Në vigjilje të vitit 2012

 

Shkruan: Dr. Shefqet Krasniqi

 

Këndellja nga festimi i vitit të ri duket se nuk ka ndodhur ende. Kanë kaluar gati një javë ndërsa njerëzit ende ndiejnë lodhjen e festës, dikush nga frekuentimi i hoteleve, bareve e klubeve të natës, e të tjerë nga shpenzimet e shumta, për të cilat tash ndiejnë keqardhje. E më së miri ndër të gjithë shihet se ia kanë kaluar biznesmenët. Ata ia panë hairin kësaj feste dhe fituan prej saj ndoshta aq sa gjatë tërë vitit nuk kanë fituar. Këtë mbase mund ta dëshmojë ‘gjumi’ i tyre për ditë të tëra duke mos hapur fare lokalet, kafenetë apo restorantet e tyre. E rëndësishme është se i kanë mbushur xhepat. Kështu e ka kjo dynja, dikush harxhohet e dikush tjetër pasurohet, secili mundohet ta shfrytëzon tjetrin, e që të gjithë e kanë keq, që të gjithë janë mëkatarë.

Me të vërtetë është për tu çuditur me këtë popull sesi shumë herë punon kundër vetës së tij, si për dynja ashtu edhe për ahiret. Për dynja po shihet qartë, në vend se të jemi të kujdesshëm se si po e fitojmë dhe shpenzojmë dinarin, në vend se të organizohemi e të punojmë për interesin e shtetit tonë, familjeve dhe shoqërisë sonë, po edhe të vetës sonë, ne me dashje apo pa dashje punojmë gati kundër të gjithëve.  Në vend se të kursejnë ata që kanë sado pak të mira materiale, për më vonë, për ditën e ardhshme të cilat pritet që të jenë shumë të vështira, ata edhe atu para që i kanë mbledhur e tubuar i harxhojnë, bile ka nga ata që edhe borxh marrin vetëm e vetëm që mos të ndahen nga festimi i festës së dreqit. Mirë e pati një dëgjues në Radio “Kosova e lirë” i cili thirri nga Suedia dhe i çuditur me masrafin e madh që e bënë shqiptarët për këtë festë, tha: Ju atje në Kosovë tërë vitin ankoheni se nuk keni para, se është varfëri e madhe, se ka papunësi, etj, ndërsa në anën tjetër gjithë atu harxhime e shpenzime për vitin e ri, kjo është vërtetë për keqardhje. Ndërsa një tjetër tha: Ne këtu në diasporë as që kemi dal bile jashtë shtëpive për ta festuar vitin e ri, ndërsa populli ynë atje i madh e i vogël nëpër kafene e restorante, nëpër rrugë e kështu me radhë. Kanë të drejtë, edhe atë shumë bile sepse nuk jemi askund, nuk e kemi mirë fare. Të gjithë po ankohemi për varfëri, për parregullsi në infrastrukturë, arsim, mjekësi etj, por nuk po punojmë e nuk po kontribuojmë fare që ta përmirësojmë gjendjen tonë. Imagjino sikur të gjitha ato para që janë harxhuar kotë e kotë të ishin derdhur në një fond për përmirësimin e shëndetësisë, për të blerë aparatura mjekësore, për t’i mjekuar me mijëra të sëmurë me sëmundje të rënda që patjetër duhet të dalin jashtë vendit për shërim, dhe shumë e shumë gjëra tjera të dobishme dhe në interes të shoqërisë. A më mirë do ishte ajo apo kjo çka po bënë populli ynë, gjithë këto miliona euro brenda dy tri netëve edhe atë kotë e kotë! Vërtetë për të ardhur keq, sepse disi po kuptohet se vetëdijesimi ende na mungon shumë si shoqëri. Me keqardhje duhet ta pranojmë se një numër i madh i njerëzve nuk e kanë të qartë konceptin e jetës, pse kanë ardhur në këtë botë, cili është qëllimi i ardhjes së tyre në këtë botë, çfarë misioni bart njeriu si qenia më privilegjuar, më e dalluar nga krijesat e Allahut në këtë tokë. Përndryshe sikur ta kuptonin njerëzit rolin e tyre që e kanë, misionin e tyre ndryshe do silleshin, ndryshe do vepronin. Andaj këtu vije në shprehja roli dhe rëndësia e misionarëve fetarë që t’i vetëdijësojnë njerëzit, tua kujtojnë misionin e tyre si krijesa të dalluara të Zotit në këtë tokë.

