tona.