Kjo çka u cek deri më tani kryesisht ka të bëjë me çështjet e kësaj jete, ndërsa nga ana e ahiretit, të festohet festa e paganëve, e cila është në kundërshtim të plotë me Islamin, kjo është tepër keq, është mëkat i madh.  Shumë lehtë ka mundësi që myslimani të dal prej feje, sepse deshe apo nuk deshe me festimin e vitit të ri po e madhëron një festë që është pjesë e një feje –në këtë rast pagane- e ai që e madhëron një pjesë të një feje ai e ka madhëruar atë fe që i përket ajo festë, e ai që e madhëron një fe tjetër, ai automatikisht e ka ulur dhe nënçmuar fenë e tij dhe kjo i bie kufër –dalje prej fesë-, andaj të gjithë dijetarët islam janë unikë sa i përket asaj se festimi i vitit të ri është haram, i ndaluar.

Mirëpo në gjithë këtë që u përmend, prapë ka vend edhe për optimizëm, e për të shpresuar se gjendja e popullit tonë nuk është edhe aq trishtuese, ngase fal Allahut të Madhëruar ky popull për çdo ditë e më shumë po vetëdijesohet, po i kthehet realitetit, natyrshmërisë në të cilën është krijuar, po i kthehet fesë së vërtetë, duke e kuptuar rolin e tij si njeri në këtë botë, duke e kuptuar rëndësinë e madhe që e ka kjo fe në jetën e njeriut nga djepi deri në varr. Dhe si rezultat i këtij vetëdijesimi dhe rikthimi në Islamin e shëndoshë, sot kemi shumë familje të cilat nuk e festojnë vitin e ri, ndërsa si individ ata janë më shumë sesa që ka mundësi me i numëruar. Dhe ky numër është për çdo vit në rritje, sa njeriun e njohim që më herët e ka festuar vitin e ri, por tani më nuk e feston. Sa njeriun e njohim që qëllimi i tij final ka qenë kënaqësia dhe shfryrja e epsheve dhe kaq, ndërsa tani më ato gjëra për te janë dytësore, e primare e tij është kënaqësia dhe të ushqyerit e shpirtit. Fal Allahut në këtë shoqëri ka shumë hair të madh dhe ky hair për çdo ditë është në rritje.

Kaloi një vit me plotë probleme, jo vetëm tek ne por gjithandej nëpër botë. Vit të cilin populli ynë nuk do ta kujton për të mirë e të suksesshëm. Si do që të jetë filloi një vit tjetër, ani pse fillimi ishte mjaft skeptik për neve myslimanëve, ngase qysh në start u sulmua një xhami në mes të Nju Jorkut, në vendin më demokrat në botë. Ndërsa atje në Kinë organet e rendit rrënuan një xhami të ndërtuar nga myslimanët me pretekst se është ndërtuar pa leje urbanizmi. Thënë të drejtën, kinezët nuk po na çuditin shumë ngase ata janë të njohur me urrejtjen e tyre kundër myslimanëve dhe shtypjen e presionin që ua bëjnë dhjetëra milionave myslimanë të cilët banojnë në perëndim të Kinës më konkretisht në krahinën Turkistani lindor. Por po çuditemi me amerikanët të cilët i njohim për respekt dhe tolerancë fetare. E që shumë shpresojmë se qeveritarët amerikanë nuk do lejojnë përsëritjen e këtij rasti, bile edhe veç e potencoi këtë prefekti i Nju Jorkut.

Filloi një vit i ri e për të cilin janë mjaft të shqetësuar shumë vende në botë, nga shumë segmente. Nga ana ekonomike  si duket do jetë një vit sfidues për shumë vende, në veçanti për Evropën dhe monedhën e tyre euron. Këtë vit pritet që edhe të reshurat të jenë më të pakta – e që Zoti e di më së  miri-, çka do të thotë se ka rrezik thatësie e më pas ndoshta edhe përhapje epidemish të ndryshme.

Në anën tjetër shumë vende kanë probleme të mëdha politike, e në krye të tyre shumë vende arabe.

Edhe ne si popull i vogël filluam këtë vit me shumë probleme e sfida. Kemi para vetes  problemin e veriut, marrëdhëniet me fqiun serb, pastaj zgjedhja e presidentit, shtimi dhe rritja e shkallës së varfërisë, rënia e standardit, statusi i invalidëve të luftës, çështja e arsimit dhe mjekësisë, korrupsioni, problemi i gjykatës, janë vetëm disa nga sfidat me të cilat po futemi me tu në këtë vit, i cili nuk e dimë fare sesi do ta kalojmë deri në fund , për ata që do jenë gjallë.

Allahu na ndihmoftë të gjithëve në punë të mbarë e të mirë, na e faltë të ë kaluarën, na e përmirësoftë të tashmen dhe na rregulloftë të ardhmen, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.